28,03,2024

Shënohet 12 Qershori-Dita e Çlirimit të Ferizajt

Must Read

Ferizajasit me një sërë manifestimesh kanë shënuar 19-vjetorin e çlirimit, duke e kthyer kujtesën në këtë ditë që shënoi fillimin e një epoke të re në liri.

Kreu i pushtetit lokal, përfaqësues e anëtarë të shoqatave të dala nga lufta, familjarë të Dëshmorëve të Kombit, deputetë, nxënës, qytetarë e të tjerë janë përkulur para shtatoreve të Dëshmorëve të Kombit, ndërsa ceremonia e përvitshme e vendosjes së kurorave me lule, në nderim të gjakut të derdhur për liri është zhvilluar në varrezat e Dëshmorëve të Kombit të Ushtrisë së lavdishme Çlirimtare të Kosovës në Ferizaj.

Përpos kësaj, me një akademi solemne mbajtur nën patronatin e Kryetarit të Komunës së Ferizajt, Agim Aliu është përkujtuar kjo ditë, e cila bashkë me lirinë e gjakuar ndër vite, solli ndryshime rrënjësore në të gjitha fushat e jetës.

Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, me këtë rast ka thënë se shënimi i datave të rëndësishme të historisë sonë, krahas entuziazmit festiv, do të duhej të reflektonte tek të gjithë ndjenjën e përgjegjësisë humane e kombëtare, për rrugën e vështirë deri në realizimin, ndonëse ende jo të plotë të synimeve tona të drejta e të pakundërshtueshme, historike e humane.

“Sot e 19 vjet më parë, në qytetin tonë dhe kudo në Kosovë, u rindez edhe një herë flakadani i shpresës për jetën e lirinë, pas përballimit me sukses të një kërcënimi brutal e barabar serb, që synonte shfarosjen e kulturës e qytetarisë shqiptare. Ushtria Çlirimtare e Kosovës, bashkë me popullin tonë martir e të papërkulur, me 12 qershor të vitit 1999, stolisën shtegun e përgjakur të historisë sonë, me ngjyrën e ndezur të triumfit. Fatmirësisht, si asnjëherë më parë në histori, marshimit tonë drejt lirisë, i ishte bashkuar misionarisht edhe qytetaria e fuqishme e fisnike euro-atlantike. Ne nuk e harrojmë asnjëherë ndihmën dhe kontributin e vendeve mike, me në krye SHBA-në dhënë në arritjen e lirisë e shtetësisë sonë”, ka thënë Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu.

Numri një i qytetit të Ferizajt, Agim Aliu, në fjalën e tij para të pranishmëve ka thënë se brenda 19 viteve, sukseset dhe rezultatet janë shumë të mëdha. Sipas tij, Kosova është një shtet i njohur ndërkombëtarisht dhe me synime të integrimit të plotë e të barabartë në të gjitha strukturat relevante ndërkombëtare.

Ai tutje ka thënë se komuna jonë, brenda 19 viteve ka parë një transformim të hovshëm.

“Qyteti që po njeh ritme të shpejta të zhvillimit dhe transformimit në njërën nga qendrat më atraktive në të bërit biznes dhe cilësisë së jetës. Të gjithë parametrat flasin që Ferizaj, po shndërrohet në qendrën më të kërkuar në vend , për zhvillimin e aktiviteteve biznesore. Pozita gjeografike, e bën qytetin tonë, një qendër, nga e cila më së lehti lëvizet në të katër drejtimet, qoftë kur bëhet fjalë për njerëzit, qoftë kur bëhet fjalë për mallrat. Prandaj, ne po punojmë që të ndërtojmë vizionin për një Ferizaj mikpritës, të qëndrueshëm, lehtë të arritshëm, efikas në procedurat dhe të përgjegjshëm në vlerësim të ofertave zhvillimore, jo vetëm për katër vitet në vijim, por për 50 vite e më shumë”, ka potencuar kryetari Aliu, përderisa ka shtuar se si komunë, po kalojmë nëpër sfida jo edhe të lehtë.

“Por, jemi të vendosur që të vazhdojmë tutje me vetbesim, pikërisht për shkak që jemi të bindur që i kemi të gjitha resurset për të tejkaluar çfarëdo vështirësie. Ua kemi borxh brezave tanë një komunë të dinjiteshme, me një ambient optimist dhe shumë motivues për punë e kreativitet”, ka thënë Kryetari i Komunës, Agim Aliu.

Me një fjalë rasti të pranishmëve u është drejtuar edhe kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Ferizaj Rafiz Sejdiu, i cili ka përshkruar rrugëtimin e bërë drejt lirisë të të gjithë atyre që i dolën në ballë armikut për ta ndalë gjenocidin e hequr litarin nga gryka dhe për t’i dhënë një kah tjetër jetës.

Në këtë akademi solemne, u ndanë edhe dekoratat e dhëna nga Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, dekorata këto për sakrificë dhe trimëri për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës ku u nderuan këta Dëshmorë të Kombit:

1. Urdhëri “Heroi i Kosovës” për Dëshmoren e Kombit , Hyrë Emini- Mira;

2. Urdhëri “Hero i Kosovës” për Dëshmorin e Kombit, Naim Beka;

3. Urdhëri “Hero i Kosovës” për Dëshmorin e Kombit, Driton Islami- Toni;

4. Urdhëri “Hero i Kosovës” për Dëshmorin e Kombit”, Sadik Bega.

Pas kësaj ceremonie është shfaqur edhe një program i begatshëm kulturor-artistik, me këngë të ndryshme nga kori i qytetit dhe i Shkolla e Mesme e Muzikës “Çesk Zadeja”.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Prof. Asoc. Dr. Arbresha Meha sjell inovacion dhe praktika të mira të bashkëpunimit ndërmjet akademisë dhe industrisë nga Austria në Kosovë

Në një kohë kur bashkëpunimi ndërmjet akademisë dhe industrisë po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për zhvillimin e...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img