24,04,2024

Romët nga Kosova me rep kundër diskriminimit

Must Read

Një mikrofon nuk funksionon, ndërsa kabllot janë shtrirë me shpejtësi. Butonët provohen dhe testohen me shpejtësi, përshkruan Deutsche Welle. Të dy vëllezërit romë janë megjithatë të relaksuar. Kapelet e reperëve janë vënë si duhet. Ndaj të gjitha janë në rregull.

Repi si medikament

„Unë mbijetoj, pa menduar fare. Më jep një dërrasë dhe unë shtrihem mbi të”, fillon teksti i këngës së vëllezërve K.A.G.E. Ata bëjnë rep kundër diskriminimit dhe urrejtjes dhe për më shumë tolerancë. Në këtë mënyrë përpunojnë gjërat që kanë përjetuar në jetë. “Të jesh i refuzuar, të përjetosh drejpërdrejt racizmin. Në këngët tona duam të shprehim përvojat dhe mbresat tona. T’u japim zemër minoriteteve të tjera që kanë probleme të njëjta. Muzika është instrumenti ynë i veprimit”, thotë Selami.

Në Kosovë – në vendin e panjohur

Mysafirët e parë vijnë në sallën e koncerteve të Qendrës kulturore Kult41 në Bonn. Ajo është një hapsirë e vogël, pa dritare, me një bar të vogël me një ofertë të gjërë. Para koncertit tregohet filmi „Trapped by Law”, nga Sami Mustafa – një film për dy vëllezërit. Regjisori i ka shoqëruar ata tri vite me radhë. Filmi është një dokumentim i odisesë së tyre nëpër Ballkan.

Të dy vëllezërit janë rritur në Essen dhe atje kanë shkuar në shkollë. Deri në vitin 2010, kur me një procedurë të përshpejtuar janë dëbuar në Kosovë. Në vendlindjen e babait të tyre, në gjoja vendlindjen e tyre, të cilën nuk e njihnin fare. Selami (27) nuk ka qenë atje kurrë më parë. Vëllau i tij Kefaet (32) ka jetuar atje vetëm deri në moshën 4-vjeçare. Asnjë kujtim, kurfarë lidhjesh me Kosovën, asnjë ndjenjë për vendin dhe njerëzit atje.

Në periudhën prej janarit të vitit 2012 deri në shtator 2016 kanë kërkuar azil në Gjermani rreth 16.000 shtetas romë të Kosovës. Ministria e Brendshme gjermane bën të ditur se gjatë gjithë kësaj periudhe, statusin e refugjatit e kanë fituar vetëm 5 (pesë) azilkërkues. Më 2015 Kosova është futur në listën e vendeve të sigurta të origjinës. Prej atëherë është katërfishuar numri i personave të larguar dhe dëbuar nga Gjermania.

„Në Gjermani ekziston një heshtje e thellë politike për situatën e rëndë të romëve nga vendet e Ballkanit, ku ata diskriminohen në mënyrë ekstreme. Ata nuk kanë kurrfarë qasjesh në tregun e punës dhe në sistemin e shëndetësisë. Ky është më shumë se vetëm një diskriminim i thjeshtë”, thotë Bernd Mesovic nga Pro Asyl. Në procedurën për azil është konstatuar se diskriminimi nuk është një shkak për azil. Organizata joqeveritare kërkon që të njihet edhe e drejta e qendrimit në Gejrmani, pavarësisht procedurës për azil. Por qeveria po heshtë deri tani për këtë kërkesë.

Nuk ka dorëzim

Ata flejnë në rrugë, tek njerëz të panjohur, tek miqtë. Katër vjet, nëntë muaj dhe gjashtë ditë kanë kaluar në Ballkan – mes shpresës dhe gjendjes së pashpresë. Me muzikën e tyre ata u bënë të shquar në Kosovë, ku kanë pasur shumë koncerte. “Nuk e kam ditur sa do të zgjatë, ndaj e kam shijuar çdo ditë”, thotë Selami në film. Gjatë kësaj periudhe vëllazërit kanë bërë disa përpjekje për të shkuar legalisht në Gjermani – tek familja e tyre në Essen. Por pa sukses.

Një ditë vendosën. “Kemi qenë naivë dhe donim legalisht të kthehemi në Gjermani. Të gjithë na thoshin – kaloni ilegalisht kufirin”, kujtohet Kefaet. Dhe pikërisht këtë kanë bërë. Pa i treguar askujt janë nisur në vitin 2014 në këmbë për në Hungari dhe përmes Austrisë kanë mbërritur në Gjermani. Prej kthimit të tyre muzikantët angazhohen për të rinjtë në kushte të rënda. Ata këndojnë, kërcejnë dhe flasin me ta. Kjo energji pranohet mirë nga publiku në Qendrën kulturore. Koncerti ishte i suksesshëm. Madje edhe teknika funksionoi mirë. Por megjithë angazhimin e tyre mbetet një çështje e hapur: statusi i tyre në Gjermani. Vëllezërit jetojnë sërish në Essen. Selami ka statusin “Duldung” (= durim) dhe mund të dëbohet në çdo moment. Ndërsa Kefeat e ka marrë lejen e qëndrimit për një vit.

.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Arrestohet ish-zyrtari i gjendjes civile në Ferizaj, regjistroi shtetasin turk pa i plotësuar kriteret

Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Ferizaj, pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore për një periudhë kohore,...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img