18,04,2024

Rinia aktive në organizimin për barazi, pavarësi e vetëvendosje

Must Read

Nga Osman Osmani – Ngjarjet e vitit 1981 për liri, barazi, pavarësi e vetëvendosje të shqiptarëve nën pushtimin jugosllav edhe pas 36 viteve mbeten temë e debatit e diskutimeve kontradiktore dhe trajtimi parcial deri edhe të njëanshëm. Jo rrallë ka edhe përpjekje dështuese që ato ndër të tjera të shtrembërohen, përvetësohen, kontestohen, falsifikohen deri edhe të sulmohen.

Të shkruhet për rininë aktive, atdhetare e revolucionare shqiptare të periudhës para dhe pas vitit 1981 është një detyrë e domosdoshme, njëkohësisht është edhe një punë që evidenton argumente dhe dëshmi të rëndësishme, të cilat kanë vulën e punës dhe veprimtarisë heroike të djemve dhe vajzave që për Atdheun, lirinë, barazinë e prosperitetin kombëtar e shoqëror nuk kursyen aspak shpatullat e tyre të njoma dhe u vunë tërësisht në shërbim të rrugës së mundimshme, por krenare madhështore për lirinë, çlirimin kombëtar e shoqëror. Ngjarjet e rëndësishme të zhvillimeve politike dhe atdhetare kanë lënë gjurmë të thella në të gjithë ecurinë e jetës dhe punës, veprimtarisë të asaj pjese të popullit shqiptar nën pushtimin e atëhershëm jugosllav. Në këtë vijueshmëri roli dhe gatishmëria shpirtërore e shumë të rinjve e të rejave atdhedashëse po shtronin të fortë tabanin në rrugët revolucionare për çlirimin e kësaj pjese të Atdheut, që qe nën pushtimin jugosllav.
Organizimet e ndryshme para gjatë dhe pas vitit 1981
Në prag të demonstratave të vitit 1981, gjatë atyre demonstratave dhe menjëherë pas tyre u shtua dukshëm jo vetëm numri i individëve, por edhe i grupeve e organizatave politike shqiptare, të cilat për shkak të rrethanave te atëhershme ishin të detyruara të vepronin ndonjëherë në ilegalitet të pjesshëm, por më së shumti në ilegalitet të thellë. Përpos grupeve formale e joformale si dhe organizatave atdhetare dhe revolucionare të kohës, shumë i rëndësishëm ishte edhe roli dhe veprimtaria e individëve e personaliteteve të ditura e dhe njerëzve të tjerë vullnetmirë e të përkushtuar, të cilëve edhe sot e kësaj dite nuk ju ka përmendur emri. Roli dhe ndikimi i këtyre individëve dhe personaliteteve para, gjatë dhe pas demonstratave të famshme të vitit 1981, ka qenë shumë i rëndësishëm dhe padyshim frutdhënës, hera-herës, madje do të thoshim, ia ka kaluar edhe subjekteve të organizuara të kohës. Kështu vlen të theksohet edhe fakti se në shkrimet e trajtimet, por edhe në librat e shumtë të publikuar mbi këtë tematikë, emrat e atyre njerëzve padrejtësisht lihen në harresë, madje edhe shpërfillen.
Në organizimin ilegal të kohës së pasluftës së Dytë Botërore, si një zinxhir i pashkëputur i rezistencës dhe veprimtarisë atdhetare e revolucionare shquhen organizimet, që si synim kishin jetësimin e aspiratave të kamotshme të bashkimit kombëtar, të bashkimit të Shqipërisë, të pushtuar e ndarë nga fqinjët edhe në shekullin e kaluar.
Pushtuesi jugosllav, nuk ia doli të jetë i suksesshëm edhe pse ndërmori fushata përndjekjesh, arrestimesh dhe bëri persekutime çnjerëzore e barbare, kundër atyre djemve dhe vajzave revolucionare e atdhetare shqiptare, madje duke ju dhënë dënime me shumë vite burg, duke ushtruar dhunë të llahtarshme, derisa disave ua shuanin edhe jetën.
Këta djem e vajza nuk u thyen e as nuk ndaluan së qëndruari njerëzisht e atdhetarisht, nuk e pushuan aspak rezistencën dhe luftën për arritjen e aspiratave shekullore të shqiptarëve. Pa më të voglin dyshim ata mbajtën gjallë veprimtarinë liridashëse dhe rezistencën e vazhdueshme dhe të qëndrueshme përballë pushtuesve.
Avancimet organizative
Organizimet e kohës, por edhe emra të shquar – nga të cilët po veçojmë – bacë Adem Demaçi e Kadri Osmani me shumë shokë e shoqe e karakterizojnë këtë rezistencë e veprimtari atdhetare e revolucionare të mirënjohur. Grupet e Organizatat pasuese dhe të gjithë ata që bënë veprimtari atdhetare, e në këtë kuptim do të veçojmë ato të viteve të shtatëdhjeta të shekullit të kaluar LNÇK/LNÇKVSHJ, GMLK/OMLK dhe PKMLSHJ, në tërësi, të gjitha këto përgatitën dhe çuan në një shkallë të lartë organizimin e Lëvizjeje atdhetare e shoqërore shqiptare. Lëvizje kjo, e cila edhe pse nuk arriti të jetësojë synimet e deklaruara programore të organizimeve të kohës, megjithatë arriti të jetë një zinxhirë i pashkëputur i përpjekjeve dhe veprimtarisë së tërësishme atdhetare. Synimet tona të përbashkëta edhe u jetësuan pjesërisht me krijimin e Republikës së Kosovës, duke pasur në qendër të vëmendjes luftën heroike të UÇK- së cila natyrisht pati bazat e punës dhe veprimtarisë së tërësishme atdhetare të grupeve, organizatave e të aktiviteteve revolucionare para dhe pas vitit 1981.
Edhe pse në kushte dhe rrethana të papërshtatshme, rinia e përkushtuar shqiptare bëri veprimtari të pandërprerë atdhetare. Këta të rinj e të reja nuk pushuan, por u bënë yje që shkëlqyen në rrugët atdhetare edhe pse zyrtarët oportunistë shqiptarë të Jugosllavisë, që ishin drejtues e pjesë përbërëse e LKK-së (Lidhjes Komuniste të Kosovës, si pjesë përbërëse e Lidhjes Komuniste të Serbisë dhe Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë ) ishin pengesa dhe thera nën këmbët e të gjithë atyre veprimtarëve të devotshëm shqiptarë.

Dihet se demonstratat e pranverës së vitit 1981 mobilizuan edhe bashkatdhetarët tanë në botën e jashtme, kryesisht në Zvicër dhe Gjermani, ku vepronin edhe drejtues të organizimeve tradicionale atdhetare e revolucionare.
Në ndërkohë këta drejtues, konkretisht ata të OMLK dhe LNÇKVSHJ në Zvicër dhe Gjermani edhe përkundër disa kundërthënieve të caktuara organizative dhe pengesave, që u krijoheshin edhe nga rrethet e rrjetet e tyre organizative, ia arritën të përafroheshin dhe të bashkërenditnin aktivitetet publike e protestat, të cilat i organizonin bashkë.
Duhet pasur parasysh faktin, se pas burgosjeve masive të djemve e vajzave shqiptare të organizuara, në Kosovë e viset tjera shqiptare nën Jugosllavi dhe posaçërisht pas vrasjes në botën e jashtme të drejtuesve dhe udhëheqësve Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës nga ana e shërbimit të fshehtë shtetëror të Jugosllavisë, organizimet atdhetare e revolucionare u gjendën të goditura rëndë.
Megjithëkëtë udha e atdhetarizmit dhe revolucionarizmit të përpjekjeve shqiptare nuk kishte të ndalur, ajo shkonte me këmbëngulësi drejt organizimeve të reja për liri e barazi. Në këtë kuptim edhe intensifikimi i veprimtarisë dhe zgjerimit të radhëve të Organizatës – PKMLSHJ në kushte e rrethana të reja, shquhej me një veprimtari të theksuar në shërbim të rezistencës dhe të avancimit të bashkimit të forcave atdhetare e revolucionare.

Kësaj i parapriu edhe aktiviteti menjëherë pas demonstratave për Republikën e Kosovës, duke krijuar kontakte të drejtpërdrejta fizike edhe me veprimtarë të organizimeve tjera, për përafrim e bashkim në rrugëtimin e mëtejmë, si dhe për të gjetur mundësi komunikimi më të mira. E gjithë kjo ndodhi në kohën e gjurmimeve të mëdha të UDB – ës, që si pasojë pati dekonspirimin e disa veprimtarëve e drejtuesve të këtij organizimi.
Represioni intensifikoi veprimtarinë atdhetare e revolucionare
Kështu në fund të vitit 1981, armiku arriti të bjerë në gjurmë të një pjese të këtij organizimi të PKMLSHJ. Në rrjetin e dekonspirimit ra grupi i Kadrije Gashit e Rafiz Halitit, që aktivitetin e tyre e zhvillonin në Shtimje me rrethinë, duke vazhduar me ndërlidhjen e rretheve të Ferizajit dhe Anamoravës. Aty nga mesi nëntorit 1981 ata u arrestuan.

Kjo detyroi disa nga drejtuesit e Organizatës për Republikën e Kosovës që, në njërën anë edhe për të këputur zinxhirin e arrestimeve dhe zbulimeve të tjera të mundshme të rrjeteve organizative, ndërsa në anën tjetër për t`u vënë në kontakt me organizimet tjera, që ishin aktivizuar në botën e jashtme e që nënkuptonte bashkimin me to, por edhe për të vu më lirshëm kontakte edhe me shtetin amë. Para arratisjes u njoftuan disa nga drejtuesit, pjesëtarët e veprimtarët të tjerë, për qëllimet e lartshënuara.
Veprimtaria atdhetare e revolucionare e të gjitha organizimeve u gjend para sprovave te reja. Bashkërenditja dhe ngjeshja të radhëve, padyshim u bë një domosdoshmëri.
Por fatkeqësisht pati megalomani dhe mburrje të disave në perëndim, megjithëkëtë kjo kurrsesi nuk do të duhej t`i çonte deri tek injorimi i të tjerëve.
Nga ana tjetër ajo pjesë e bashkëpunëtorëve shqiptarë të UDB-ës e shtetit jugosllav nuk mjaftoheshin vetëm me shpifje e trillime kundër atdhetarëve të shquar, por edhe u vunë në krye të punës urdhërdhënëse duke torturuar e likuiduar fizikisht në pjesë atdhetarëve e veprimtarëve të devotshëm e revolucionarë shqiptarë. Si shembull mund të sjellim torturat dhe dhunën e egër deri në likuidim të bashkëpunëtorëve të UDB- së kundër Fazli Grajçevcit, Afrim Abazit, Zija Shemsiut. Shembuj të tjerë mund të sjellim atentatet dhe vrasjet, që shërbimet jugosllave i bënë jashtë Kosovës, në Gjermani kundër udhëheqësve të ndritur shqiptarë Jusuf e Bardhosh Gërvalla e Kadri Zeka. Këto shërbime bënë edhe cytje e nxitje sherresh e përçarjesh në mes të grupeve e organizatave atdhetare në botën e jashtme.
Përshkallëzimi i dhunës shtetërore dhe luftës speciale kundër Lëvizjes
Zyrtarët shqipfolës në kuadër të sistemit jugosllav, si pjesë përbërëse e pushtuesve, herë hapur e herë fshehur në luftën e tyre speciale kundër kërkesës këmbëngulëse për Republikë të rinisë e popullit shqiptar, aludonin p.sh. se; demonstratat e shqiptarëve për Republikë i kanë organizuar herë UDB-ja e Serbia, herë KGB-ja e Rusia e deri edhe Bullgaria. Ata ndonjëherë e theksonin gjoja njëfarë rreziku nga: “armiku i brendshëm reaksionar në bashkëpunim me atë jashtëm imperialist”, duke sjellë njëfarë përfundimi, siç thoshin ata, se ato ishin të nxitura e organizuara nga Shqipëria dhe PPSH-ja.
Zyrtarëve jugosllavë kur ua lypte puna, me dhelpëri, te vendet që dominoheshin nga politikat djathta atakonin kërkesat dhe lëvizjen tonë revolucionare si ultra të majtë, ndërsa tek vendet që dominoheshin nga politikat e majta, këtë lëvizje e quanin si reaksionare e ultra të djathtë. Bile për këtë qëllim ata bënin publikime e shkrime të veçanta, të cilat i shpërndanin sipas këtyre nevojave.
Organizata për Republikë – PKMLSHJ me kërkesat, Platformën e saj politike dhe Programin për krijimin e RSSH në ish-RSFJ ka vënë në siklet jo vetëm Lidhjen Komuniste të Jugosllavisë, udhëheqës e zyrtarë të shtetit jugosllav e serb, por edhe bashkëpunëtorët e tyre shqipfolës në Kosovë dhe në viset shqiptare nën Maqedoni, Mal të Zi e Serbi.
Atë kohë në kuadër te asaj federate kjo organizatë në forma të ndryshme ka kërkuar, si opsion Republikën e barabartë shqiptare me të tjerët dhe njohjen e shqiptarëve si komb. Ajo pra, këmbëngultas ishte kundër trajtimeve që jugosllavët na bënin ne shqiptarëve si minoritet, si pakicë kombëtare.
Kërkesën e drejtë dhe e të arsyeshme për barazi dhe republikë, që i parapriu edhe aktiviteti i pjesëtarëve të PKMLSHJ është e arsyeshme ta shikojmë në dritën e nevojës së madhe për krijimin e asaj e Republike Shqiptare në kushtet e atilla të zhvillimeve shqiptare.
Mund të thuhet pa hezitim, se veprimtaria e PKMLSHJ –ës këmbëngulte në kërkesat e drejta shqiptare nën Jugosllavinë e atëhershme, duke i bërë ato tema të pashmangshme, përmes bisedave në rrethe të ndryshme shoqërore e shkollore. Së këndejmi do veçuar aksionin “Anketa” dhe ”Pyetja” qysh në fund të viteve të 70-ta. Në këtë vazhdimësi do cekur pyetja që bënim në shkolla e fakultete: “Pse shqiptarët në RSFJ nuk njihen si komb”, “Pse Kosova nuk është Republikë?”, “Kur do të bëhet ajo Republikë?” e të ngjashme, që shërbenin për debate e diskutime të thella. Kësaj duhet shtuar edhe veprimtarinë e pandërprerë atdhetare që zhvillohej gjithandej për të përshirë të gjitha shtresat popullore. Kështu mund të themi, se u dha ndihmesë të madhe për sensibilizimin, vetëdijesimin e mobilizimin e masave të gjëra shqiptare nën ish-Jugosllavi e veçanërisht në Kosovë.
Reagimi represiv i udhëheqjes partiake e shtetërore dhe përdorimi i aparatit të dhunës përmes policisë e ushtrisë, bashkë me luftën speciale të shoqëruar edhe me shpifje e shtrembërime kundër kërkesave, të organizatorëve dhe demonstruesve shqiptare në ish-Jugosllavi, në njërën anë, demantoi dhe zhveshi demagogjinë për demokraci, barazi nacionale dhe vëllazërim e bashkim të popujve të federatës e të së sëmurës së Ballkanit të shekullit të kaluar, ndërsa në anën tjetër lëvizja kombëtare shqiptare shkonte drejt rrugës së vetëdijesimit të masave dhe nevojës së shtimit të intensitetit për organizimin e veprimtarisë atdhetare sa më masive.
Pa barazi s’ka jugosllavi, por pavarësi e vetëvendosje!
Shtypi jugosllavë, por edhe ai në gjuhën shqipe në Kosovë, sikur edhe institucionet tjera si gjyqësia e asaj kohe, por edhe zyrtarët shqiptarë ishin tërësisht në shërbim të pushtuesit, të cilët edhe kur raportonin apo prononcoheshin, shpesh nuk druanin edhe të dezinformonin, të heshtnin kërkesat, të ndërronin, ngatërronin e shtrembëronin qëllimisht e faktet, bile shkonin aq larg, sa edhe shpifnin e fyenin siç është më së keqi, kundër kërkesave dhe veprimtarëve. Kjo shihet edhe me rastin e mbajtjes së gjykimeve kundër grupeve të ndryshme të veprimtarëve atdhetarë shqiptarë gjithandej. Disa nga gjykimet e dënimet as që bëheshin publike, as për opinion vendës e as për atë të jashtëm.
Veçanërisht gjykimi i grupeve, që vepronin duke u bazuar në platformën politike e PKMLSHJ, bëhej pothuajse i fshehur. Ato gjyqe zhvilloheshin ne fshehtësi të plotë.
Armiku dhe veglat e tij, pos tjerash, në pamundësi të asgjësimit të kërkesave të drejta e të arsyeshme, që dilnin nga platforma politike e Organizatës për Republikë-PKMLSHJ, bënin një luftë speciale propagandistike e shoqëruar me intriga, shpifje e shtrembërime të ngjarjeve dhe kërkesave objektiveve shqiptare.
Këtu duhet theksuar se në program të Organizatës për Republikë, është theksuar qartë se, nëse barazia dhe republika nuk arrihen në rrugë e me mjete paqësore dhe nëse gjendja do të vijë deri tek lufta e armatosur, atëherë nuk ka kuptim bashkëjetesa në një shtet të tillë, siç ishte Jugosllavia, prandaj në një rast të tillë ne shqiptarët do te angazhohemi për jetësimin e aspiratës së kamotshme shqiptare – bashkimit kombëtar …
Shteti i padrejtë, pushtues dhe shtypës serbo-jugosllav u përballë me një qëndresë, rezistencë e organizim këmbëngulës e flijues edhe të fëmijëve e rinisë shqiptare të Kosovës së tërësishme. Ky pushtet përmes aparatit të tij ndjekës e represiv nuk u hamend, që në gjyqe të mbyllura e të fshehura nga opinioni vendës dhe ai botërore të gjykojë e dënojë edhe rininë e mitur vetëm sepse ishin shqiptarë e vepronin e punonin për realizimin e Republikës Shqiptare në Jugosllavi si dhe pse kërkonin barazi.

Më poshtë në këtë trajtim do të publikojmë pjesë dokumentesh dhe dëshmish (duke dhënë edhe burimet) që na japin ndihmesë për të ndriçuar të vërtetën, duke plotësuar kështu mozaikun e veprimtarisë atdhetare politike e revolucionare të kohës, si dhe mënjanimin e paqartësive e zbrazëtirave të shumta të krijuara qoftë rastësisht apo qëllimisht, qoftë nga ish pushtuesit, apo nga kushto qoftë tjetër.
PKMLSHJ LEJONTE VEPRIME TË PAVARURA E QENËSORE TË GRUPEVE BRENDA SAJ
Veprimtari dhe i dënuari politik Naser Kuka, në librin e tij me kujtime e dëshmi, NGA LËVIZJA ILEGALE TE UÇK, botuar SH.B.P.K Prishtinë 2012 (faqe 56-57) ndër të tjera shkruan: “…Pas rënies në kontakt me Faton Topallin (ish-drejtues i PKMLSHJ – v. i.), Sejdi Sejdiun (dëshmorë i UÇK-së, i rënë heroikisht në Epopenë e Jezercit), Afrim Abazin (i mbytur me torturë mizore në muajin mars 1982 dhe i hedhur nga katet e larta të ish SPB-së në Ferizaj)…, më pastaj me (ish-drejtuesin tjetër të PKMLSHJ – v. i.) Vahedin Azemin (mesi i vitit 1981 – mars ’82) u bë një punë e përbashkët, por pak më e shtrirë dhe më konkrete, ishte bërë me PKMLSHJ-në…”

Më tej në vijim (faqe 131) autori kujton: “… Në takimin e parë me ta, të mbajtur në Fidanishte (vend në periferi të Ferizajit) do të njihemi me Sejdi Sejdiun, Fehmi Hajrullahun, Fatmir Abdullahun, Fatmir Bajramin, Afrim Abazin dhe Imri Ilazin, por më pas veprimtarinë përbashkët do ta vazhdojmë me Fatonin… Nga Fatoni që nga takimet e para u furnizuam me materiale të PKMLSHJ-së, si: ‘Programi dhe Platforma e PKMLSHJ-së’, ‘Teoria dhe praktika e revolucionit’, ‘Zëri i Atdheut’, ‘Revolucioni’,… ndërsa për nevoja të ngutshme, për shfrytëzim të përkohshëm nga ai do ta pranonim edhe një makinë shkrimi… (faqe 140)… “Meqë në dokumentet për nevoja të brendshme të PKMLSHJ-së lejoheshin edhe veprime të veçanta , të pavarura të grupeve brenda saj dhe pasi që lexoja vepra të ndryshme, që trajtonin çështjen shqiptare para, gjatë dhe pas luftës së Dytë Botërore, si dhe duke i pasur për bazë rrethanat e reja të krijuara pas demonstratave të vitit 1981, kisha vendosur që të përpiloja një notë…,
Edhe ky grup veprimtarësh atdhetarë, si shumë të tjerë, u dënuan nga pushtuesi jugosllav përmes bashkëpunëtorëve shqipfolës, duke u mbajtur edhe procesi gjyqësor kundër tyre në fshehtësi nga opinioni publik:

“…Gjykata e Qarkut në Prishtinë, më datën 17 korrik 1982, i ka shpallur fajtor për vepër penale të bashkimit për veprimtari të ashtuquajtur armiqësore, të parashikuar nga neni 136 par. 2 lidhur me nenin 114 të LP të RSFJ dhe i ka gjykuar (dhe dënuar këta atdhetarë – v. i.): Naser Kuka – me 4 vjet burg, Hysen Shehu – me 3 vjet e 6 muaj burg, Sejdi Sejdiu – me 3 vjet burg, Fehmi Hajrullahu – me 3 vjet burg, ndërsa për vepër penale “të propagandës armiqësore, nga neni 133 par. 1 të LP RSFJ” Ymri Ilazi – me 2 vjet e 6 muaj burg, Islam Vishi – me 2 vjet burg, Fatmir Bajrami – me 2 vjet burg, dhe Fatmir Abdullahu – me 1 vjet e 6 muaj burg…”(marrë nga Aktgjykimi P-nr. 84/82)
***
“ILEGALËT – SHOTE GALICA”
Në fillim të muajit tetor 1981 tek “Pemishtja” në Ferizaj, një grup djemsh e vajzash të rinj, kryesisht vëllezër e motra si dhe familjar të veprimtarëve të atëhershëm të PKMLSHJ-së, të gjithë këta të moshës 15-16 vjeç, duke pasur dëshirën , vullnetin, gatishmërinë e nismën e përkushtimit atdhetar kanë formuar grupin “Ilegalët” me qëllim të zhvillimit të aktiviteteve në mbështetje të krijimit të Republikës Shqiptare të Kosovës së tërësishme. Me këtë rast ata kanë zgjedhur edhe kryesinë e grupit me kryetar Hyzri Osmanin – atëkohë ende 15 vjeç – , sekretar Naim Hajrullahun – sa kishte mbushur 16 vjet – dhe arkëtar Naim Sadikun – ende 16 vjeç. Në këtë mbledhje themeluese ata pos tjerash kanë caktuar edhe detyrat konkrete për anëtarët e grupit, si: shkuarjen e parullave; shpërndarjen e pamfleteve; angazhimin e anëtarëve të rinj në grup, etj.

Fotografi e kohës e një pjese të grupit Shote Galica: nga e majta në këmbë Bukurije Sadiku motra e Naim Sadikut (anëtare e pazbuluar/e padënuar), Hadije Olluri (anëtare), Naim Sadiku (anëtar) dhe krejt në të djathtë është Naim Hajrullahu. Në mes të këtyre dy të fundit në foto është edhe gazetari Raif Mahalla (i cili nuk ka qenë anëtar i grupit). Nga e majta ulur në fotografi janë Fatmir Neziri si dhe Nadije e Florije Hajrullahu (që të tre anëtarë të grupit).
Në vijim do të shfletojmë disa nga veprimet e aktivitetet e grupit:
– Më, 2.9.1981 në rrugën Ferizaj – Prizren ne fshatin Lloshkobarë (Hyzri Osmani, Selim Deliu, Fatmir Avdyli) kanë shkruar parullën “Kosova Republikë!”
– Më, 11 dhe 12.10.1981 në shkollën fillore “Bajram Curri” në fshatin Petrovë kanë shkruar parullën “Kosova Republikë!”
– Më, 22.11.1983 në muret e shkollës normale në Ferizaj kanë shkruar parullat “Shokët nga Burgu”, “Kosova Republikë!” dhe “Duam Republikë”
– Më, 24 dhe 25.12.1981 në shkollën e vjetër normale në Ferizaj kanë shkruar parullën “Kosova Republikë!”, “Të lirohen shokët nga burgu!”, “Poshtë tradhtarët!”, “Rroftë PKMLSHJ!” dhe “S’ka liri nën Serbi”.
– Më, 25.12.1981 nëpër muret e shtëpive të fshatit Varosh kanë shkruar parullat “Kosova Republikë!”, “Bashkim” dhe “Rroftë PKMLSHJ!”
– Më, 26 dhe 27.6.1982 në muret e xhamisë së fshatit Koshare kanë shkruar parullën “Kosova Republikë”
– Më 1dhe 2.8.1982 në muret e xhamisë në fshatin Petrovë kanë shkruar parullën “Kosova Republikë”, “KR”, “Republikë e Kushtetutë ja me hatër ja me luftë”
– Më. 14 dhe15.11.1982 në muret dhe dritaret e shkollës fillore në fshatin Baliq kanë shkruar parullën “Kosova Republikë”, “KR”, “Rroftë Enver Hoxha”, “Rroftë Enveri poshtë Kardeli”
– Më, 8. 10.1981 (Hyzri Osmani, Selim Deliu, Fatmir Avdyli, Naim Hajrullahu e Naim Sadiku) në kishën e fshatit Norodime kanë shkruar parullën “Nuk ka Republikë pa luftë”, “Trepça është e jona” dhe “Kosova Republikë”
– Më 28 dhe 29.10.1981 (Hyzri Osmani e Fatmir Neziri) në muret e xhamisë dhe të shitores nr. 40 të “M. Zeqarit” në fshatin Talinovc të Jerlive kanë shkruar parollën “Kosova Republikë”
– Një javë më vonë, aty nga data 5.11.1981 po në të njëjtin fshat kanë shpërndarë pamfletin me titull “Vëllezër e motra” dhe “Të gjithë bashkohuni”, ndërsa
– Gjatë muajit nëntor 1981 (Fatmir Neziri) shpërndan të njëjtat pamflete në rrugën “Vllazërim Bashkimi” në Ferizaj
– Më 10.3.1982 Fatmir Avdyli në shkollën teknike në Ferizaj ka shkruar parullën “KR” dhe “Rroftë 11 Marsi”
– Më 18 – 19.02.1982 (Fatmir Avdyli, Selim Deliu, Hyzri Osmani dhe Naim Hajrullahu) në muret e kishës në Shtime kanë shkruar parullat “Lironi të burgosurit”, “Tradhtarët po i pret plumbi”, “Poshtë racizmi jugosllav” dhe “Kosova Republikë”.
– Më 4.3.1983 (Selim Deliu e Fatmir Avdyli) kanë hyrë në shkollën fillore “Vuk Karaxhiq” në fshatin Dërmjak dhe kanë marrë dy fotografi të Titos, njërën e kanë thyer, ndërsa tjetrën e kanë varur tek trafo-stacioni i fshatit.
Grupi “Ilegalët” me anëtarë shumë të guximshëm dhe shumë vigjilent për moshën dhe rrethanat veproi më shumë se dy vite, pa arritur që armiku ta zbulojë. Bile grupi me kohë kujdesshëm pasurohet edhe me anëtarë të rinj dhe mund të themi edhe do të përparojë ndjeshëm në veprimtarinë politike atdhetare por edhe duke u ristrukturuar.
Kështu në mbledhjen e mbajtur më 25.3.1983 te salla e sporteve në Ferizaj, të gjithë anëtarët që kishin formuar grupin “Ilegalët” (me përjashtim të rinjve Selim Deliu dhe Fatmir Avdyli), tani bashkë edhe me të rinjtë Shahadije Neziri dhe Fatmir Neziri, takohen dhe ndër të tjera vendosin të ndryshojnë emrin e grupit nga “Ilegalët” në “Shote Galica”. Me këtë rast grupi zgjedhë kryesinë e re dhe kryetare emëruan Shahadije Nezirin , sekretar Naim Hajrullahun dhe arkëtar Fatmir Nezirin. Ata u betuan para flamurit kombëtar dhe caktojnë pseudonimet: “Shqipe” (Shahadije Neziri), “Kushtrim” (Hyzri Osmani), “Liridon” (Naim Hajrullahu), “Besfort” (Fatmir Neziri), “Vlora” Florije Hajrullahu, “Shpresa” Nadije Ramadani, “Kastriot” Naim Sadiku, etj… si dhe i caktojnë detyrat për veprimtari të mëtejme dhe vendosin të jenë pjesë e demonstratave të serishme.
….
Anëtarët e këtij grupi të të rinjve atdhetarë e revolucionarë zbulohen dhe arrestohen nga armiku dhe veglat e tij në fund të muajit shtator 1983 dhe mbahen në paraburgim deri nga fundi i muajit dhjetor 1983, kur edhe i vunë para bankës së gjyqit politik, duke i ngarkuar e dënuar, disa vite burg (shih edhe Aktgjykimin Pm. Nr. 80/83.- dhe PPm. Nr. 111/8):
Pm. Nr. 80/83.-
PPm. Nr. 111/83
… Gjykata e qarkut në Prishtinë në kolegjin për të mitur, të përbërë nga gjyqtarja për të mitur Fllanza Kadiu, si kryetare e kolegjit dhe gjyqtareve porotë Iliaz Alija dhe Xhuro Bovan – anëtarë kolegji, si dhe procesmbajtësja Rafiqe Kuraja, në çështjen penale të të miturve Hyzri Osmani, Selim Deliu, Fatrmir Avdyli, Naim Hajrullahu, Naim Sadiku, Florije Hajrullahu, Nadire Ramadani, nga Ferizaji, për shkak të veprës penale Bashkim për veprimtari armiqësore nga neni 131 al. 1 në lidhje me nenin 114 të LP të RSFJ, dhe Shadije Neziri e Fatmir Neziri për shkak të veprës penale Bashkim për veprimtari armiqësore nga neni 136 al. 2 lidhur me nenin 114 të LP të RSFJ, sipas propozimit të Prokurorisë publike të qarkut të Prishtinës PPm. nr. 111/83 të datës 5.XII.1983 në prezencën e zëvendës PPQ në Prishtinë Reshat Millaku, të miturve, mbrojtësve të tyre Lubisav Milojeviq e Abedin Nagjiu, përfaqësuesve ligjor i të miturve, përfaqësuesit e qendrës për punë sociale Ferizaj me dt. 21.XII.1983 mori dhe shpalli.
AKTGJYKIM
Të (rinjtë) miturit:
1. HYZRI OSMANI, i biri i Shaipit e Ajshës e gjinisë Ilazi (mbiemri i vajzërisë së Ajshës sqarim nga O.O.) , i lindur më 16.XI.1966 në fshatin Tërnavë KK- Ferizaj, ku edhe jeton, nxënës i vitit të III-të në QAMO në Ferizaj, shqiptar, shtetas i RSFJ, gjendet në paraburgim prej dt. 25.IX.1983.
– I dënuar me pesë (5) vjet burg
2. SELIM DELIU, i biri i Kadriut dhe Vahides e gjinisë (fjala është për mbiemrin e vajzërisë së Vahides, nënës së Selimit) Islami, i lindur më 9.X.1965 në fshatin Dremnjak K.K-Ferizaj, ku edhe jeton, nxënës i vitit të III-të në QAMO në Ferizaj, shqiptar, shtetas i RSFJ, shërbimin ushtarak të parregulluar, evidentohet pranë EU në Ferizaj, gjendet në paraburgim prej dt. 20.09.1983.
– I dënuar me katër vjet e gjysmë (4.5) burg
3. FATMIR AVDYLI, i biri i Halilit dhe Negjyrës e gjinisë Hajrullahi, i lindur me 18.08.1966 në fshatin Pojatishtë, me vendbanim në fshatin Dërmjak, shqiptar, shtetas i RSFJ, ka të kryer 7 klasë të shkollës fillore, shërbimin ushtarak të parregulluar, evidentohet pranë EU në Ferizaj, i papunë , i pamartuar, gjendet në paraburgim prej datës 20.09.1983.
– I dënuar me katër vjet e gjysmë (4.5) burg
4. NAIM HAJRULLAHI, i biri i Bajramit dhe Sheqerës e gjinisë Avdyli, i lindur më 20.09.1966, me vendbanim në fshatin Dremnjak , shqiptar, shtetas i RSFJ, nxënës i vitit të III në Ferizaj, shërnimin ushtarak të parregulluar, mbahet në evidencë ushtarake pranë KK-Ferizaj, gjendet në paraburgim prej dt. 25.9.1983.
– I dënuar me tre vjet e gjysmë (3.5) vjet burg
5. NAIM SADIKU, i biri i Sadikut dhe i Havës e gjinisë Tipalli, i lindur me 20.04.1966 në fshatin Baliq, tash me vendbanim në Ferizaj, Rr. e “Nordedimës” nr. 54, shqiptar, shtetas i RSFJ, nxënës i vitit të II i QAMO në Ferizaj, shërbimin ushtarak të parregulluar, mbahet në evidencë ushtarake pranë KK-Ferizaj, gjendet në paraburgim prej dt. 25.09.1983.
– I dënuar me tri vjet e gjysmë (3.5) burg
6. FLORIJE HAJRULLAHU, e bija e Raifit dhe Mihanës e gjinisë Ilazi, e lindur më 2.9.1965 në fshatin Dremnjak, KK-Ferizaj, ku jeton, nxënëse e vitit të III QAMO në Ferizaj, shqiptare, shtetase e RSFJ, gjendet në paraburgim prej dt. 22.09.1983.
– E dënuar me dy vjet e gjysmë (2.5) burg
7. SHAHADIJE NEZIRI, e biija e Servetit dhe Sabrijes, e lindur me 10.02.1965 në Shkup, tash me vendbanim në Ferizaj, Rr. “Vojvodinës” Nr. 22, shqiptare, shtetase e RSFJ, nxënëse e vitit të III QAMO në Ferizaj, gjendet në paraburgim prej dt. 22.09.1983,
– E dënuar me tri vjet (3) burg
8. FATMIR NEZIRI, i biri i Servetit dhe Sabrijes e gjinisë Ilazi, i lindur me 10.12.1966 në Shkup, tash me vendbanim në Ferizaj, Rr. “Vojvodinës” Nr. 22, shqiptar, shtetas i RSFJ, nxënës i vitit të III të medicinës në Prishtinë, gjendet në paraburgim prej dt. 25.09.1983.
– I dënuar me dy vjet e gjysmë (2.5) burg
dhe
9. NADIJE RAMADANI, e bija e Shefqetit dhe Shahides e gjinisë Vogliqi e lindur me 19.04.1967 në fshatin Lloshkobarë KK-Ferizaj, shqiptare, shtetase e RSFJ, nxënëse e vitit të III QAMO në Ferizaj
– I është shqiptuar dënimi “DËRGIMI NË SHTËPINË PËR EDUKIM…” për të mitur që mund të zgjas një deri në 5 vjet, 1-5 vjet (Sa vite i ka mbajtur Nadije Ramadani?!)
Të gjithë këta veprimtarë të rinj, edhe pse kur janë gjykuar nga pushtuesi dhe veglat e tij kanë qenë të moshës së mitur (15-16 vjeç), kanë mbajtur deri në ditën e fundit dënimin e të burgosurve politik.

Osman Osmani: Bashkëbisedim në formë interviste me veprimtarin Fehmi Hajrullahu, ish i burgosur politik dhe veteran i UÇK-së .


Fehmi Hajrullahu në Jezercë duke u përgatitur për betimin e ushtarëve të UÇK-së. Në foto është duke u shënuar edhe heroina e tri luftrave çlirimtare, Hyre Emini (Mira), e cila ra në altarin e lirisë bashkë me bashkëluftëtarin Tahir Sinanin në vitin 2001 në Maqedoni.

Duke qenë një veprimtar i përkushtuar atdhetar, ish i burgosur politik, pjesëmarrës dhe veteran i UÇK-ës, si shok i idealit i Fehmi Hajrullahut pata edhe nderin, të zhvilloj këtë bashkëbisedim dhe nga ai të shkëpus pjesë në formë të një interviste.
Fillimisht do të doja të të pyesja: Kur ke filluar angazhimin tënd politik dhe me kënd ke filluar bashkëpunimin?
Fehmi Hajrullahu: Unë pata rastin të shkoj në shkollë të mesme ekonomike (drejtimi biologji – kimi), e cila ishte një nga shkollat më përparimtare të kohës. Kuadri arsimor si dhe nxënësit ishin ndër më të mirët. Ashtu siç flitej e shkruhej edhe në rrethe të tjera edhe tek ne flitej e shkruhej për Republikën, për të drejtat tona, për shqiptarizmin në përgjithësi. Krijuam një rreth të mirë kombëtar. Menjëherë pas kryerjes së shkollës së mesme pushteti më dërgoi thirrjen për të kryer shërbimin ushtarak, kështu që ngjarjet e pranverës 1981 më zunë në ushtri. Gjatë muajit maj të vitit 1981 kisha marrë ca ditë të lira pushimi. Sapo erdha në Kosovë shoku im Halit Osmani më njoftoi për veprimtarinë e PKMLSHJ dhe kërkoi që t’i bashkëngjitëm atyre. Pas kësaj u futa në dhjetëshen që e udhëhiqte Faton Topalli. Kjo dhjetëshe ishte bashkëpunimi i parë me ta, por fatkeqësisht më vonë UDB- ja jugosllave na ka rënë në gjurmë dhe kështu ne jemi arrestuar nga policia jugosllave dhe jemi dënuar po nga gjyqet jugosllave.


Pranë varrit të bashkëveprimtarit Afrim Abazit (anëtar i ish-PKMLSHJ-së, i mbytur nga UDB-ja në stacionin policor të Ferizajt në vitin 1982): nga e majta Fehmi Hajrullahu, Imri Ilazi (shoku më i ngushtë i Afrim Abazit) dhe në të djathtë tanimë dëshmori Sejdi Sejdiu.
Në Kosovë para, gjatë dhe pas demonstratave gjithë-popullore të marsit e të prillit të vitit 1981 kanë vepruar shumë individë, grupe (formale e joformale) dhe organizata atdhetarësh shqiptarë. Ato kanë pasur pikëpamje të ndryshme dhe kërkesa e programe që janë dalluar nga njëra tjetra për shkak të kushteve e rrethanave, por edhe duke vepruar në fshehtësi, si dhe për shkak edhe të konspiracionit nuk kanë mundur të bashkëpunojnë mes veti.
A keni pasur asokohe, apo me më pas bashkëpunim me grupe tjera, si dhe a keni pasur ndonjë përvojë qoftë negative apo pozitive me grupe e organizata tjera?!

Fehmi Hajrullahu: Në rrethanat e ilegalitetit të thellë bashkëpunimi me njerëzit e tjerë atdhetarë ishte mjaft i vështirësuar. Zakonisht shfrytëzonim lidhjet e forta shoqërore dhe ato familjare. Bashkëpunova me Isuf dhe Rexhep Muhaxherin, rrethin e shokëve të shkollës së mesme, që atëherë ishim studentë në Mitrovicë. Po këtu, me rastin e përvjetorit të demonstratave të vitit 1981, më 12 mars 1982, në Mitrovicë më ka burgosur UDB- ja jugosllave.
Për shkak të aktivitetit atdhetar e revolucionar Ti je burgosur bashkë me bashkëveprimtarë të tjerë në vitin 1982 dhe jeni dënuar me burg (Ap-kzh-nr. 393/82).Pas mbajtjes së burgut, ke vazhduar veprimtarinë dhe me çka je marrë konkretisht. Me cilët veprimtarë tjerë ke bashkëpunuar?
Fehmi Hajrullahu: Pas daljes nga burgu kam bashkëpunuar me veprimtarët si Beqir Beqa, Njazi Beqa, Avdyl Kryeziun, Adnan Gashin, Naim Selmanin, Hysen Shehun, Fadil Ferizin, Avdyl Krasniqin,Sahit Salihun, Gyltene Tahirin, Nebahate Sadikun, etj. Për shkak te mundësisë se dekonspirimit shumicën e kohës është punuar me metodën në katër sy. Kryesisht kemi vepruar në ngritjen e vetëdijes kombëtare, shkëmbimin e literaturës ilegale, shpërndarjen e gazetave, pamfleteve të ndryshme dhe materialeve tjera propagandistike.

Fehmi Hajrullahu gjatë luftës çlirimtare me shërbim në UÇK dhe më pas edhe në TMK
Ti ke qenë edhe pjesë aktive e luftues çlirimtare që nga fillimi i saj. Kur iu ke bashkangjitur radhëve të UÇK- së dhe çfarë detyrash e funksionesh ke ushtruar në luftë?

Fehmi Hajrullahu: Uniformën e UÇK-së për herë të parë e kam veshur më 20 korrik 1998, dhe atë kohë ekzistonte Nënzona Operative e Nerodimes, e cila në kuadër të Komandës për Ferizaj kishte një batalion. Këtu m’u caktua detyra si Shef i Logjistikës për Komandën e Ferizajit. Pas shndërrimit të Nënzonave Operative të UÇK-së në Zona Operative të UÇK-së jam emëruar Shef i Sektorit të Logjistikës për Zonën Operative të Nerodimes. Këtë detyrë e kam kryer deri në demobilizimin e UÇK-së më 19 shtator 1999.

Vendim i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për emërimet e eprorëve të Zonës Operative të Nerodimes, ndër të cilët edhe Fehmi Hajrullahu si Shef i Sektorit të logjistikës për këtë Zonë UÇK-së.

Pas lufte një kohë ke shërbyer në TKM. Po më pas me çka je marrë?
Fehmi Hajrullahu: Prej datës 20.9.1999 kam kryer detyrën e Shefit të Departamentit të Logjistikës së Zonës së VI të TMK-së në Gjilan deri sa jam demobilizuar. Pas lufte përpos punës në TMK kam qenë drejtor në Stacion të Autobusëve në Ferizaj, deri sa më largoi nga puna kryetari i komunës së Ferizajt Muharrem Svarqa.
***
Grupi i të rinjve – “Ilegalët” (“Shote Galica”)
Në librin e Sinan Hasanit ti përmendesh si nismëtar i themelimit të grupin e të rinjve „Shote Galica“… Ky grup nga Aktgjykimi shihet se ishte mjaft aktiv… Si është krijuar ky grup i të rinjve?
Fehmi Hajrullahu: Në rrethin e Ferizajt ka ekzistuar një grup i të miturve të cilët kanë bërë një punë të madhe atdhetare me rastin e përvjetorit të demonstratave të vitit 1981, më 12 mars 1982 në Mitrovicë mua më ka burgosur UDB-ja jugosllave. Ky grup kryesisht kanë qenë i përbërë prej vëllezërish dhe motrash, që kanë pasur më parë familjarë të dënuar politik ose lidhje farefisnore me ta. Kështu që janë produkt i një fryme të përgjithshme atdhetare, të cilët grupin e formuan me vetiniciativën e tyre.
Aktiviteti i tyre politik kryesisht është zhvilluar për ngritjen e vetëdijes kombëtare dhe politike. Më pas veprimtaria e tyre, ndër të tjera shquhet në aksione të ndryshme, shkrim të parullave nëpër objekte e vendbanime të ndryshme, shpërndarje të trakteve e pamfleteve, duke marrë edhe pjesë në protesta dhe demonstrata të ndryshme.
Pjesë nga libri i Sinan Hasanit, botim në gjuhën serbokroate nga “Qendra për informata dhe publicitet” 1986, Zagreb. Në këtë libër të tij, faqe 347, Sinan Hasani veçon edhe grupin i të rinjve (të gjithë të mitur) “Shote Galica” që vepronte nga platforma e PKMLSHJ, i themeluar nga veprimtari Fehmi Hajrullahu, ish i burgosur politik dhe veteran i UÇK-së (nga zonën e Noredimës). Ky grup u krijua kryesisht nga familjarë të Fehmiut dhe shokëve të tij dhe, edhe pse të mitur, janë dënuar me shumë vite burg në vitin 1983. (shih edhe: PPPm Nr. 111/83, të datës 5.12.1983)
Të gjithë këta të rinj e të reja kanë mbajtur dënimet e tyre deri në ditën e fundit. Pas lirimit nga burgu me çka janë marrë?!
Fehmi Hajrullahu: Që të gjithë kanë mbajtur dënime deri në ditën e fundit. Duke qenë se janë dënuar si të mitur pas daljes nga burgu mundësia e tyre për një jetë më të mirë ka qenë shumë e vogël. Disa prej tyre për shkak të gjendjes së keqe ekonomike ose dhunës së pushtetit kanë emigruar jashtë si psh. Hysri Osmani, Selim Deliu, Naim Sadiku, Naim Hajrullahu, Nadije Ramadani Hajrullahu, Florije Hajrullahu dhe Fatmir Avdyli. Deri pas lufte pothuajse të gjithë kanë punuar në shtete të Evropës dhe Amerikës si punëtorë.
Ku janë sot pjesëtarët e këtij grupi dhe me çka merren?!
Fehmi Hajrullahu: Sot shumica prej tyre punojnë jashtë Kosovës. Naim Sadiku gjendet në Suedi, është koordinator për Skandinavi, drejtor i Qendrës Kulturore të Kosovës pranë Ministrisë së Diasporës. Ka qenë përkrahës aktiv i UÇK-së. Hyzri Osmani ka një firmë ndërtimore në Gjermani, ka të botuar edhe një libër…,Naim Hajrullahu, Nadije Ramadani Hajrullahu, Florije Hajrullahu, Selim Deliu dhe Fatmir Avdyli punojnë si punëtorë në shtete të ndryshme të perëndimit. Shahadije Neziri punon në arsim. Është poete dhe ka disa shpërblime. Fatmir Neziri ka kryer fakultetin e Artit figurativ.
Në librin e Sinan Hasanit ti – Fehmi Hajrullahu, përmendesh si iniciues i themelimit të grupit të të rinjve „Shote Galica“… Ky grup nga Aktgjykimi shihet se ishte mjaft aktiv… Në gazetën e Rinise ML te PKMKLSHJ, „Zëri i Atdheut“ jepen instruksione për të rinjtë dhe për pionierë, a ka shërbyer kjo për krijimin e këtij grupi apo, apo ka qenë nismë e tjetërkujt ?!
Fehmi Hajrullahu: Në rrethin e Ferizajt ka ekzistuar një grup i të miturve të cilët kanë bërë një punë të madhe atdhetare me emrin Shote Galica, i krijuar mbas burgosjes sime. Ne këtë grup kryesisht kanë qenë vëllezër dhe motra, që kanë pasur më parë familjarë të dënuar politik ose lidhje farefisnore. Kështu që janë produkt i një fryme të përgjithshme atdhetare, të cilët grupin formuan me nismën e tyre.
Të gjithë këta të rinj e të reja kanë mbajtur dënimet e tyre deri në ditën e fundit. Pas lirimit nga burgu me çka janë marrë secili/a prej tyre?!
Fehmi Hajrullahu: Që të gjithë kanë mbajtur dënime deri në ditën e fundit. Duke qenë se janë dënuar si të mitur pas daljes nga burgu perspektiva e tyre për një jetë më të mirë ka qenë shumë e vogël. Disa prej tyre për shkak të gjendjes së keqe ekonomike ose dhunës së pushtetit kanë emigruar jashtë vendit, si psh. Hysri Osmani, Selim Deliu, Naim Sadiku, Naim Hajrullahu, Nadije Ramadani Hajrullahu, Florije Hajrullahu dhe Fatmir Avdyli. Deri pas lufte pothuajse të gjithë kanë punuar në shtete të Evropës dhe Amerikës si punëmarrës.
Ku janë sot pjesëtarët e pjesëtaret e këtij grupi dhe me çka merren?!
Fehmi Hajrullahu: Edhe sot e kësaj dite shumica prej tyre punojnë jashtë Kosovës. Naim Sadiku gjendet në Suedi, është Koordinator për Skandinavi, Drejtor i Qendrës Kulturore të Kosovës pranë Ministrisë së Diasporës. Ka qenë përkrahës aktiv i UÇK-së. Hyzri Osmani ka një firmë ndërtimore në Gjermani, ka të botuar edhe librin me përmbledhje dokumentesh “Dhjete vite dhune mbi arsimin shqiptar te Ferizajt” te botuar me 1992 nga Forumi i Intelektualeve Shqiptare. Gjithashtu ka te përgatitur për botim një libër me poezi ne shtëpinë botuese ”Pegasi” me recensent Kristaq Shabanin.
Naim Hajrullahu, Nadije Ramadani Hajrullahu, Florije Hajrullahu, Selim Deliu dhe Fatmir Avdyli janë me punë si punëmarrës në shtete të ndryshme të perëndimit. Ndërsa Shahadije Neziri punon në arsim. Është poete dhe ka marrë disa shpërblime. Derisa Fatmir Neziri ka kryer fakultetin e Artit figurativ, pra është artist.
Në Kosovë vazhdojnë edhe më tej që të veprojnë klanet politike. Militantët partiakë krahas familjarëve e farefisit kanë përparësi në ndarjen e funksioneve dhe me rastin zënies së vendeve të punës. Po sa të ndërrojnë pushtetet , ndërrohen edhe zyrtarët dhe ata që bëjnë punën ndershëm zëvendësohen me militantë të partisë ne pushtet apo familjarë të pushtetarëve. Ne kemi dëgjuar se edhe ty me ardhjen në pushtet të LDK- ës në Ferizaj të kane larguar nga detyra për shkak edhe të bindjeve politike.
Si e vlerëson ti personalisht ketë situatë?!
Fehmi Hajrullahu: Gjatë fushatës zgjedhore Avdullah Svarqa (vëllai i Muharrem Svarqës), i cili punonte në stacion të autobusëve, ka ardhur në zyrë dhe më ka thënë se vëllai i tij – Muharrem Svarqa ka kërkuar që të takoheshim dhe të pinim nga një kafe. Duke pasur për bazë, rregullin dhe punën e mirë që e kisha bërë në stacion, dëshironte të më takonte. Kuptohet, kjo ishte vetëm njëra anë e mbulimit dredharak të tij. Megjithëkëtë i kam bërë me dije, se unë jam i gatshëm gjithmonë të takoheshim e të bisedonim për çdo gjë që ai do të dëshironte, por edhe i kam dhënë të kuptojë se nuk mund ta ndihmoj për vota. Me ardhjen në pushtet, Muharrem Svarqa më është hakmarrë, sipas motiveve politike. Kështu ai duke u mbështetur në këto motive, bordin e emëroi për të kryer urdhrat e tij. Ky bord përbëhej nga persona joprofesional dhe pa arsimim adekuat (pa i mbaruar studimet, fakultetin) dhe ku kishte edhe konflikt interesi, andaj si i tillë ishte edhe i jashtëligjshëm. Po ky bord, në ditën e parë të punës, pa ditur ende asgjë rreth ndërmarrjes, në bisedën e parë që e bëmë mua më pezulloi nga puna. Me sa e di unë, unë jam i pari si drejtor që Muharrem Svarqa më ka pezulluar nga puna. Më këtë rast nuk është përfillur asnjë procedurë ligjore e normative, pasi Stacioni i Autobusëve në Ferizaj ka qenë kompetencë e AKP-së, e jo e Komunës.. Mua më largon nga puna më 28.2.2014, për të rehatuar bashkë-partiakun e tij, Adem Salihun, i cili pa kurrfarë procedure qysh te nesërmen, ditën e shtunë të 01.3.2014 pushton vendin e punës. Tërë kjo paraqet diletantizëm politik..
Eksponent të caktuar të atëhershëm ia kanë zënë për të madhe PKMLSHJ –së, se me kërkesën për Republikë shqiptare të barabartë me të tjerat në kudër të federatës jugosllave, ka devijuar nga kërkesat tradicionale të lëvizjes kombëtare shqiptare dhe se ka ulur çmimin e aspiratave tona kombëtare, derisa edhe me kërkesën Kosova- Republikë Shqiptare e barabartë me Republikat tjera të ish RSFJ-së, gjoja është tradhtuar aspirata për bashkim me shtetin amë Shqipërinë. Tani shumica e tyre ishin e janë mbajtës të funksioneve të ndryshme në Republikën e Kosovës dhe kanë “harruar“ edhe emërtimin shqiptarë si edhe Bashkimin Kombëtar. Bile po t’ua përmendësh sot atyre dhe pasuesve të tyre Bashkimin, pa hamendur fare, të akuzojnë për provokues ekstrem apo deri edhe për tradhti.

Cilat do të duhej të ishin detyrat e ish- veprimtarëve, të ish-burgosurve politik, ish të përndjekurve politik dhe veteranëve të luftës çlirimtare, aktualisht, sipas mendimit tënd?!
Fehmi Hajrullahu: Qëndrimi i ish veprimtarëve, ish të burgosurve politikë, ish të përndjekurve politikë dhe i veteranëve të UÇK-së duhet të jetë lufta e pa kompromis me të gjitha mjetet e mundshme gjer në jetësimin e bashkimit të të gjitha trojeve shqiptare në një shtet. Populli shqiptar padrejtësisht është copëtuar. Këtë copëtim historikisht nuk e ka pranuar kurrë, kështu që pareshtur ka bërë përpjekje për bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare. Shumë nga ish veprimtarët nga lakmia për pushtet e mirëqenie të pamerituar personale, kanë devijuar nga kjo rrugë, porse është e qartë se me ta, ose pa ta, rruga për realizimin e aspiratave të shqiptarëve do të vazhdojë deri në realizimin e të drejtës tonë për të jetuar ashtu siç duam dhe ashtu ku duam ne!
Çka ndikoi sipas mendimit tuaj në krijimin e një klime të përshtatshme atdhetare e revolucionare?
Fehmi Hajrullahu: Pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 1974, duke iu falënderuar njerëzve të frymëzuar në mënyrë të drejtë kombëtare filloi një bashkëpunim më i afërt me Shqipërinë. Ishte kjo koha kur strukturat vasale ish-komuniste zbatonin urdhrat e Beogradit, por paralelisht me to në formë legale dhe gjysmë-legale shumë udhëheqës të niveleve të ndryshme shfrytëzonin të gjitha hapësirat e mundshme politike për të ngritur vetëdijen për domosdoshmërinë e fitimit të të drejtave të barabarta për shqiptarët. Mënyra më e mirë ishte bashkëpunimi me Republikën e Shqipërisë. Filluan të mbahen koncerte muzikore, të importohen libra të ndryshëm nga Shqipëria, të shfaqen filma shqiptar, drama shqiptare, të përcillen radiot e Shqipërisë dhe aty ku kishte mundësi edhe televizioni shqiptar . Në anën tjetër edhe veprimtaria ilegale kishte ndikim të jashtëzakonshëm për orientimin e drejtë të masave popullore.
Të gjitha këto së bashku ndikuan që të formohet një klimë e volitshme politike për të vazhduar në një shkallë edhe më të lartë artikulimi i kërkesave për të drejtat të cilat na i mohonin jugosllavët dhe shërbëtorët e tyre shqiptarë, që punonin nën urdhrat e tyre. Kështu kur erdhi koha e demonstratave të vitit 1981, ishte ngritur aq shumë vetëdija kombëtare sa që ato në mënyrë masive u përkrahën nga popullata shqiptare. Nuk duhet harruar se këto ngjarje ishin udhërrëfyese edhe për ngjarjet në Poloni dhe shtete të tjera të cilat ndikuan që të zgjohen nga gjumi shumë popuj dhe ta kuptojnë se e drejta për të jetuar të lirë është e drejtë e cila nuk konsumohet kurrë.
Përpos aspekteve historike, pozitës gjeostrategjike e gjeopolitike, çka tjetër ishte dhe mbetet e pafavorshme për zgjedhjen së drejtë të çështjes shqiptare në Evropën juglindore?
Fehmi Hajrullahu: Historia e popullit shqiptar është një luftë e pandërprerë për çlirim. Po ta analizojmë hartën e Evropës vërejmë tri grupime të mëdha shtetesh:
Shtetet e dalura nga sllavët.
Shtetet e dalura nga fiset e ndryshme gjermane.
Shtetet latine.
Shqiptarët nuk i përkisnin asnjë blloku shtetesh të tilla andaj ata përbuzeshin. Lufta për të mbrojtur identitetin e vet ishte e pandërprerë dhe kjo i kushtoi shumë. Edhe sot ne po kemi probleme jashtëzakonisht të mëdha për të ecur përpara drejt realizimit të të drejtave tona. Vendimmarrësit ndërkombëtar dhe këta vendorë nuk po na lënë të ecim përpara. Jugosllavët më parë sundimin e vet e realizonin nëpërmes njerëzve të cilët i shantazhonte të punojnë për ta, duke iu ofruar mirëqenie, ose edhe duke i shantazhuar përmes kushtëzimeve të ndryshme të UDB – së për të punuar për ta.
Kur jemi te kjo temë, cili është edhe aktualisht roli i politikanëve vendorë në këtë situatë komplekse që po kalojmë?
Fehmi Hajrullahu: Mjerisht edhe sot ne po udhëhiqemi nga njerëz të cilët në ndonjë formë apo tjetër janë të shantazhuar, andaj kemi një situatë kur nuk ka zhvillim të duhur ekonomik, kur fjala bie edhe një pakicë serbe me jo më shumëse katër për qind të popullsisë, luajnë me Kosovën sikur macja me miun. Ëndrrat e shumë gjeneratave për ndërtim të qëndrueshëm të mekanizmave shtetërorë, të institucioneve shtetërore, të një jete më të drejta dhe mirëqenie sociale, të një arsimimi kualitativ profesional e akademik nuk po realizohen. Nevoja për të organizuar mekanizma shtetërorë nuk po lejohen nga ndërkombëtarët, të cilët për interesa tjera gjeostrategjike e gjeopolitike marrin parasysh interesat (neo)kolonialiste të fqinjëve sllavë, duke u bërë kështu edhe pengesa kryesore për pengimin e integrimin ndërshqiptar dhe bashkimin e natyrshëm në të gjitha fushat ekonomike, kulturore, shoqërore e politike të trojeve shqiptare. Kjo nuk po avancohet edhe shkaku i udhëheqësve vendorë, të cilët janë zhytur thellë në korrupsion e kriminalitet dhe të cilët për të nxjerrë përfitime e prestigje personale, apo edhe për të shpëtuar veten, janë bërë vegla të politikave armiqësore të të huajve. Shqiptarët e Evropës juglindore posedojnë të gjitha mundësitë, potencialet, resurset e kapacitetet me pas një jetë më të begatshme për vendin dhe popullin e vet, por mjerisht për shkak të këtyre rrethanave krahasohemi me shtetet më të varfra botërore.
Si do të duhej, sipas mendimit tuaj të veprohej më tej drejt integrimeve të gjithmbarshme ndërshqiptare?
Fehmi Hajrullahu: Nevoja për integrime ndërshqiptare është rrugë që nuk mundë ta ndalë askush. Historia na mëson se vetëm kjo rrugë ofron ardhmërinë. Republika e Shqipërisë me kushtetutë e ka obligim kujdesin për të gjithë shqiptarët. Është e nevojshme të fillohet nga dhënia e dyshtetësisë për të gjithë shqiptarët, pastaj një shkollim nga abetarja e përbashkët deri te shkollimi universitar i përbashkët, integrimet ndërshqiptare kulturore dhe sportive, mbajtja e tribunave të ndryshme shkencore për të arsyetuar nevojën e bashkimit kombëtar, për të mirat që sjellë ai duke filluar nga zhvillimi ekonomik, mirëqenia sociale, kujdesi shëndetësor, etj. Ne jemi popull tepër i vogël për të jetuar të ndarë. Duhet filluar që të formohen parti me synime të përbashkëta kombëtare në të gjitha trojet shqiptare, parti të cilat frymojnë njëjtë sa i përket interesave te vendit dhe kombit.
Kjo është në të mirë jo vetëm të shqiptarëve, por edhe të evropianëve, sepse nuk ka kurrfarë logjike që ne të kemi shumëçka të shumëfishtë, apo fjala bie së paku dy vota shqiptare, ndërsa gjermanët, francezët, italian.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj dhe Ministria e Zhvillimit Rajonal nënshkruajnë Memorandum për bashkëpunim në Zhvillimin Rajonal

Rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), Prof. Dr. Agron Bajraktari, dhe ministri i Ministrisë të...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img