19,03,2024

Rexhep Bislimi Hero, meteor që nuk shuhet kurrë

Must Read

Skruan: Ilir Haliti

Një shok veprimtarie, të cilin nuk mund ta harroj  kurrë është Rexhep Bislimi. Po ashtu në mesin tonë ishte i pandashëm edhe veprimtari,  Isak Maloku, i fshatit Batllavë të Llapit. 

Më Rexhep Bislimin u njoha, nëse nuk gaboj, në vitin 1990 në qytetin e Ferizajt ku jetonte ai. Nuk më kujtohet se cilat qenë rrethanat e njohjes sonë dhe as personi që na njohu. Di vetëm se Rexha që ishte shumë më i ri se unë që në takimet e para më bëri përshtypje për përcaktimin e tij kombëtar  dhe vendosmërinë për të bërë shumë më shumë së sa behej  nga partitë legale që u krijuan më shpejtësi  në këtë vit dhe përshtypje më bëri po ashtu  qëndrimi i tij kritik  edhe ndaj lëvizjes ilegale, e cila në këtë kohë ndodhej në një gjendje konfuzioni. Prirjet e Rexhës dukeshin qartë ai nuk besonte aspak në alternativën politike, sikur quhej atëherë me një term përmbledhës spektri  partiak legal  i sapokrijuar, sepse këto parti në programet dhe në veprimtarinë e tyre politike në sytë e Rexhës nuk bënin pothuajse asgjë dhe prej tyre nuk mund të pritej as në të ardhmen ndonjë kontribut substancial për çlirimin e Kosovës. Nëse në takimet  e para këto vlerësime  politike për partitë dhe lëvizjen  ilegale i kishte formuluar me një gjuhë të kujdesshme, më vonë, në takimet dhe veprimtarin tonë të përbashkët Rexha i formulonte me një gjuhë tepër kritike. Duke ditur që kisha  qenë shok i Fahri Fazliut dhe angazhimit të tij, ai gjithnjë e më shpesh më thoshte se Kosovës sot i duhen njerëz  të vendosur të pushkës si Fahriu e Afrimi dhe jo pallavragji që kujtojnë se dëbimi i Serbisë do të ndodh me llafe e muhabete nëpër kafe.

Politika nuk bëhet kështu, thoshte ai, por ndryshe, ashtu sikur bëhet në pjesën veriperëndimore të shtetit ku atëher bënim pjesë. Nga sllovenët dhe kroatët duhet të mësojmë dhe jo të rrimë duke pritur mrekullinë  e lirisë që do të vij vetvetiu, pa derdhur gjak për të. Rexha ishte i vetëdijshëm se shumë njerëz të orientimeve të ndryshme politike se çlirimi i Kosovës do të ishte një proces i vështirë, i gjatë e i mundimshëm dhe domosdoshmërishtë i kondicionuar nga aktiviteti ushtarak, i armatosur i shqiptarëve. Pa këtë komponent të dhunës çlirimtare ndaj strukturave ushtarake e policore të Serbisë që ishin instrumente që gjeneronin dhunë të përditshme në Kosovë as që mund të mendohej, sipas tij, shteti i ardhshëm i Kosovës apo bashkimi i Kosovës me Shqipërinë. Në atë kohë në qarqet politike që lidheshin me rezistencën e një dhjetëvjeçari me pare më shumë flitej për bashkimin me Shqipërinë se sa për shtetin e Kosovës në formën siç ekziston ai sot. Gjithmonë ekzistenca e këtij shteti nëse do të krijohej, përfytyrohej në vitet 90  si një stad i përkohshëm paraprijës i bashkimit me shtetin e Shqipërisë. Në shumë takime që kam pasur në këtë kohë, në vitin 1990,1991 e 1992,Rexha vinte shpesh tek unë në Komogllavë, çështja kryesore për të cilën është biseduar ka qenë puna e sigurimit të armëve .Kishte momente kur Rexha  padurimin e tij e shprehte në mënyrë shumë të ashpër. 

Një ngjarje tjetër e cila më ka mbetur në kujtesë është ajo e verës së vitit 1992. Në Ferizaj policia serbe kishte vrarë një fëmijë shqiptar, Fidan Brestovci ,të cilin e kishte vrarë krimineli ,Boban Krstiq. Kjo vrasje Rexhën e pati irrituar pa masë. Ai donte që ta vriste Krstiqin, Rexha planifikonte aksion të armatosur, një atentat ndaj tij.

Për këtë punë pat ardhur në Komogllavë që të këshillohej me mua, por unë nuk mund ti thoja bëje apo mos e bëjë këtë vrasje.

Për këtë aksion kërkohëj këshillim me njerëz që ishin më të informuar së unë , njërëz që ishin pjesëtare  në struktura të organizuara, prandaj vendosëm të shkonim në Shqipëri ku mendonim se mund të takoheshim me njerëz që do të na 

këshillonin se a mund të fillohej me aksione të armatosura kundër policisë serbe dhe konkretisht me atentate ndaj  kriminelëve që kishin  filluar të vrisnin edhe fëmijë shqiptarë, sikur kishte ndodhur ato ditë me fëmijën Fidan Brestovci.

Së bashku më Rexhep Bislimin jemi nisur për në Shqipëri, nga Ferizaj, me autobus për në Maqedoni. Në Shkup kemi arritur në mbrëmje. Dukë qenë se nuk kishte lidhje direkte për në Shqipëri, kemi vendosur të udhëtojmë për Tetovë .Rastësisht në autobus jemi  njoftuar me një shqiptar nga Tetova i cili ishte kthyer për pushime nga Berlini ku punonte me familjen  e tij.

Derisa ne bisedonim me Rexhën se ku do të kalojmë natën në Tetovë miku të cilin u njoftuam në autobus na ftoi në shtëpinë e tij. Kjo ishte familja Luma, familje e njohur për mikpritje e bujari. Nuk  e harroj kurrë pritjen  që na bënë. Të nesërmen na përcollën deri në stacion të autobusëve në Tetovë.

Së bashku më Rexhën vazhduam rrugën për në Shqipëri, më autobus shkuam deri në Qafë Thanë. Aty morëm një taksi. Në Durrës kemi banuar te arsimtari Bruno Kotorri. Në këtë kohë patëm disa takime ku kërkuam mendimin e disa njerëzve që mendonim se mund të na orientonin më drejt se si të veprojmë në rastin konkret ku u vra një fëmijë nga një polic serb që njihej  me emër dhe mbiemër. Ishte një rast i rrallë për ti dhënë një përgjigje të duhur kësaj dhune të shfrenuar antishqiptare duke vrarë një kriminel që vriste në emer të shtetit të tij që jepte shenjat e para të asaj që do të ndodhte më vonë. Në të njëjtën kohë u interesuam edhe për mundësinë e sigurimit të armëve dhe transportimin e tyre në Kosovë. Insistimi i Rexhës për të filluar me aksione të armatosura nga bashkë biseduesit tanë nuk u përkrah. Kundërshtimet ishin energjike. Thuhej se nuk është koha për aksione të tilla, se do të cilësoheshim si tradhtar nga spektri politik  dhe se aksione të tilla të armatosura do ti shërbenin Serbisë për të masakruar patriotët kosovarë. Më fjalë të tjera , gjithë kjo punë quhej një aventurë e madhe dhe e rrezikshme. Vetë Rexha mbeti i dëshpëruar, jashtëzakonisht i dëshpëruar për refuzimin e kësaj mundësie që, sipas tij, mund të ndryshonte rrjedhën e ngjarjeve në Kosovën që ishte kthyer në një moral politik që kuturbonte.

Gjatë bisedave me Rexhën, para dhe pas kthimit nga Shqipëria, ai thoshte shpesh se duke lexuar gazeta nuk largohet shkau  prej Kosove. Sipas Rexhës, duhet veprim i guximshëm dhe jo pritje pasive, pa bërë as një lloj përgatitje për kohët e vështira  që kemi para. Është koha për të ndjekur shembullin e Fahri Fazliut e Afrim Zhitisë, të cilët ranë me armë në dorë më 2 nëntor 1989 në Breg të Diellit në Prishtinë.

Për Rexhën ky ishte modeli i veprimit dhe jo llafet të kota të një politike që përditë e më shumë po e humbiste kontaktin me realitetin me atë realitet ku edhe fëmijët nuk kurseheshin nga plumbat e policisë. “Në fillim ishte veprimi me këtë fjali fillon  një nga veprat më të rëndësishme të letërsisë botërore drama e Wolfgang Goethes „Fausti“. Dhe Rexha ishte njeri  i veprimit në kuptimin e mirëfilltë të kësaj fjale .Ai ishte i bindur se me veprimin e armatosur hapej shtegu i lirisë. Dhe ashtu sic mendonte  veproi  deri në fund të jetës së tij, Rexhep Bislimi, luftëtari i vërtet  i kauzës së madhe të kombit shqiptar.

Lavdi luftës HEROIKE të Rexhep Bislimit!

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Voziti me patentë të konfiskuar, gjobitet 25-vjeçari me 300 euro dhe i vazhdohet masa për 6 muaj të tjerë

Është gjobitur një 25-vjeçar në Ferizaj, i cili u zu nga policia duke vozitur kur atij iu kishte ndaluar...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img