25,04,2024

Problemi i fabrikës së përpunimit të gomës nga fshati Mirosalë shkon  në Kuvendin e Kosovës

Must Read

Në një takim  të këshillave të tre fshatrave, Mirosalë, Dardani dhe Zllatar e ku mori pjesë edhe Drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit Faik Grainca  pas shumë diskutimeve u vendos që ky problem të bartet  në Kuvendin e Kosovës, përkatësisht në komisionin për Mbrojtje të Ambientit pranë Kuvendit të Kosovës.

Shqetësimi i banorëve të Mirosalës rreth ndotjes së ambientit  nga fabrika e përpunimit të gomës ka bërë që këtë të martë të mblidhen  këshillat e tre fshatrave, Mirosalë, Dardani dhe Zllatar e ku ishin të ftuar edhe Drejtori i Urbanizmit Faik Grainca dhe inspektori Komunal.

Në këtë takim  Grainca i njoftoi të pranishmit për të gjithë hapat që i ka marrë Qeveria Komunale në  drejtim të zgjidhjes së këtij problem.

Drejtori i Urbanizmit të Ferizajt Faik Grainca tha se të gjitha veprimet që kanë qenë në kompetenca të komunës  i ka ndërmarrë.

“Nga moment kur unë kam marrë  këtë Drejtori i kamë marrë të gjitha veprimet që kanë qenë në kompetencave tona. Ne si drejtori edhe  kemi mbyllur këtë  fabrikë. Ata kanë siguruar lejet për punë  e që janë të lëshuar nga një institucion e që ne obligohemi   që të zbatojmë  vendimet e institucioneve. Por  pas shqetësimit të banorëve ne i kemi filluar procedurat  me një institute të pavarur nga Shkupi dhe në bazë të rezultateve do të bëjmë një krahasim se për çka është fjala dhe në bazë të kësaj do të merren veprimet ligjore. Krejt kjo do të bëhet me qëllim të zgjidhjes së problemit të këtyre banorëve.” tha Grainca.

Grainca tha se asnjëherë nuk ka deklaruar se ky objekt  ka leje por  leja e ndërtimit nuk ka të bëjë asgjë me veprimtarinë që zhvillohet.

“Nëpër fshatra po edhe në qytet ka plotë objekte  ku zhvillohen veprimtari që nuk kanë leje ndërtimore por zhvillohet biznesi, por kjo nuk është arsye që të mbyllet veprimtaria. E vetmja arsye është  nëse ka  ndotje të ambientit e për të cilat kompetent është Ministria e Ambientit” ka thënë Grainca.

14642681_10208867723948709_1320998162_n

Halili tha se ka kontaktuar me deputetët ferizajas në Kuvendin e Republikës së Kosovës por për shkak të seancës e cila ka qenë e paraparë nuk kanë mundë të vinë në këtë takim.

Asamblisti komunal  Fadil Halili  tha se për këtë tubim ka ftuar edhe deputet e rajonit të Ferizajt në Parlamentin e Kosovës.

“Kam kontaktuar me deputetët e rajonit të Ferizajt por për shkak te seancës së Kuvendit nuk kanë  pas mundësi të vinë por kanë shprehur gatishmërinë që gjithçka që është në mundësit e tyre do të bëjnë që ky problem të zgjidhet” tha Halili.

Ndërsa asamblisti Xhevat Sallahu, njëherit kryetar i fshatit Zllatar tha se  analizat duhet të jenë profesionale dhe të  analizohen substancat që lirohen gjatë këtyre djegieve.

“Gjatë djegies se këtyre gomave lirohen substance  helmuese dhe grimca të cilat   mundë të jenë  helmuese jo vetëm për njerëzit por edhe për botën bimore.Prandaj kushdo që do të bëjë këto analiza  duhet të jetë profesional dhe tu tregoi banorëve se  sa janë të rrezikuar nga  gazrat e kësaj fabrike” ka thënë Sallahu.

Në këtë tubim ishte edhe Fazli Shabani, koordinator i nënkomiteteve  pranë LVV , Qendra në Ferizaj, i cili tha se në këtë rast. Komuna  është ajo që mundë të marrë masa në ndalimin e kësaj veprimtarie.

Shabani tha se fabrika për të cilën po diskutohet nuk ka leje ndërtimi   dhe komuna sipas ligjit është ajo e cila mund të ndalë këtë veprimtari  dhe ndoshta edhe të rrënoi objektin.

“I njëjti ligj i cili i ka dhënë lejen pronarit po ai ligj u jep kompetenca Komunës të ndaloi veprimtarin  e cila rrezikon shëndetin apo bënë ndotjen e ambientit” tha Shabani

“Ministria i ka dhënë leje për ushtrimin e veprimtarisë  por nuk i ka dhënë leje se atë mund ta zhvilloi në mes të fshatit. Prandaj  kjo është pjesë e Komunës që  të caktoi vendin se ku mundë të ndërtohet” ka thënë Shabani.

14658447_10208867723548699_2041069657_n

Me këtë rast  banorët e Mirosalës  para Drejtorit Grainca  treguan problemet  të cilat sipas tyre po u shkakton kjo fabrikë.

“Si pasojë e kësaj ndotje të ambientit  unë kam humbur 13 koshere të bletëve, e për këtë kanë qenë dëshmitar edhe një  komision nga Prishtina” tha Shefqet Shala.

Por  Ilaz Shala i cili thotë se e ka shtëpinë më së afërmi fabrikës thotë se nëse vazhdon kjo ai me familje e ka të pamundur jetën aty.

“Unë do të pres edhe katër ditë   dhe nëse nuk ndërmerret asgjë  do të shpërngulem  me familje nga këtu” tha Ilaz Shala.

Në fund të këtij takimi nga kryetari i fshatit Zymer Berisha  doli edhe  propozimi që edhe një herë të  provohet  ana ligjore e zgjidhjes së këtij problem.

“ Pas gjithë këtyre diskutimeve si përfundim ne do të  bëjmë një listë me nënshkrime (një lloj kërkese apo Peticioni) dhe ti drejtohemi  Komisionit Parlamentar  për Mbrojtjen e Ambientit pranë Kuvendit të Kosovës” tha Berisha.

Pritet që brenda dy ditësh  të grumbullohen  nënshkrimet dhe  së bashku me kërkesën për shqyrtimin e këtij rasti të dorëzohen në këto organe  ku sipas të pranishmëve  është  rasti i fundit që presin  zgjidhje të këtij problemi.

 

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Shënohet Dita e Shkollës dhe përurohet Salla e Sporteve në shkollën “Astrit Bytyqi”në Ferizaj

Gjatë ditës së sotme është bërë shënimi i Ditës së Shkollës “Astrit Bytyqi” si dhe u përurua Salla e...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img