24,04,2024

Pritja për stenta u kushton me jetë 8 pacientëve në QKUK

Must Read

Deri para tre muajve në listat e pritjes së Qendrës Klinike Universitare të Kosovës për stenta dhe koronarografi kanë qenë hiç më pak se 1 mijë e 52 pacientë. Por, ky numër në janarin e këtij vitit ka rënë në 74 pacientë. Kjo pas rishqyrtimit të listave që Klinika e Kardiokirurgjisë së QKU’së e ka bërë gjatë këtij muaji. Shumica e pacientëve i kanë kryer koronarografitë dhe stentimet jashtë vendit apo në spitalet private. Në të njëjtën kohë nga lista e pritjes 8 pacientë kanë vdekur, megjithëse shkaqet e vdekjes së tyre nuk lidhen domosdoshmërisht me pritjet për stenta dhe koronarografi.

Në Klinikën e Kardiologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, për ndihmë mjekësore për koronarografi dhe stenta, janë duke pritur 74 pacientë. Ndërkaq, numri i tyre në dhjetorin e vitit që lamë dhe që kanë pritur për këtë punë ka qenë pothuaje 15-fish më i madh, duke shkuar deri në 1 mijë e 54 pacientë.

Sipas drejtuesve të Klinikës, shumica nga këta pacientë i kanë kryer shërbimet mjekësore në spitalet private, por edhe jashtë vendit.  Në të njëjtën periudhë, nga ky numër 8 pacientë kanë vdekur, ndonëse vdekja e tyre nuk lidhet patjetër me listën e pritjes për stenta.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Klinikës së Kardiokirurgjisë dhe Kardiologjisë Invazive në QKUK, Tefik Bekteshi, ka shpjeguar për Gazetën Express rreth listës së pritjes për stenta, si dhe për kushtet me të cilat ballafaqohet klinika që ai drejton.

“Lista e pritjes para 3 muajve ka qenë 1 mijë e 52 pacientë. Tani i kemi 74 pacientë në listë. Ne i kemi hyrë revidimit të listës, i kemi thirrur pacientët. Një numër i madh i tyre e ka kryer koronarografinë në spitale private, apo jashtë shtetit. Por, ne po mundohemi që në asnjë mënyrë mos ta anashkalojmë këtë listë të pritjes”, ka deklaruar Bekteshi për Express.

Drejtori i Klinikës thotë se kjo listë është reduktuar shumë pas furnizimit me material të nevojshëm për punë.

I pyetur se a ka ndonjë pacient që ka qenë në listën e pritjes për stenta dhe që ka ndërruar jetë, Bekteshi njofton se janë 8 pacientë të tillë, por që shkaku i vdekjes së tyre nuk dihet.

“Prej krejt këtyre kanë vdekur 8 pacientë. Lista ka qenë që nga viti 2016. Vdekjet kanë qenë nga tipe të ndryshme. Nuk e kisha komentuar atë, sa i përket mungesës së koronarografisë”, ka thënë Bekteshi.

Kohët e fundit në Kardiologjinë e QKUK’së ndihmë mjekësore për koronografi dhe stenta kërkojnë mbi 10 pacientë në ditë.

Sipas kardiologut, Tefik Bekteshi, furnizimi me barna e material shpenzues në këtë klinikë, kohët e fundit është përmirësuar dukshëm.

“Në kardiologjinë invasive, kushtet e punës janë relativisht të mira. Kemi katër vende ku mund t’i pranojmë pacientët nga lista e pritjes. Kemi një sallë të renovuar me një aparat të servisuar dhe sallat janë në nivel”.

Gjatë vitit 2017 më shumë se 600 kosovarë kanë aplikuar për ndihmë financiare për shërim jashtë institucioneve shëndetësore në Kosovë. Sipas të dhënave që posedon Express, për kardiologji kanë aplikuar 553 kosovarë me afro 1 milion e 8 mijë euro të shpenzuara për ta. Për Kardiokirurgji janë shpenzuar 475 mijë e 55 euro.
Gjithshtu, gjatë gjithë vitit të kaluar, për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore kanë aplikuar rreth 2.000 qytetarë të cilët kanë kërkuar përkrahje financiare. Sipas drejtorit Bekteshi, për këto shërbime janë shpenzuar 13 milionë euro./GazetaExpress/

 

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Shënohet Dita e Shkollës dhe përurohet Salla e Sporteve në shkollën “Astrit Bytyqi”në Ferizaj

Gjatë ditës së sotme është bërë shënimi i Ditës së Shkollës “Astrit Bytyqi” si dhe u përurua Salla e...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img