28,03,2024

Pezullimi i Ligjit për Paga ngjall reagime politike dhe veprime sindikale

Must Read

Gjykata Kushtetuese me anë të një njoftimi ka treguar se ka pezulluar deri më 30 mars të vitit 2020 zbatimin e Ligjit për Paga.

Pas hyrjes në fuqi të tij, institucioni i Avokatit të Popullit e ka dërguar atë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e përputhshmërisë së Ligjit.

“Gjykata, pa paragjykim ndaj meritave të kërkesës dhe të kushtetutshmërisë së Ligjit të kontestuar, në mbështetje të nenit 116.2 të Kushtetutës, të nenit 27 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe të rregullit 57 të Rregullores së punës, vendosi, me shumicë votash, që: I. TË MIRATOJË masën e përkohshme në kohëzgjatje deri më 30 mars 2020, nga data e nxjerrjes së këtij vendimi; II. TË PEZULLOJË MENJËHERË zbatimin në tërësi të Ligjit nr. 06/L-111 për Pagat në Sektorin Publik, në kohëzgjatje të njëjtë”, thuhet në arsyetimin e Gjykatës Kushtetuese, përcjell Telegrafi.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Shkencës së Kosovës (SBASHK) dhe Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, të cilat ditën e premte janë mbajtur greva në disa shkolla të Kosovës dhe në disa klinika të Qendrës Klinike Universitare, me kërkesën drejtuar institucioneve që të punësuarit në arsim dhe gjithë të tjerët pagën e dhjetorit ta marrin bazuar në Ligjin e Pagave.

Por, disa shkolla fillore në Prishtinë nuk i janë përgjigjur ftesës së SBASHK-ut për greva, me arsyetimin se më së shumti e pësojnë nxënësit.

Me nisjen e veprimeve sindikale, nga politika kanë ardhur një varg reagimesh.

Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj lidhur me pezullimin e Ligjit për Paga, ka thënë se është në përputhje me Kushtetutën.

“Me rëndësi është që edhe pse ka një vendim për pezullim të Ligjit që Gjykata Kushtetuese ta përshpejtojë marrjen e një vendimi. Pra, koha e pezullimit nuk është obligative nëse vjen vendimi, pra në momentin që vjen vendimi ta zëmë nëse Gjykata Kushtetuese e pranon si kushtetues ligjin atëherë menjëherë hyn në fuqi, pra është shumë më rëndësi që të shkurtohet koha e marrjes së vendimit sepse është një temë e ndjeshme. Unë e kuptoj edhe shqetësimin e të gjithëve që kanë paralajmëruar ose kanë filluar greva, por shpresoj shumë që Gjykata Kushtetuese pra në afatin më të shkurtër të mundshëm kohor do të merr vendim, sepse ky Ligj besojmë është jo vetëm kushtetues po shumë i drejtë dhe është legjitim si Ligj”, ka thënë Haradinaj, përcjell Telegrafi.

Mirëpo, ngjashëm për Ligjin nuk mendon lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, duke thënë se duhet një Projektligj i ri që e ndryshon dhe e plotëson aktualin, në mënyrë që pabarazitë të eliminohen.

Kurti thotë se i vjen keq që ndodhen në këtë situatë, pasi Ligji i ri i Pagave pat lënë shumë njerëz të pakënaqur, ndërsa edhe ata që u patën gëzuar tash janë të pakënaqur.

“Ne as si deputetë, as si qeveri nesër nuk mund t’i dalim përballë vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe jemi në pritje të aktgjykimit dhe të gjitha që thuhen aty do t’i adresojmë. Me këtë Ligj, shoferi i kryeparlamentarit e ka pagën më të lartë se drejtori i shkollës. Andaj pabarazitë janë të papranueshme dhe duhet të adresohen”, ka thënë ndër të tjera Kurti.

Ndërsa, ministri në detyrë i Shëndetësisë, Uran Ismaili ka thënë se vendimi i Kushtetueses është sa zhgënjyes aq edhe frustrues.

Ai përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se ky vendim rrezikon tej mase përpjekjet për ndaljen e ikjes së profesionistëve shëndetësorë nga vendi ynë.

“Jam jashtëzakonisht i zhgënjyer me pezullimin, zvarritjen dhe rezistencën që po i bëhet këtij ligji. Profesionistët shëndetësorë nuk e meritojnë këtë trajtim”, ka shkruar Ismaili, përcjell Telegrafi.

Kujtojmë se deputetët e legjislaturës së fundit të Kuvendit të Kosovës me 62 vota për, asnjë kundër dhe 1 abstenim, në muajin shkurt të këtij viti, kishin miratuar Ligjin për Pagat në sektorin publik.

Ligji pritej të rregullonte pagesën e të punësuarve që marrin rroga nga buxheti i shtetit, ku koeficienti më i lartë është 10 dhe më i ulëti është 1 dhe vlera monetare e koeficientit për vitin e parë do të jetë 239 euro.

Sipas afateve të parapara në Ligj, nga muaji dhjetor i këtij vitit, punëtorët e sektorit publik pritet të marrin pagat me rritje.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Prof. Asoc. Dr. Arbresha Meha sjell inovacion dhe praktika të mira të bashkëpunimit ndërmjet akademisë dhe industrisë nga Austria në Kosovë

Në një kohë kur bashkëpunimi ndërmjet akademisë dhe industrisë po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për zhvillimin e...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img