24,04,2024

Përkujtohen dëshmorët Rexhep Bislimi dhe Kadrush Ilazi

Must Read

Ferizaj.21.07.2018. Paraditen e sotme, Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Elmi Reçica, Kryesuesja e Kuvendit të Komunës, Kristina Gashi – Bytyçi, drejtorë komunale, drejtues të Rinisë Demokratike të Kosovës nga niveli qendror dhe lokal, familjarë të dëshmorëve, përfaqësues të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Ferizaj dhe qindra qytetarë bën homazhe pranë shtatores së Heroit të Kosovës, Rexhep Bislimi si dhe në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit të UÇK-së në Ferizaj në nderim të jetës dhe veprës së Heroit të Kosovës, Dëshmorit të Kombit, Rexhep Bislimi dhe Dëshmorit të Kombit, Kadrush Ilazi.

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu duke e vlerësuar lartë sakrificën e Heroit të Kosovës, Rexhep Bislimi dhe Dëshmorit të Kombit Kadrush Ilazi u shpreh se ishte vepra e tyre që trasoi rrugën e lirisë, mëvetësisë dhe zhvillimit të vendit.

“Në 20 vjetorin e rënies heroike të Heroit të Kosovës, Rexhep Bislimi dhe në 19 vjetorin e rënies heroike të Dëshmorit të Kombit, Kadrush Ilazi, kujtojmë sakrificën, gjakun e derdhur për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Vepra e Dëshmorëve të Kombit është rruga e trasuar drejt ëndrrës së gjithë shqiptarëve, mëvetësisë, lirisë dhe zhvillimit. Lavdi bijve dhe bijave më të shtrenjtë të kombit shqiptar, Dëshmorëve të Kombit dhe të rënëve për liri!” tha i pari i Ferizajt, Agim Aliu.

Në anën tjetër, me emocione gëzimi dhe krenarie, dhembje dhe kujtimi, djali i Heroit të Kosovës, Rexhep Bislimi, Fisnik Bislimi falënderoi të pranishmit sot në homazhe duke theksuar këto 20 vite ishin vite krenaria, dhembje dhe kujtimi.

“Sot është një ditë e veçantë, ditë kjo që shënon përvjetorin e 20-të të rënies së komandantit të parë për Ferizaj dhe rrethinë, prindit, Rexhep Bislimi dhe njëkohësisht Dëshmorit të Kombit, Kadrush Ilazi i cili shënon përvjetorin e 19-të të rënies heroike të tij. Më lejoni fillimisht t’iu them që kaluan 20 vite nga periudha e luftës, 20 vite dhembje, 20 vite me kujtimet për më të dashurve tanë por njëkohësisht edhe 20 vite krenari dhe kokë lartë, duke kujtuar që kjo liri kushtoi aq shumë dhe duke mos harruar që për këtë liri ranë shumë dëshmorë dhe luftëtarë të lirisë. Falënderoj të gjithë të pranishmit në homazhe, miq, shokë, dashamirë që ishin afër nesh duke na nderuar, duke nderuar dëshmorët e lirisë, duke nderuar veprat e tyre, duke nderuar shtetin e tyre. Lavdi Dëshmorëve të Kombit dhe gjithë të rënëve për liri!” tha djali i Heroit të Kosovës, Rexhep Bislimi, Fisnik Bislimi.

Edhe Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të Kombit në Ferizaj, Gafurr Bytyçi, i emocionuar, vlerësoi lartë sakrificën e Dëshmorëve të Kombit, Rexhep Bislimi dhe Kadrush Ilazi.

“Jam i emocionuar sepse djali i tij reflektoi në mënyrë të shkëlqyeshme. Rëndë e ka pa prindin, rëndë ne e kemi pa dëshmorët, mirëpo krenaria ja vlen që i kemi pas ata dëshmorë, se po mos të ishte lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe rënia e dëshmorëve, ne do të ishim nën juridiksionin e Serbisë dhe për fat të mirë, për fat të ideatorëve të luftës si Rexhep Bislimi, Kadrush Ilazi dhe të gjithë dëshmorët tjerë, sot Serbi në Kosovë nuk ka” tha Bytyçi.

Me vendosjen e kurora lulesh dhe përkuljen para varreve të Dëshmorëve të Kombit Rexhep Bislimi dhe Kadrush Ilazi si dhe para lapidarit të Dëshmorëve të Kombit në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit të UÇK-së në Ferizaj, përfunduan homazhet në përkujtim të 20 vjetorit të rënies heroike të Dëshmorit të Kombit – Rexhep Bislimi dhe 19 vjetorit të rënies heroike të Dëshmorit të Kombit, Kadrush Ilazi

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Arrestohet ish-zyrtari i gjendjes civile në Ferizaj, regjistroi shtetasin turk pa i plotësuar kriteret

Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Ferizaj, pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore për një periudhë kohore,...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img