16,04,2024

Obama: NATO të ndryshojë për t’iu përshtatur rrethanave në terren

Must Read

Presidenti amerikan ka folur për nevojën që aleanca veri-atlantike të ndryshojë për t’iu përshtatur rrethanave të reja në terren, pas samitit dy ditor të NATO-s ku u diskutuan tensionet me Rusinë, rrezikun nga grupi militant Shteti Islamik dhe vazhdimi i misionit të trupave të huaja në Afganistan.

Obama gjatë konferencës me gazetarë e ka përmendur agresionin rus në Ukrainë si një nga sfidat më të rënda humanitare, politike dhe të sigurisë me të cilat përballet NATO.

“Ky është moment tejët i rëndësishëm për aleancën tonë” ka thënë Obama duke shtuar se përkushtimi i Uashingtonit për “sigurinë dhe mbrojtjen e Europës është i patundur”.

Ky është samiti i fundit i NATO-s që Obama merr pjesë si president derisa mandati i tij përfundon në muajin janar.

Presidenti amerikan ka thënë se aleanca mbrojtëse e perëndimit është pajtuar për përforcimin më të rëndësishëm të mbrojtjes kolektive prej Luftës së Ftohtë duke vendosur në favor të katër batalioneve shtesë në kufirin lindor të NATO-s me Rusinë.

“Ajo që megjithatë nuk do të ndryshojë është përkushtimi i palëkundur i Shteteve të Bashkuara për sigurinë dhe mbrojtjen e Europës”, ka thënë Obama në Varshavë.

Lideri amerikan e ka hedhur poshtë mundësinë që marrëdhëniet e perëndimit me Rusinë t’i kthehen normalitetit derisa të zbatohet në tërësi marrëveshja e paqes me Ukrainën.

Presidenti amerikan iu ka kujtuar gazetarëve se kur ka ardhur në pushtet, SHBA-të kishin numër tejët të madh të ushtarëve në front në Afganistan, ndërsa ishte administrata e tij që e zvogëloi këtë numër në mbi 8 mijë ushtarë.

Forcat afgane sipas tij nuk kanë qenë as për së afërmi kaq të përgatitura sa janë sot, ka thënë Obama para gazetarëve në Varshavë, ndonëse sipas tij është e qartë se forcat afgane vazhdojnë të kenë nevojë për përkrahje.

Më tutje, presidenti amerikan, Barack Obama ka shprehur keqardhjen për “javën e rëndë” për Shtetet e Bashkuara, pas disa incidenteve të dhunshme që kanë ngarkuar edhe më shumë shoqërinë edhe ashtu të polarizuar amerikane.

Obama i ka komentuar ngjarjet në vendin e tij nga kryeqyteti polak, Varshavë, ku ai mori pjesë në samitin dy ditor të NATO-s, dy ditë pasi një person i armatosur ka vrarë pesë policë në Dallas të Teksasit.

Policët e vrarë po e monitoronin një protestë që u thirrë si përgjigje ndaj dy rasteve kur policë të bardhë vranë dy afrikano-amerikanë në dy qytete amerikane.

Snajperi në Dallas ka qenë veteran ushtarak afrikano-amerikan i cili derisa e kryente sulmin iu ka thënë policëve se është i zemëruar me vrasjet e kryera nga policët dhe se për këtë kishte cak policët e bardhë.

Obama në Varshavë ka thënë se snajperi ka qenë “individ i çmendur” që nuk përfaqëson shoqërinë amerikane.

Presidenti amerikan megjithatë ka hedhur poshtë se polarizimet e shoqërisë amerikane janë të ngjajshme me ato të viteve 1960, kur protestat e dhunshme me shqetësime racore dhe tensionet e ngjajshme e kanë rënduar vendin.

Presidenti amerikan ka vendosur ta shkurtojë qëndrimin në Evropë pasi në fillim të javës së ardhshme, sipas njoftimeve të Shtëpisë së Bardhë do e vizitojë Dallasin në Teksas.

Ai pas pak do të niset për në Spanjë, sipas agjendës së paraparë në qëndrimin e tij në Evropë.

Megjithatë, njoftimi i Shtëpisë së Bardhë thotë se ai do i shkurtojë aktivitetet e tij në shtetin spanjoll, me qëllim që të kthehet në fillim të javës së ardhshme në SHBA.

Gjatë konferencës me gazetarë në Varshavë, presidenti amerikan ka folur për rëndësinë e pranimit dhe integrimit të migrantëve dhe refugjatëve. Obama ka vlerësuar se edhe vendet pranuese, më sakt ekonomitë e tyre përfitojnë nga pranimi i migrantëve që kanë ikur nga lufta. (REL)

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Në Ferizaj u shënua 16 Prilli-Dita e të Zhdukurve me Dhunë

Me rastin e 16 Prillit - Ditës të të Zhdukurve me Dhunë në Komunën e Ferizajt, Komuna e Ferizajt...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img