25,04,2024

Nesër afati i fundit që të arrijnë votat nga diaspora – përfundon edhe fushata zgjedhore

Must Read

Subjektet politike kanë vetëm edhe dy ditë kohë për të bërë fushatë zgjedhore për zgjedhjet e 14 shkurtit, ndërkaq nesër (12 shkurt) përfundon afati për diasporën që të dërgojnë fletëvotimet e tyre.

Për zgjedhjet parlamentare, subjektet politike kanë pasur kohë dhjetë ditë që të shpalosin para qytetarëve plan-programin e tyre qeverisës dhe kandidatët për deputetë. Përgjatë kësaj kohe, kandidatët për kryeministër të shoqëruar me disa nga kandidatët për deputetë, mbajtën takime të shumta me qytetarë.

Kryesisht, tubimet e subjekteve politike kaluan të qeta dhe deri tani nuk është shënuar ndonjë incident.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Partia Demokratike e Kosovë (PDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Nisma Socialdemokrate, në tubimet e mbajtura deri tani u zotuan para votuesve të tyre se do të fokusohen në shëndetësi, duke përmendur vaksinimin e qytetarëve me vaksinat anti-Covid, e po ashtu u premtua se do të ndihmojnë ekonominë pas krizës së shkaktuar nga COVID-19.

Subjektet politike do të përmbyllin fushatën zgjedhore të premten në mesditë, ndërsa dita e shtune do të jetë heshtje zgjedhore.

Ndërkohë, votimi nga diaspora është duke vazhduar, bashkatdhetarët që kanë pasur të drejtë vote kanë shfrytëzuar tashmë të drejtën e tyre, dhe pakot e fletëvotimeve kanë arritur në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kanë bërë të ditur për Telegrafin se deri më datën 9 shkurt kanë pranuar mbi 14 mijë pako me fletëvotime nga diaspora.

“Sekretariati i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve deri më datën 9 shkurt ka pranuar mbi 14 mijë pako me fletëvotime nga jashtë vendi”, ka thënë kryesuesi i sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj.

Pakot me fletëvotime nga diaspora do të ruhen në ambientet e Ministrisë së Infrastrukturës, dhe më pas më datën 14 shkurt, do të dërgohen në Qendrën për Numërimin e Rezultateve, ku edhe do të bëhet vlerësimi i tyre.

Ndryshe, lista përfundimtare e votuesve brenda vendit për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës të cilat do të mbahen më 14 shkurt, përmban: 1 milion e 794 mijë e 862 emra të votuesve. Pra, në këto zgjedhje janë 143 mijë e 6 votues më pak se në Zgjedhjet për Kuvend të 6 tetorit 2019.

Nga kjo listë janë larguar 122 mijë e 421 votues të cilët posedojnë vetëm dokumente të identifikimit të lëshuara nga UNMIK-u, si dhe për shkak të largimit të 11 mijë e 86 të cilët janë konfirmuar se janë larguar nga skema pensionale për shkak të vdekjes.

Votues nga diaspora janë 102 mijë e 100.

Numri i Qendrave të Votimit në të gjithë vendin është 888 me gjithsej 2 mijë e 382 vendvotime. /Telegrafi/


- Advertisement -spot_img
Të fundit

Gruaja nga Ferizaj denoncon se i është zhdukur burri, deklaron se kishte me vete mijëra euro

Nuk janë të rralla rastet kur qytetarët kërkojnë ndihmën e Policisë për t’i gjetur familjarët e tyre që raportohen...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img