18,04,2024

Nëse Mustafa e rikthen ministrin Mariq, ‘duhet të shkarkohet’

Must Read
Isa Mustafa

Qeveria e Kosovës ditëve të fundit ka marrë kërcënime e ultimatume nga zyrtarët e Qeverisë së Serbisë.

Kryeministri serb, Aleksandër Vuçiq përmes ministrit të tij, Marko Gjuriq ka dërguar “selame” te Qeveria e Kosovës dhe Lista Serbe.

Kreu i qeverisë serbe, Aleksandar Vuçiq ka kërkuar që të shkarkohet ministrja e re në Qeverinë e Kosovës, Mirjana Jetviq dhe aty deri më 31 dhejtor të kthehet tashmë i shkarkuari Ljubomir Mariq.

Analistë politikë thonë se nëse kjo ndodh, kreu i Qeverisë së Kosovës Isa Mustafa duhet të japë dorëheqje.

“Nëse eventualisht një ultimatum i tillë merret parasysh nga Kryeministri i Kosovës, atëherë mendoj se Kryeministri duhet urgjentisht të shkarkohet, ngase kthimi i ministrit të shkarkuar do të thotë se me Kosovën edhe publikisht qeverisë Kryeministri i Serbisë!”, tha analisti Belul Beqaj për KALLXO.com.

Ndërsa për Imer Mushkolajn pranimi i një kërkesë të tillë të Beogradit do të ishte vetëvrasje politike për Isa Mustafën dhe qeverinë e Kosovës.

“Qeveria e Kosovës nuk duhet të pranojë kurrfarë ultimatumi nga Beogradi. Nëse bën një gjë të tillë, kjo do të ishte vetëvrasje politike për të. Ministrat serbë janë ministra të Republikës së Kosovës, e jo të Serbisë, pavarësisht që sillen si ta kishin shef Aleksandër Vuçiqin, e jo Isa Mustafën”, tha Mushkolaj.

Megjithatë Beqaj shprehet i sigurt që Lista Serbe do të veprojë në bazë të kërkesave të Beogradit, mirëpo sipas tij, njëjtë nuk guxon të veprojë edhe Qeveria e Kosovës.

“Lista Serbe do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet që i kërkon Beogardi. Por më e rëndësishme se veprimet e Listës duhet të jenë veprimet e Qeveris. Qeveria duhet të bëjë më në fund të qartë se nuk do të lejojë që të bëhet vegël e manipulimit të Beogradit. Duhet të qëndrojë pas vendimeve të veta dhe të respektojë Kushtetutën dhe ligjet,” tha Beqaj.

Mushkolaj, kërkoi që Isa Mustafa të veprojë në përputhje me kushtetutën.

“Lista Serbe me ndihmën e Beogradit do të provojë të kushtëzojë e sabotojë institucionet e Kosovës, por Kryeministri Isa Mustafa duhet të veprojë sipas ligjit dhe kushtetutës. Në të kundërtën, qeveria e vendit do t’i nënshtrohet vullnetit të Vuçiqit i cili, nëpërmjet Listës Serbe, bashkëqeveris në Kosovë”, tha Mushkolaj.

KALLXO.com deshi të dijë edhe mendimin e Zyrës së Kryeministrit në lidhje me ultimatumin e Vuçiqit, por nuk mori përgjigje prej saj.

Megjithatë, zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Valon Murtezaj reagoi gjatë ditës së djeshme përmes rrjetit social Facebook në lidhje me ato që u thanë në takimin e zyrtarëve të Serbisë me ata të Listës Serbe.

“Përballë përpjekjeve direkte të Qeverisë së Serbisë për ndërhyrje në punët e Kosovës, institucionet e Republikës së Kosovës dhe opozita duhet të qëndrojnë unikë. Po ashtu përfaqësuesit e serbëve në Kosovë duhet ta kuptojnë që në Prishtinë kryhen punët. Beogradi as nuk do të pyetet dhe as dëgjohet asnjëherë, se kush dhe çfarë duhet të bëjë në Kosovë,” shkroi Murtezaj.

Më 16 dhjetor Kryeministri Mustafa shkarkoi ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal Ljubomir Mariq dhe në vend të tij emëroi Mirjana Jevtiqin.

Në një intervistë për mediumin Ekonomia Online, Kryeministri Mustafa kishte deklaruar se nëse Mariq do të ishte një ministër shqiptar do të ishte shkarkuar shumë më herët.

E analisti Belul Beqaj këtë deklaratë të Kryeministrit e sheh si dobësi ndaj pakicës, duke e quajtur edhe si pranim publik të diskriminimit.

Në shkurt të vitit të kaluar Kryeministri Mustafa bëri të ditur largimin nga kabineti qeveritar të një ministri tjetër të Listës Serbe-Aleksandar Jabllanoviqit që drejtonte Ministrinë për Kthim e Komunitete, pasi Jabllanoviq i quajti “egërsira” protestuesit në Gjakovë që në janar të atij viti penguan ritet fetare të ish-qytetarëve serbë nga Gjakova të larguar pas luftës nga ky qytet.

.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj dhe Ministria e Zhvillimit Rajonal nënshkruajnë Memorandum për bashkëpunim në Zhvillimin Rajonal

Rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), Prof. Dr. Agron Bajraktari, dhe ministri i Ministrisë të...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img