28,03,2024

Mos ua vrisni shpresën shqiptarëve

Must Read

Këtë besoj e duan të gjithë, por ka edhe sish që, mbase pa e kuptuar, me shkrimet e tyre, vrasin të gjitha pritshmëritë e bashkëkombësve tanë.
“Ky vend nuk ka të ardhme”, “Shqiptarët nuk bëjnë dot shtet”, “Më mirë në diktaturë se në këtë demokraci”, “Korrupsioni na ka mbërthyer krejtësisht”, “Pushtetarët janë të shitur”, “Europa dhe Amerika nuk na duan”, etj etj janë rrëfime që i ndesh kushdo në biseda, në artikuj, në postime në rrjetet sociale.
A kanë ata të drejtë?
Ata kanë të drejtë për deri sa dëshirojnë sinqerisht një atdhe më të fuqishëm, më të lirë, më demokratik, më të shëndetshëm, mbi të gjitha të bashkuar.
Por dëshira dhe realiteti nuk përputhen asnjëherë plotësisht.
Nga lartësia e jetës 72 vjeçare e më shumë, si njeri me pikëpamje të djathta por jo anëtar i asnjë partie, unë gjykoj ndryshe. Kam përjetuar regjimin komunist 46 vjet dhe po përjetoj këtë periudhë pluralizmi politik 27 vjeçar. A ka ndryshuar për mirë Shqipëria, Kosova dhe trevat e tjera shqiptare në Ballkan? Mendoj se po. Shikoni, tani shprehemi lirisht për atë që mendojmë, mund të shkruajmë, të intervistohemi, të lëvizim në një hapësirë më shumë se 28 mijë kilometra katrorë. Tregu ekonomik është zgjeruar dukshëm. Shkëmbimet kulturore, shkencore, arsimore po ashtu.
Dikush mund të thotë se ka papunësi masive, kjo nuk ndodhte në regjimin totalitar. Por mos harroni se atëherë punoje me detyrim, kundrejt një page qesharake, sidomos punëtorët dhe fshatarët, shumica e popullsisë. Hapja drejt botës u ka dhënë mundësi qindra mijëra njerëzve të gjejnë punë, arsim dhe strehë në vendet fqinj e më gjerë dhe njëkohësisht të ndihmojnë ekonomikisht familjet e mbetura në atdhe. A nuk u bie në sy si ka ndryshuar pamja e fshatrave tona, dikur me shtëpiza përdhese, pa infrastrukturën e duhur rrugore, urbane, kulturore? Po ashtu, në shkallë vendi, a nuk lëvizni tani më shpejt, më rehatshëm nga një qytet në tjetrin brenda hapësirës shqiptare?
Po shërbimet e ndryshme tregtare, mjekësore, telefonike, zyrtare etj?
Ka ende shumë mangësi, të cilat tani në demokraci i dallojmë më qartë dhe për të cilat ankohemi pa frikë. Por këtë rrugë kanë kaluar edhe dikur vendet e tjera që sot janë para nesh, qoftë edhe fqinjët italianë e grekë.
Përfundimisht, pa shfaqësuar politikën që ndjekin partitë dhe qeveritë tona, u bëj thirrje të gjithë dashamirësve që, duke kritikuar mangësitë që vërejnë, të mos ua vrasin shpresën shqiptarëve, të qëmtojnë edhe gjerat e mira që kemi dhe që mund të vinë më pas.
Bardhyl Selimi, 12 dhjetor 2017
(Prof Bardhyl Selimi nga Tirana është djali i Atdhetarit për Shqipëri Etnike Adem Gllavica)

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Prof. Asoc. Dr. Arbresha Meha sjell inovacion dhe praktika të mira të bashkëpunimit ndërmjet akademisë dhe industrisë nga Austria në Kosovë

Në një kohë kur bashkëpunimi ndërmjet akademisë dhe industrisë po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për zhvillimin e...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img