18,04,2024

Ministria e Mbrojtjes shpall konkurs për rekrutimin e kadetëve të rinj

Must Read

Ministria e Mbrojtjes e Kosovës ka njoftuar se me 23 maj 2019 do të shpall zyrtarisht konkursin publik për rekrutimin e kadetëve për studime në Qendrën për Studime Universitare të Forcës së Sigurisë të Kosovës, si dhe për studime në shtetet partnere, si në Republikën e Turqisë, Republikën Federale të Gjermanisë, Republikën e Kroacisë dhe në Republikën e Maqedonisë Veriore.

“Konkursi shpallet sipas Planit të Veprimit 2019 të Ministrisë së Mbrojtjes. Bazuar në këtë plan do të zhvillohet edhe procesi i shqyrtimit, filtrimit dhe përzgjedhjes së kadetëve të rinj që do të pranohen në Qendrën Universitare të FSK-së dhe në akademitë ushtarake të shteteve partnere”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Kriteret e përgjithshme për kadetë të FSK-së, sipas Ministrisë, janë si në vijim: Të jetë shtetas i Republikës së Kosovës; të këtë përfunduar shkollën e mesme; të jetë i moshës 18-21 vjeç; të ketë zotësi të plotë për të vepruar; të zotërojë aftësitë e nevojshme shëndetësore e fizike për vendin e shërbimit, si dhe të mos jetë i dënuar për vepra penale me vendim të formës së prerë.

“Procedurat e shqyrtimit, filtrimit dhe përzgjedhjes do të jenë: Shqyrtimi fillestar i aplikacioneve; testi i aftësive; testi fizik; intervista me shkrim dhe me gojë; testi mjekësor; trajnimi; verifikimi; emërimi si dhe e drejta e ankesës”, vijon njoftimi.

Ndërkaq, dokumentet e kërkuara për aplikim sipas konkursit janë: diploma (dëshmi) e shkollimeve të përfunduara; certifikata, mirënjohje (nëse posedon); certifikata e lindjes (jo më e vjetër se 6 muaj); certifikata e shtetësisë; vërtetimi nga gjykata që nuk është nën hetime apo i ndjekur penalisht; kopja e letërnjoftimit apo pasaportës si dhe dy fotografi të formatit (5 cm x 5 cm).

“Shtetasit e Republikës së Kosovës, të cilët konkurrojnë, mund të pranohen në Forcën e Sigurisë së Kosovës pasi t’i kenë plotësuar kërkesat dhe kriteret e përgjithshme të përzgjedhjes. Konkursi i rekrutimit për kadetë do të jetë i hapur prej 23 maj 2019 deri më 13 qershor 2019. Pranimi në FSK konfirmohet pas përfundimit të testimeve”, thuhet më tej në komunikatë. Ministria bën të ditur se formularët për aplikim do të jenë në dispozicion në të gjitha kazermat e FSK-së, si dhe në ueb-faqen e Ministrisë së Mbrojtjes https://mod.rks-gov.net(www.mksf-rks.org) apo www.rks-gov.net/mfsk, ku do të publikohet edhe konkursi.

“Formularët duhet të dorëzohen personalisht në të gjitha kazermat e FSK-së, në çdo ditë pune nga ora 09:00-15:00 deri në afatin e fundit për konkurrim. Ministria e Mbrojtjes u shërben të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe mirëpret aplikacione të femrave dhe meshkujve për kadetë të FSK-së, pa dallim nga përkatësia e tyre etnike”, përfundon njoftimi i Ministrisë së Mbrojtjes.

https://www.mksf-ks.org/repository/docs/1__Konkursi_per_kadet_2018_shqip21518.pdf

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj dhe Ministria e Zhvillimit Rajonal nënshkruajnë Memorandum për bashkëpunim në Zhvillimin Rajonal

Rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), Prof. Dr. Agron Bajraktari, dhe ministri i Ministrisë të...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img