Ferizaj

Marevci: LDK siç ishin të paaftë në qeverisje, të paaftë janë edhe në opozitë


Publikuar më:


Dega e LDK-së në Ferizaj, përkatësisht lidershipi i saj po tregohen të paaftë edhe në opozitë, ashtu siç ishin në qeverisje. Parregullsitë që krijuan sa ishin në qeverisje po i zbatojnë edhe në opozitë. Ne, edhe më herët kemi theksuar se shpifjet dhe akuzat e pabaza nuk i bëjnë nder Lidhjes Demokratike të Kosovës, e aq më keq – dezinformojnë opinionin publik.

Në konferencën e sotme për media, u ngritën akuza për vendimet e kryetarit Aliu lidhur me riorganizimin e administratës komunale. Ne, përmes kësaj deklarate, njoftojmë opinionin publik se riorganizimi i administratës komunale është bërë me qëllim të rritjes së efikasitetit dhe dinamikës në punë dhe si i tillë ky proces është tërësisht i bazuar në kompetencën ligjore që del nga Ligji për Vetëqeverisjen Lokale si dhe rregulloret përkatëse që sanksionojnë këto veprime.

Për saktësi të njoftimit, theksojmë se të gjitha vendimet e kryetarit Aliu për ri sistemime të nëpunësve civil, përkatësisht riorganizimin e administratës komunale janë të mbështetura në nenin 13 të Ligjit Nr. 03/L-040 për Vetëqeverisjen Lokale, paragrafin 1 të Statutit të Komunës së Ferizajt, nenit 28 paragrafi 2 të Ligjit për Shërbimin Civil si dhe konform Rregullores për Transferimin e Nëpunësve Civil.

Ky proces pra, thelbësisht e tërësisht është një proces i bazuar në ligjet në fuqi dhe shpërfaq vizionin e kryetarit Aliu për përmbushjen e zotimit para qytetarëve për shërbime efikase e të shpejta të administratës komunale ndaj qytetarëve.
Ndërkaq, sa i përket rastit të nëpunëses civile, Lirije Syla – ish-drejtore e Drejtorisë së Financave në qeverisjen e kaluar, përkatësisht pretendimit të saj se mos sistemimi i saj në administratën komunale bëhet me motive politike, theksojmë se ky pretendim nuk qëndron aspak. Kjo për faktin se zonja Syla nuk arriti ta ruaj pozicionin e saj që kishte ushtruar para se të emërohej drejtore e Drejtorisë së Financave, në qeverisjen e kaluar dhe në vendin ku kishte ushtruar këtë detyre (detyrën e zyrtares certifikuese), qeverisja e drejtuar po nga subjekti politik që përfaqëson zonja Syla, ka pranuar një zyrtare tjetër që pamundëson tani rikthimin e saj në pozitën e zyrtares certifikuese.

Pra, zonja Lirije Syla kishte të drejtën ligjore të ruante pozitën e saj në administratën komunale në kohën e emërimit në pozitën e drejtoreshës së Financave, porse qeverisja e drejtuar nga subjekti i saj politik pranoi një zyrtare tjetër në këtë pozicion, e që rrjedhimisht pamundëson rikthimin e saj në pozitën e mëparshme.

Shih për këtë, në raste të tjera, ku është vepruar konform të drejtës ligjore për ruajtjen/pezullimin e vendit të punës, siç është rasti me ish-drejtorin e Infrastrukturës, Gafurr Ilazi, ai në kohën e emërimit të tij – drejtor i Drejtorisë së Infrastrukturës, ka pezulluar/ruajtur pozicionin e tij të mëparshëm dhe pas përfundimit të mandatit si drejtor, tanimë ushtron detyrën e mëparshme në drejtorinë përkatëse.

Për këtë gjë, zonja Syla duhet të kërkoj përgjegjësinë tek vetja e saj, tek subjekti i saj politik, Lidhja Demokratike e Kosovës, përkatësisht kryetari Svarqa, e cili në kohën e saj të qeverisjes së LDK-së e ka zënë këtë vend pune duke pranuar një zyrtare tjetër dhe kështu ka bllokuar mundësinë e rikthimit të saj në pozicionin e mëhershëm. Kjo për shkak konsumimit të vendit të punës vakant në administratën komunale.

Po ashtu nuk qëndrojnë akuzat e opozitës se ushtruesja e detyrës së drejtorit të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, Ibadete Bucaliu ka dhënë dorëheqjen për shkak presionit nga qeverisja komunale. Referuar letrës së saj, dorëheqja e saj ishte vullnetare.

Këto akuza janë përpjekje e dëshpëruar e opozitës së sotme e pushtetit të djeshëm për të mbuluar dëmin kolosal që kanë shkaktuar në financat komunale dhe zhgënjimin e qytetarëve në institucionin e komunës.

Ftojmë Lidhjen Demokratike të Kosovës që në qëndrimet e saja të paraqes të vërtetën e faktuar dhe jo qëndrime të nxitura politike, pa bazë argumentuese e lehtësisht të kuptueshme si manipulime të opinionit publik. Në të kundërtën, Komuna e Ferizajt, rezervon të drejtën e mos përgjigjes në adresë të këtyre akuzave krejtësisht të pabaza e aspak argumentuese.

Selim Marevci
Zëdhënës
Komuna e Ferizajt

To Top