23,04,2024

Limak Streetball Kosova 2016 të shtunën fillon në Ferizaj

Must Read

Të shtunën më 16 korrik, me turneun e Ferizajt, fillon kampionati i 17-të tradicional i streetballit kosovar, Limak Streetball Kosova 2016.

Për herë të tretë rresht, ky aktivitet është emërtuar sipas sponsorit gjeneral, Limak Kosova, ndërsa ka mbështetjen e fuqishme të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës dhe Radiotelevizionit 21.

Pas organizimit të Streetball Kosova International 2016, garës së parë ndërkombëtare të organizuar zyrtarisht në Kosovë dhe të pranuar nga FIBA 3×3, Shoqata e Streetballit të Kosovës nga e shtuna 16 korrik, në Ferizaj, do ta filloj Kampionatin e Republikës së Kosovës në streetball, duke i vizituar 7 qytetet kryesore të vendit tonë dhe në fund, më 7 gusht, sërish do të kthehet në Ferizaj ku do ta zhvilloj Superfinalen.

Enkas për këtë organizim, Kuvendi Komunal i Ferizajt, gjegjësisht kryetari Muharrem Sfarqa e ka rregulluar fushën e improvizuar në plato para ndërtesës së Kuvendit Komunal, në mënyrë që streetballistat të kenë kushtet maksimale për lojë.
Kështu, të shtunën, nga ora 9:00 do të fillojnë regjistrimet zyrtare të ekipeve pjesëmarrëse, në të dyja kategoritë: profesioniste dhe amatore.
Në kategorinë profesioniste do të luajnë të gjithë lojtarët aktiv në ligat e basketbollit kosovar apo ato ndërkombëtare, kurse në kategorinë amatore mund të luajnë vetëm ata lojtarë që nuk janë aktiv në liga të basketbollit dhe merren me këtë sport si hobi dhe rekreacion.
Karakteristik e edicionit të sivjetmë është se, për herë të parë, fillon në mes të korrikut, kur në Kosovë vijnë mërgimtarët dhe ky aktivitet është përkrahur edhe nga Ministria e Diasporës së Kosovës.
Limak Streetball Kosova 2016 e cila pas një viti rikthehet me atmosferë fenomenale dhe muzikë, diell e kënaqësi streetballi, veç kënaqësisë së garave ka paraparë edhe shpërblime shumë të vlefshme për fituesit dhe nënkampionët e Kosovës.
Për ekipin kampion të Kosovës në superfinalen e Profesionistëve, është paraparë çmimi prej 1000 euro, ndërsa për nënkampionit 500. Në katëegorinë amatore, për kampionin do të ndahen 800 euro kurse vendi i dytë do të fitojë 400.
Si thamë, karvani i sivjetmë i streetballit kosovar niset të shtunën më 16 korrik, nga Ferizaj, për të vazhduar me gara menjëherë të dielën, në Prizren, në fushën tradicionale të basketbollit, në “Parkun Natyra”, aty ku është mbajtur finalja e vjetme.
“Gjatë 16 edicioneve të kaluara, “Streetball Kosova®” është rritur, masivizuar dhe dhe popullarizuar aq shumë sa që është bërë ngjarja kryesore sportive-kulturore-zbavitëse që hap sezonin veror në të gjithë Kosovën, gjë e cila është dëshmuar me përkrahjen e vazhdueshme të institucioneve vendore, në radh të parë Ministrisë së Sportit, e cila tash e një 11 vite mbështet këtë aktivitet, sikurse edhe Komuna e Prishtinës, ndërsa sivjet për herë të parë kemi pasur edhe mbështetjen e Presidentit të Republikës së Kosovës për garën ndërkombëtare. Po ashtu, për herë të parë do të kemi mbështetjen e Ministrisë së Diapsorës, ndërsa na gëzon shumë edhe fakti që sivjet sërish kthehet mbështetja e bankës lidere në Kosovë, Raiffeisen Bank” deklaroi Agon Fehmiu, kryetar i shoqatës së Streetballit të Kosovës.
Ai shtoi se , gjatë 16 edicioneve të shkuara, “Streetball Kosova®” ka grumbulluar rreth 400 mijë shikues, ndërsa numri pjesëmarrësve në gara është rritur nga viti në vit.
“Nga viti 2000 deri 2015, në 16 edicione, në garat e Streetball Kosova kanë marr pjesë më shumë se 1.500 ekipe me mbi 6 mijë lojtarë, kurse vitin e kaluar “Limak Streetball Kosova® 2015” ishte një nga turnetë më të fortë dhe më kualitativ, duke tubuar mbi 20.000 shikues në mbarë Kosovën, kurse finalja në Prizren ishte një ngjarje ‘creme de la creme” e streetballit kosovar, sidomos në kategorinë profesioniste, me një konkurrencë të paparë deri atëherë” u shpreh Fehmiu.
Që nga fillimi i zhvillimit të aktiviteteve të Streetball Kosova, Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve e Kosovës, ka qenë përkrahëse e kampionatit zyrtar të Kosovës në Streetball, apo basket 3×3. Kjo përkrahje, gjithmonë ka qenë institucionale dhe financiare dhe Ministria e Sportit, sipas Fehmiut, ka qenë pjesë e tregimit të suksessshëm të ndërkombëtarizimit të Streetballit të Kosovës dhe pranimit në FIBA 3×3 Basketball.
Drejtori i Departamentit të Sportit të Kosovës, Ibër Alaj, në emër të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Kosovës, ka përgëzuar organizmin e ngjarjes së Streetballit në vendin tonë.
“Ky aktivitet , në fillim të çdo vere, ngjall komunat dhe nxitë të rinjtë të merren me sport, kurse Shoqata e Streetballit e Kosovës ndihmon në masivizimin dhe senzibilizimin e të rinjve të merren me basketboll. Ne urojmë që edhe ky edicion të jetë i suksesshëm, edhe më i suksesshëm se ata paraprakë” ka thënë Ibër Alaj, drejtor i Departamentit për Sport pranë MKRS-së.

Orari i garave i Limak Streetball Kosova 2016

E shtunë, 16 korrik, në Ferizaj – turneu kualifikues
E diel, 17 korrik, në Prizren – turneu kualifikues

E premte, 22 korrik, në Gjilan – turneu kualifikues
E shtunë, 23 Korrik, në Gjakovë – turneu kualifikues
E diel, 24 Korrik, në Prishtinë – turneu kualifikues

E shtunë, 30 Korrik, në Pejë – turneu kualifikues
E diel, 31 Korrik, në Mitrovicë – turneu kualifikues

E diel, 7 gusht, në Ferizaj – Superfinalja e Limak Streetball Kosova 2016

Ky edicion, i Limak Streetball Kosova 2016, mbështetet nga Sponsori Gjeneral, Limak Kosova dhe ka përkrahje të fuqishme tradicionale të Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës dhe RTV 21

Sponsor të Artë sivjet janë: Raiffeisen Bank, Ministria e Diasporës dhe hoteli më ekskluziv në Kosovë, Sëiss Diamond

Po ashtu institucionet që përkrahin organizimin e sivjetmë janë edhe Asociacioni i Komunave të Kosovës, Komuna e Prishtinës, si dhe Federata e Basketbollit e Kosovës, ndërsa sponsorë tjerë janë gazeta Zëri, Prografi, Studio Forma, Uji Rugova, SEES dhe Papilloni

Duke i falënderuar kësaj përkrahjeje, sivjet për herë të 17-të , do të kemi muzikë, diell dhe kënaqësi Streetballi, nëpër tërë Kosovën, duke filluar nga kjo e shtunë e 16 korrikut, në Ferizaj.

Limak Streetball Kosova 2016
PROFI & AMATOR

Sivjet, për herë të dytë rresht, për titullin e kampionit të Kosovës do të luhet pa limit për lojtarë aktiv, kategori kjo e quajtur Profesionale apo shkurt Profi.

Aty mund të paraqiten në një skuadër edhe katër lojtarë që kanë garuar në garat e FBK-së gjatë edicionit paraprak, gjë që ka qenë e limituar në të kaluarën, në vetëm një lojtar aktiv.

Përmes kësaj kategorie, organizatori synon ngritjen e cilësisë së garave dhe që kampioni i Kosovës, i cili do të na prezantojë në arenën ndërkombëtare, të jetë shumë më i fortë në të ardhmen.

Risia tjetër e prezantuar vjet, është kategoria ku mund të luajnë të gjithë ata që merren me basket për qejf, me rekreacion, apo janë veteranë të basketbollit.

Në të dy kategoritë, këtë edicion numri i pjesëmarrësve është i limituar, vetëm nga 8 skuadra në secilën kategori, 8 profi dhe 8 amatorë.

EDHE KËTË VIT SHPËRBLIME ATRAKTIVE

Pjesëmarrësit e këtij edicioni, si zakonisht i pret ëmbëlsira në fund, shpërblimi për më të mirët.
Kampionit të “Limak Streetball Kosova 2016”, në kategorinë profesionale, sivjet i ndahet shpërblimi prej 1000 copa t’buta, ndërsa nënkampioni do të fitoj shpërblimin 500 euro.

Për amatorët apo kategorinë tjetër garuese, Streetball Kosova do t’i ndaj kampionit të Kosovës çmimin prej 800 euro kurse vendit të dytë 400 euro.

REGJISTRIMI I LOJTARËVE

Regjistrimi i lojtarëve edhe sivjet mund të kryhet në vendin e ngjarjes, në qytetet ku mbahet Streetballi, në ditën e zhvillimit të garës
Lidhur me regjistrim Agon Fehmiu ka ritheksuar nevojën e hapjes së profileve në3x3planet.com.
“Është shumë e rëndësishme që ata lojtarë që dëshirojnë të luajnë , në cilëndo kategori, të hapin profilin e tyre në këtë platformë dhe pastaj, varësisht nga suksesi dhe pjesëmarrja e tyre në turnetë e streetballit, në Kosovë apo edhe jashtë tij, mund të marrin pikë dhe të përmirësojmë rangimin e tyre individual, me çka automatikisht i sjellin më shumë pikë edhe Kosovës. Me këtë rast i lus të gjithë ata që luajnë stretball apo basketboll, të regjistrohen në ueb faqen e FIBA-së dhe të krijojnë profilin e tyre personal të garuesit”, ka thënë Fehmiu.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Gjen kuletën me 320 euro, qytetari nga Ferizaj e dorëzon në polici

Një qytetar nga Ferizaj ka gjetur një portofol me para dhe ka dorëzuar atë në polici. Policia njofton se në...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img