25,04,2024

Kush duhet ta përfaqësoj Republikën e Kosovës në bisedimet me Serbinë ?!

Must Read

Shkruan: Sadik Haxhiu

Javët e fundit është intensifikuar retorika politike për mosnjohjen e legjitimitetit të Presidentit të Republikës për të përfaqësuar Republikën e Kosovës në bisedimet me Serbinë. Politikanë institucional, deputetë të opozitës, përfaqësues të mediave, përfaqësues të shoqërisë civile madje edhe profesorë universitarë me paraqitjet e tyre para publikut vejnë në dilemë, madje edhe kontestojnë legjitimitetin e Presidentit të Republikës për të përfaqësuar Kosovën në bisedimet me Serbinë.
Në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, neni 2 paragrafi 1. Thuhet: “Sovraniteti i Republikës së Kosovës buron nga populli, i takon popullit dhe ushtrohet, në pajtim me Kushtetutën, nëpërmjet përfaqësuesve të zgjedhur, me referendum, si dhe në forma të tjera, në pajtim me dispozitat e kësaj Kushtetute. Pra, sipas këtyre paragrafëve të kushtetutës, në emër të popullit sovranitetin e ushtrojnë përfaqësuesit e popullit të zgjedhur me vullnetin e tij. Rrjedhimisht Presidenti i Republikës është i zgjedhur nga organi më i lartë përfaqësues – Kuvendi i Kosovës, ndërsa ky i fundit është zgjedhur me vullnetin e popullit.

Përcaktimet kushtetuese nëpër botë lidhur me përfaqësimin e shtetit brenda dhe jashtë
Shtetet e ndryshme përmes përcaktimeve kushtetuese, këtë çështje e kanë rregulluar në mënyra të ndryshme. Në kushtetutën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës neni 2 paragrafi 2.2 thuhet: “Presidenti ka kompetencë që me këshillën dhe miratimin e Senatit, të nënshkruaj traktate, me kusht që 2/3 e senatorëve të pranishëm të japin pëlqimin e tyre”. Pra, negocimin e traktateve e realizon Presidenti, miratohen në Senat dhe nënshkruhen nga Presidenti.
Në kushtetutën e Francës neni 5 thuhet: Presidenti i Republikës siguron respektimin e Kushtetutës, …funksionimin e autoriteteve publike dhe vazhdimësinë e shtetit. Ai është garantuesi i pavarësisë kombëtare, integritetit territorial dhe i respektimit të traktateve ndërkombëtare. Kurse sipas nenit 52 paragrafët 1,2,5 të kësaj kushtetute, “Presidenti i Republikës zhvillon bisedime për traktatet dhe i ratifikon ato. Ai informon (dy dhomat e parlamentit) për çdo bisedim që synon në përfundimin e një marrëveshje ndërkombëtare për të cilën nuk kërkohet ratifikim”.
Në kushtetutën e Greqisë neni 36 thuhet: “Presidenti i Republikës përfaqëson shtetin në rrafshin ndërkombëtar dhe shpall luftën; ai përfundon traktatet e paqes … dhe njofton për to Dhomën e Deputetëve me sqarimet e duhura. Ndërsa, Kushtetuta e Gjermanisë neni 5 paragrafi 1 thotë: “Presidenti Federal përfaqëson Federatën në marrëdhëniet ndërkombëtare. Ai lidh në emër të federatës traktate me shtetet e huaja.” Sipas kushtetutës së Hungarisë neni 30/A, “Presidenti i Republikës lidh marrëveshje ndërkombëtare në emër të Republikës së Hungarisë; në qoftë se marrëveshja nga përmbajtja e saj është në kompetencat e legjislativit, për lidhjen e saj kërkohet pëlqimi paraprak i Asamblesë Kombëtare”. Sipas kushtetutës së Rumanisë, neni 81, “Presidenti i Republikës përfaqëson shtetin rumun dhe është garant i pavarësisë kombëtare i unitetit dhe i tërësisë territoriale”.
Pra, në të gjitha shtetet e sipërpërmendura, unitetin e popullit dhe përfaqësimin e shtetit brenda dhe jashtë e ushtron shefi i shtetit dhe askush tjetër. Prandaj, shtrohet pyetja a duhet Kosova të bëj përjashtime dhe të kthehemi në periudhën kur nuk kishim shtet dhe institucione shtetërore?.

Kush duhet ta përfaqësoj Republikën e Kosovës brenda dhe jashtë ?
Përfaqësimi nuk është çështje diskrecionale as e përfaqësuesve të institucioneve shtetërore, as e përfaqësuesve të partive politike, as e shoqërisë civile madje as edhe e komunitetit akademik. Këto dilema i qartëson Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Sipas nenit 4, Paragrafi 2. thuhet: “Presidenti i Republikës së Kosovës përfaqëson unitetin e popullit…është përfaqësues legjitim i vendit brenda dhe jashtë dhe garantues i funksionimit demokratik të institucioneve të Republikës së Kosovës”.
Kurse sipas nenit 84 paragrafi 1,7,10, “Presidenti i Republikës së Kosovës përfaqëson Republikën e Kosovës brenda dhe jashtë; … nënshkruan marrëveshjet ndërkombëtare në pajtim me këtë Kushtetutë dhe udhëheq politikën e jashtme të vendit”. Prandaj shtrohet pyetja: a ka më dilema se kush duhet ta përfaqësoj Republikën e Kosovës në bisedime me Serbinë ?!.

Zërat për shkarkimin e Presidentit
Nëse partitë politike opozitare pretendojnë se Presidenti i Republikës e ka humbur legjitimitetin politik dhe nuk dëshirojnë t’i përfaqësoj në komunikimin ndërkombëtar e kanë rrugën juridike të kontestimit të tij, duke kërkuar shkarkimin e tij.
Procedura për shkarkimin e Presidentit të Republikës së Kosovës mund të iniciohet nga një e
treta (1/3) e deputetëve të Kuvendit, të cilët nënshkruajnë një peticion, i cili shpjegon arsyet për shkarkim.
Sipas nenit 91 paragrafi 1, Presidenti i Republikës së Kosovës mund të shkarkohet nga Kuvendi nëse ai/ajo është dënuar për kryerjen e krimit të rëndë ose nëse ajo/ai nuk është i/e aftë për të ushtruar përgjegjësitë e këtij posti për shkak të sëmundjes së rëndë ose nëse Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se ajo/ai ka bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës.
Në bazë të nenit 89 të Kushtetutës, Presidenti i Republikës së Kosovës gëzon imunitet nga ndjekja penale, paditë civile ose shkarkimi për veprimet dhe vendimet brenda fushëveprimit të përgjegjësive të Presidentit të Republikës së Kosovës. Prandaj, duke u bazuar në imunitetin që gëzon, Presidenti ka të drejt të jap propozime të cilat mund të mos na pëlqejnë.
Propozimi i Presidentit për korrigjim e kufijve me Serbinë është analoge me propozimin e opozitës për tri vjet e tehu për korrigjimin e demarkacionit me Malin e Zi.
Ndërsa propozimin tjetër për bashkimin e Kosovës Lindore me Kosovën, Kushtetuta e Kosovës shprehimisht e ndalon bashkimin jo propozimin për bashkim. Këtë propozim kaherë në mënyrë permanente e ka thënë edhe nënkryetari i LDK-së. Sipas nenit 1 paragrafit 3 të kushtetutës së Kosovës thuhet: “Republika e Kosovës nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti ose pjese të ndonjë shteti dhe nuk do të kërkojë të bashkohet me asnjë shtet ose pjesë të ndonjë shteti”. Megjithatë, me amendamentime kushtetuese në kushtetutën e Republikës së Kosovës, përmes votimit me 2/3 e të gjithë deputetëve dhe me 2/3 e deputetëve që përfaqësojnë pakicat kombëtare, mund të hiqet kjo pengesë kushtetuese nga ana e Kuvendit të Kosovës, që nënkupton edhe bashkimin e Kosovës Lindore me Kosovën me konsensus, natyrisht, nëse për këtë është e gatshme edhe Serbia!?.
Pra, Presidenti i Republikës dialogon dhe i jep propozimet për marrëveshjet ndërkombëtare, por Kuvendi i Kosovës është organi i cili i ratifikon këto marrëveshje e askush tjetër. Sipas nenit 18 paragrafi 1. “Kuvendi i Republikës së Kosovës me (2/3) e votave të të gjithë deputetëve ratifikon marrëveshjet ndërkombëtare për këto çështje: a) territorin, paqen, aleancat, çështjet politike dhe ushtarake; b) të drejtat dhe liritë themelore; c) anëtarësimin e Republikës së Kosovës në organizata ndërkombëtare; d) marrjen përsipër të detyrimeve financiare nga ana e Republikës së Kosovës. 2. Marrëveshjet ndërkombëtare me përjashtim të atyre në pikën 1, ratifikohen pas nënshkrimit nga Presidenti i Republikës së Kosovës. 3. Presidenti i Republikës së Kosovës ose Kryeministri njoftojnë Kuvendin sa herë që të nënshkruhet një marrëveshje ndërkombëtare”. Nëse marrëveshja e negociuar nga Presidenti dhe e miratuar nga Kuvendi konsiderohet e dëmshme për shtetin e Kosovës, çështja mund të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së saj.

Në fund
Republika e Kosovës është në fazën finale por shumë delikate të negociatave me Serbinë. Është koha për një unitet politik mbarë kombëtar për të përballuar sfidat që janë para nesh. Republika e Kosovës në arenën ndërkombëtare duhet të përfaqësohet nga përfaqësuesit e saj institucional siç janë: parlamenti (deputetet pozitar dhe opozitar), Presidenti dhe Qeveria. Presidenti i Republikës duhet ta kryej detyrimin e tij kushtetues si kreu i shtetit i cili përfaqëson unitetin e popullit, duke bindur edhe pozitën edhe opozitën për të kontribuar për zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës në raport me Serbinë. Partitë politike opozitare duhet të jen edhe më kritikuese jo ndaj përfaqësuesve të cilët na përfaqësojnë, por ndaj cilësisë së përfaqësuesve tanë që na përfaqësojnë dhe cilësisë së përfaqësimit. Miqtë tanë ndërkombëtarë në krye me SHBA-të po na përkrahin vazhdimisht, por demonët e lindjes kanë filluar të dalin në sipërfaqe. Derisa, në vitin 1999 Presidenti rus Boris Jelcin heshtazi miratoi bombardimin e Serbisë nga pakti NATO; pasuesi i tij Vlladimir Putin në vitet e fundit përmes shërbimeve të fshehta ka depërtuar në shtetet e Ballkanit Perëndimor për destabilizimin e saj. Në Malin e Zi për të rrezuar me gjakderdhje nga pushteti partitë properëndimore në krye me Millo Gjukanoviq – in; në Republikën Serbska për stërvitjen e grupeve militare për de stabilizimin e shtetit; në Maqedoni me 27 prill vitin e kaluar përmes tentim grusht shtetit pengimin e konstituimit të organeve përfaqësuese dhe së fundi në Greqi, minimin e marrëveshjes parimore: Maqedoni – Greqi për emrin e Maqedonisë. Kosova e vitit 2018 është para sfidave të mëdha. Në marrëdhëniet ndërkombëtare Kosova nuk është më e përkëdhelura si në vitin 1999, as si në vitin 2008 kur shpalli pavarësinë. Klasa politike nuk duhet t’i imitoj rilindësit të cilët në kohën kur rrezikohej qenia kombëtare, konfrontoheshin në mes veti rreth nocionit se a do të quhet mëmëdhe apo atdhe Shqipëria. Ata duhet të bashkohen tash si dikur rreth kauzës së përbashkuar.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Dr Fitim Goga, emërohet UD i Drejtorit Mjekësor të Spitalit të Ferizajt

Ditë më parë, Dr Fitim Goga, është emëruar UD i Drejtorit të Spitalit të Ferizajt. Emërimi i tij lidhet me...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img