25,04,2024

 Kultivimi i mjedrës, Sëmundjet, Dëmtuesit dhe Barërat e këqija.

Must Read

                                                                       Mjedra

Kultura e mjedrës është me rëndësi shumë të madhe ekonomike për vendin tonë, si dhe është adaptuar shumë kushteve klimatike të Kosovës për kultivim. Në Kosovë më së shumti mbjellen kultivarët: Polka ,Willamete dhe Miker.Toka – Për kultivimin e mjedrës tokat më të përshtatshme janë tokat ranore. Parapërgaditjet për mbjellje– Të bëhet analiza e tokës, zgjedhja e lokacionit me ndriqim dhe ajrosje të mirë, toka të mos përmbaj ujë të qëndrueshëm, të bëhet qelizma (lëvrimi i tokës në thellësi prej 70 cm). Koha e mbjelljes– Vjeshta ose pranvera (preferohet pranvera për shkak të ngricave gjatë dimrit nëse mbjellja bëhet në vjeshtë), Zgjedhja e fidanit për mbjellje– Fidani duhet te jetë i certifikuar, duhet të ketë trashësi të kërcellit sa trashësia e lapsit me së paku 8- 10 rrënjë kryesore. Mbjellja e fidanit – Distanca në mes rendeve duhet të jetë 2.2 – 2.5 metra, në thellësi sa kanë qenë të mbjellura në pemishten prej ku janë nxjerrë fidanet. Ujitja e mjedrës aplikohet përmes sistemit pikë pikë. Mirëmbjatja në mes rendeve: Mbjellët bari i fisnikruar, dhe largimi i barojave në mes rendeve dhe brenda rendeve.

Sëmundjet më të shpeshta

Didymella Applanata-tharja e fidaneve të mjedrës : Është sëmundje shumë e rrezikshme, shenjat e para të sëmundjes paraqiten për rreth sythave në fidane të rinjë, shenjat e sëmundjes duken edhe në gjethe, lëvorja e infektuar gradualisht qërohet, fidanët thahen tërësisht. Masat e luftimit si masë agroteknike mjedra mbjellet në largësi të duhur, për luftimin e kësaj sëmundje me suksese përdoren fungicidet me materie aktive: Asoxystrobin, Hidrokisid bakri,Propineb.

Phragdium rubi-idaei-Ndryshku i mjedrës: Shenjat e sëmundjes shfaqen në gjethe, fidane dhe në fryte zakonisht gjethet bien në tokë, Masat e luftimit: Zhdukja e fidaneve të infektuar dhe trajtimi i mjedrave para fillimit të vegjetacionit dhe gjatë vegjetacionit me preaparate në bazë bakri ose squfuri.

Phytopthora root-Kalbëzimi i rrënjëve të mjedrës: është duke u bërë një sëmundje shumë e rrezikshme , bima mund të preket nga kjo sëmundje në të gjitha fazat e zhvillimit, është shumë aktive në toka të ngrohta me lagështi dhe të pa drenazhuara, Masat e luftimit mund të menaxhohet pjesërisht nga përdorimi i fungicideve. Por në praktik rëndësi shumë më të madhe ka roli i masave të tjera parandaluese që ndërmerren nga ana e fermerit. Fillimisht duke u shmangur mbjelljes së kultivarëve të ndjeshme në tokat ire rënda dhe ku mund të përmbyten ose të grumbullohet uji, krasitja ose rrallimi,krijimi i drenazhimeve përkatëse, menaxhimi i barërave të këqija, përdorimi i sigurt dhe adekuat i Fungicideve etj. Fungicide në bazë të bakrit: përdoren në fillim të vegjetacionit dhe në fund të tij.

Botrytis cinnerea -Kalbëzimi i hirtë i mjedrës : Shfaqet në vitet që ka shumë reshje, në fillim të pjekjes varësisht nga kushtet e ambientit të jashtëm mjedra fillon të kalbet dhe vazhdon deri në vjeljen përfundimtare. Masat e luftimit Trajtimi me preparate kimike bëhet në dy faza: para lulëzimit dhe para pjekjes së frutave, me ato preparate që materie aktive e kanë Fludioxonil-cyprodonil,Folpet,Fenhexamidin.

Agrobacterium tumefaciens – Kanceri i mjedrave: Është sëmundje bakteriale, në kohët e fundit më e përhapura në vendin tonë e që sëmundja bartet me fidane të infektuar ku patogjeni qëndron me vite të tëra në tokë, shenjat e para të sëmundjes shfaqen në rrënjët e bimëve ne formë gungëzash të vogla me ngjyrë të bardhë e më vonë marrin ngjyrë të murrme të mbyllur, bimët ngecin në rritje, kanë gjethe të vogla dhe shumë të ndjeshme nga kushtet klimatike, Masat e luftimit: Për mbjellje përdoren fidanet e shëndosha, nëse toka është e infektuar me këtë bakterie atëher nuk mund të mbjellet kjo kulturë, dhe kjo sëmundje nuk mund të shërohet.

Dëmtuesit e mjedrës :

Aphididae-Morrat e bimëve: Janë mjaft të përhapur në të gjitha kulturat ku paraqiten me numër shumë të madh, masat e luftimit me preparate kimike bëhen me ato preparate që materie aktive e kanë: Cypermethrin, Vajrat minerale.

Acarine – Merimangat(Këpushat) Janë dëmtues shumë të rrezikshëm, bëhet fjalë për merimangat fitofage dhe jo këto të zakonshmet që mundë të shihen me sy sepse merimangat fitofage nuk shihen me sy por vetëm me mikroskop,Masat e luftimit përdoren preparate me materie aktive si Abamectin, Propagit.

Anthonomus spp. – Lulengrënësi i mjedrës dhe manaferrës : Janë mjaft të përhapur në të gjitha vendet ku mbjellet mjedra, Masat e luftimit : me preparate kimike që materie aktive Dmethoat, Pirimiphos- Methyl, Methomyl.

Barërat e këqija ne Kulturën e mjedrës

Një problem mjaftë i madh në të gjitha plantacionet me mjedër është edhe paraqitja e barërave të këqija duke konkurruar kështu me bimët e kultivuara për Dritë, ujë, materie ushqyese dhe shërbejnë si vendstrehues për shumë dëmtues dhe patogjenë të ndryshëm. Luftimi i barërave të këqija mundë të bëhet me mënyrë mekanike dhe kimike, por në vendin tonë është më e përhapur mënyra mekanike e luftimi të barërave të këqija si : Herrja me dorë, prashitja, si dhe kositja në mes rendeve. Luftimi i barërave të këqija me mënyrën kimike : Për luftimin barojave gjethengushtë herbicidi mund të ketë kontakt me gjethet e mjedrës, përdoren preparate kimike me materi aktive Fluazifop-P-Butil. Luftimi i barërave të këqija gjethe ngushta dhe gjethegjerë: Mundë të përdoren herbicide tokësore në fillim te vegjetacionit kur kultura është para fillimit të vegjetacionit përdoren herbicide me materie aktive ‘’pendimethalin”, ky herbicid ndikon që mos të mbijnë barojat por më së shumti ndikon në baroja njëvjeçare ato që shumohen me farë, si herbicid foliar gjatë vegjetacionit përdoren Herbicide me materie aktive që kanë Glufosinat amonium herbicide këto me veprim kontakti por kujdes i madh duhet pasur gjatë trajtimit pasi që herbicidi nuk duhet të ketë kontakt me gjethet e kulturës së mjedrës , dhe trajtimi të mos bëhet kur ka erë në mënyrë që herbicidi të mos kontaktoj me gjethet e mjedrës sepse shkakton efekte toksike në bimët e kultivuara.

Këshilla ime për fund është se para fillimit të ngritjes së plantacionit me mjedër dhe gjatë gjithë periudhës vegjetative është e domosdoshme konsulta me ekspertë te fushës së Mbrojtjes së bimëve.

Shkruan Msc. Meriton Hashani

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Shënohet Dita e Shkollës dhe përurohet Salla e Sporteve në shkollën “Astrit Bytyqi”në Ferizaj

Gjatë ditës së sotme është bërë shënimi i Ditës së Shkollës “Astrit Bytyqi” si dhe u përurua Salla e...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img