Ferizaj

Aliu: Ku janë, Akordet e Kosovës? A jemi gati për Eurovision?


Publikuar më:


Këtyre ditëve respektivisht java e parë e muajit maj ishte një javë historike për Kosovën, ku ne të gjithë iu gëzuam lajmeve që i pritëm gjatë, lajme që dhanë dëshminë se edhe ne jemi të merituar për të qenë krah për krah me kombet tjera të Evropës, sepse ne jemi Evropë dhe rrënjët tona janë pjesë e këtij civilizimi. Sigurisht se presim edhe në të ardhmen e afërt edhe lajme të tjera të mira që japin edhe më shumë shpresë për qytetarët tanë, por me këtë rast dua të shpreh dilemën time se sa ne jemi përgatitur që t’iu përgjigjemi kërkesave dhe obligimeve që dalin si rezultat i këtyre anëtarësimeve në këto institucione evropiane dhe globale, siç bie fjala pranimi ne UEFA dhe FIFA. A kemi bërë atë që është dashur ta bëjmë në mënyrë që të ishim plotësisht të gatshëm pas këtij anëtarësimi. Unë e di që nuk është bërë mjaftueshëm dhe ka ende për t’u bërë që kjo infrastrukturë sportive të jetë në nivele që kërkohet për gara të tilla, por besoj se edhe pse jemi vonuar paksa duhet të mobilizohemi të gjithë që pranime të tilla ndërkombëtare të na gjejnë me kapacitete dhe infrastrukturë adekuate për ngjarje të tilla. Një ditë e tillë erdhi për futbollin kosovar dhe për këtë duhet përgëzuar FFK-në dhe të gjithë qytetarët tanë.

Po presim që ditë të tilla të mira të kemi edhe në të ardhmen dhe ne duhet të bëhemi më gati sepse kemi edhe synime të tjera për t’u bërë pjesë e këtyre institucioneve politike, ushtarake, sportive e kulturore të Europës dhe përtej saj.

Ditë më parë, këtu në Kuvend, u ngrit çështja në një kontest tjetër e paraqitjes së Flamurit tonë në mënyrë jo të dinjitetshme dhe të papranueshme në Festivalin e Eurovisionit e që meritoi reagim më të fuqishëm nga ana jonë, unë po shtroj pyetjen çfarë jemi duke bërë që Flamuri ynë të jetë brenda dhe krah për krah kombeve tjera evropiane dhe jo të jetë një Flamur i ndaluar dhe më shumë se kaq? A jemi duke u përgatitur se si të përfaqësohemi, në ç’mënyrë ne do të zgjedhim artistët tanë që ta përfaqësojnë Republikën tonë, sepse artistët tanë, tashmë kanë dëshmuar se janë të denjë për këtë lloj gare dhe përfaqësimi.

Me këtë rast le të më lejohet të pyes, se a kemi ne një festival garues në nivel Republike që do të mundësonte fituesin pastaj të merrte pjesë në këtë eveniment evropian. Ne, nuk e kemi edhe pse do të duhej ta kishim një festival të tillë, madje edhe vetëm për konsum kombëtar, e ku do të shfaqeshin vlerat e artistëve tanë të shumtë që po kanë rezultate kulmore kudo.

Ne, dikur kishim një festival të tillë dhe ai quhej “Akordet e Kosovës”, ku është ai sot, pse nuk aktivizohet pas kaq vitesh lirie e pavarësie? Ky festival do te duhej të ishte një prej emblemave tona kulturore prandaj kërkoj nga MKRS dhe Qeveria e Republikës që të fillojnë me sigurimin e të gjitha parakushteve që ky festival të rifilloj dhe të vazhdoj traditën e saj të bujshme.

Shpesh nga institucionet tona janë ndarë mjete buxhetore për gjëra e projekte koti dhe sikur kësaj i bie tamam ajo thënia e shkrimtarit anglezo-irlandez Oscar Wilde “ Ne dimë çmimin e çdo gjëje por vlerën e asgjëje”, prandaj të mbështesim “Akordet e Kosovës”

Për Eurovision, pastaj gati do të jemi!

Agim Aliu

Comments
To Top