20,04,2024

Kryetari Aliu uron qytetarët në 10 vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës

Must Read

Të nderuar bashkëqytetarë,

Viti 2018, është vit i jubileve të mëdhenj të historisë sonë.
Vitit të Skënderbeut, 140 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, 20 vjetorit të Epopesë së Jasharëve dhe përvjetorëve tjerë kuptimplotë, sivjet i bashkëngjitet edhe jubileu i dhjetë i Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Shtetësia e Kosovës, është edhe një hallkë shumë domethënëse në procesin e gjatë e të mundimshëm të emancipimit politik e historik të kombit tonë.

Kosova sot, është një shtet i pranuar ndërkombëtarisht dhe me ambicie të qarta properëndimore, në rrugën drejt konsolidimit të shtetformimit dhe liribërjes.

Të arriturat janë të mëdha, por edhe detyrimet në të ardhmen, po ashtu!
Por, ne jemi të gatshëm dhe të palëkundur në qëllimin tonë të sublimimit historik të synimeve tona: rreshtimin e barabartë me shtetet më të konsoliduara demokratike, integrimet brendakombëtare dhe ndërkombëtare si dhe afirmimin e mëtutjeshëm të vlerave tona të virtytshme kombëtare e qytetare.

Ferizaj, në dhjetë vjetorin e pavarësisë, frymon si qytet e komunë shembull në virtytin e tolerancës, njerëzores e demokracisë.

Ferizaj, sot është prej qendrave më të rëndësishme të Kosovës, duke na motivuar që në të ardhmen e shpejtë, të arrijmë statusin e një kryeqyteti të zhvillimit, demokracisë, kulturës e qytetarisë.

Rezultatet tona të deritanishme, janë inkurajuese dhe na bëjnë që fuqishëm të besojmë se mund t’ia dalim, në rrugën drejt sendërtimit të idealeve tona qytetare e nacionale.

Kujtojmë sot me pietet sakrificën e popullit tonë ndër breza. Kujtojmë të persekutuarit e të martirizuarit.
Në mënyrë të veçantë kujtojmë heroizmin e luftëtarëve të UÇK-së, që duke jetësuar idealet e popullit, bindën botën e qytetëruar demokratike, që në vitin 1999, të rreshtohej drejt në mbështetje të botëkuptimit të natyrshëm e të pakundërshtueshëm, për lirinë.

Nuk harrojmë asnjëherë mbështetjen e miqve ndërkombëtarë, SHBA-së, shteteve demokratike të Evropës e botës.
Jemi të përkushtuar që të vazhdojmë të ndajmë e synojmë vlerat e përbashkëta njerëzore me ta.

Të nderuar bashkëqytetarë,

Bashkë arritëm deri këtu dhe bashkë do të ecim tutje…
Nuk do të lëkundemi dhe do të jemi të angazhuar me përkushtimin më të thellë që të forcojmë tiparet identitare të qytetit e komunës sonë. Bashkë do të jemi të motivuar në punët e mira që do ta rrisin mirëqenien tonë.

Respekt e mirënjohje për të gjithë që sakrifikuan për idealet e shtetësisë e lirisë sonë!
Lavdi të rënëve të të gjithë brezave, në shërbim të ruajtjes e emancipimit të virtytit tonë të lirisë e atdhedashurisë!

Gëzuar, Dita e Pavarësisë së Kosovës!

Me respekt,
Agim Aliu
Kryetar i Komunës së Ferizajt

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Vrasje e mbetur në tentativë në Ferizaj

Me datën 19.04.2024 në ora 17:47 policia rajonale e Ferizajt ka pranuar një informatë se në udhëkryqin e rrugëve...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img