19,04,2024

Kryetari Agim Aliu paraqet raport për 100 ditshin e punës

Must Read

Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, këtë të enjte para mediave ka prezantuar raportin e 100 ditëve të punës.
Me këtë rast Aliu ka paraqitur të gjitha aktivitet e qeverisë komunale për këto 100 ditë të para, punët dhe projektet të cilat janë kryer dhe janë planifikuar të kryhen në të ardhmen.
Aliu ka përmendur se projekt madhor i qeverisë së tij është edhe ndërtimi i Spitalit të Ferizajt për të cilin ka thënë se është nënshkruar kontrata për fillimin e punimeve të ndërtimit.
“Projekti më i rëndësishëm në fushën e infrastrukturës është projekti “Bashkimi i Qytetit” – faza e parë. Për këtë kemi siguruar mbështetjen e Ministrisë së Infrastrukturës dhe vet ministrit Lekaj, duke e konkretizuar edhe me marrëveshjen e bashkëpunimit dhe financimit që kemi nënshkruar, përmes së cilës, Ferizaj do të përfitoj një grant prej 20 milionë eurosh për fillimin e realizimit të projekteve të fazës së parë të “Bashkimit të Qytetit” dhe projekteve të tjera infrastrukturore.” ka thënë Aliu

Raportin e plotë të kryetarit Aliu mund ta lexoni në vazhdim:

Të nderuar qytetarë,
Të respektuar përfaqësues të mediave,
Zonja dhe zotërinj!

Komuna e Ferizajt është e para nga tri komunat me gjendjen më të rëndë financiare në Republikën e Kosovës, e konstatuar kjo nga mekanizmat kompetent në nivelin qendror. Ky fakt, ka shkaktuar shumë vështirësi në procedimin e projekteve, ruajtjen e buxhetit komunal dhe programimin e borxhit shumëmilionësh.

Megjithatë, në këto 100 ditë të qeverisjes lokale kemi arritur të menaxhojmë një krizë të jashtëzakonshme financiare dhe siguroj qytetarët e Ferizajt se të gjitha kapacitetet tona, ekspertët më të mirë, janë vënë në veprim për të parandaluar fiaskon financiare që rrezikon Komuna e Ferizajt nga borxhet dhe përmbaruesit privat.

Të nderuar, më lejoni të theksoj se në çdo fushë e sektor komunal kemi arritur rezultate domethënëse e shpresëplota për t’u avancuar edhe më tutje në këto drejtime.

Me riorganizimin dhe caktimin e koordinatorit të Inspektoratit Komunal , kemi arritur rezultate konkrete në mbrojtje të shëndetit të qytetarëve përmes rritjes së kontrollit të produkteve që ofrohen në treg në territorin e Ferizajt, me ç ‘rast për vetëm 3 javë kemi konfiskuar dhe asgjësuar mbi 2 ton mish dhe nënprodukte të tij të prishura.

Jam zotuar para qytetarëve se shëndeti i tyre do të jetë i garantuar sa i përket kompetencave të Komunës sonë dhe këto rezultate janë domethënëse në betejën tonë për ligjshmërinë dhe garantimin e shëndetit të qytetarëve. Gjithashtu, zotim imi ka qenë edhe lirimi i hapësirave publike dhe mundësimi i qarkullimi të lirë të qytetarëve.

Në përmbushje të këtij zotimi, ne kemi zgjeruar aksionin e Inspektoratit Komunal që ka rezultuar me heqjen e tezgave, panove reklamuese dhe dekoracioneve të ndryshme që kanë qenë të vendosura përgjatë sheshit dhe rrugëve kryesore. Ne ia kthyem qytetarëve sheshin, lëvizjen pa pengesa përgjatë tij, ndonëse ofruam zgjidhje konkrete edhe për mirëqenien ekonomike të pronarëve të tezgave.

Për të argumentuar vendosmërinë tonë për mbrojtjen e mjedisit, kemi shtuar edhe një inspektore të mjedisit dhe kemi ndërmarr aksione konkrete në heqjen e deponive ilegale të mbeturinave.

Më lejoni të nderuar të theksoj se përgjatë 100 ditëve të qeverisjes, kemi arritur të eliminojmë mbi 50 deponi ilegale. Shfrytëzoj rastin që të apeloj tek qytetarët që të na bashkohen në betejën tonë për ruajtjen e mjedisit, duke mos hedhur mbeturinat vend e pa vend dhe duke denoncuar ndotësit e mjedisit tek autoritetet komunale.

Politikat tona mjedisore kanë sjell rezultate konkrete. Gjatë kësaj periudhe dhe së fundmi me intensitet të shtuar kemi mbjell 840 drunj dekorativ në qytetin dhe fshatrat e Ferizajt. Ky aksion do të zgjerohet edhe më tej, Ferizaj ka nevojë për të gjelbrën, ka nevojë për dorën e kujdesit institucional ndaj mjedisit dhe ne jemi të vendosur në përmbushjen e këtij zotimi.

Në fushën e bujqësisë kemi lidhur dy marrëveshje të rëndësishme, të cilat do të realizohen për herë të parë në komunën tonë. Njëra është për hapjen e tregut ditor të produkteve bujqësore si dhe marrëveshja që ka si rezultat mbjelljen më masive të drunjve dekorativ në gjithë territorin e Komunës së Ferizajt.

Në këtë kuadër, kemi bërë edhe trajtimin e afro 700 qenve endacak dhe shumë shpejt do ta procedojmë në Kuvendin e Komunës edhe propozim vendimin për caktimin e lokacionit për trajtimin e qenve endacak.

Në fushën e shëndetësisë kemi hasur në vështirësi të shumta të diktuara edhe nga vendimet e gjykatave, kjo për faktin se qeverisja e kaluar ka marr vendime të jashtëligjshme për shkarkimin e disa prej drejtuesve të institucioneve shëndetësore, të cilat në procedurë gjyqësore, gjykata i ka gjetur si shkelje dhe largim të padrejtë nga pozita përkatëse.

Karshi këtyre vendimeve, pa përdorur të drejtën tonë për përdorimin e mjeteve të jashtëzakonshme juridike, kam dhënë shembullin e zbatimit të ligjit, duke kthyer në pozitat e mëhershme këta drejtues të larguar jashtëligjshëm nga pushteti i kaluar dhe të vërtetuara këto me vendimet e gjykatave. Unë besoj se shembulli jonë, i zbatimit të ligjit dhe mos kontestimit të paarsyeshëm në gjykatë, duhet të ndiqet nga të gjithë në mënyrë që të ruajmë buxhetin komunal.

Angazhimet tona në fushën e shëndetësisë kanë rezultuar me kthimin e kujdestarisë së natës në Qendrën 2 të Mjekësisë Familjare dhe kujdestaria e natës e stomatologjisë në Shërbimin Emergjent Primar.

Projekti më madhor për shëndetësinë ferizajase në dekadat e fundit është edhe ndërtimi i Spitalit të ri Rajonal në Ferizaj. Është lajm i mirë për të gjithë ferizajasit nënshkrimi i kontratës për fillimin e ndërtimit të spitalit.

Rritja e cilësisë dhe mbulimi i shërbimeve shëndetësore tash e tutje do të bëhet edhe nga nxënësit e shkollës së mesme të mjekësisë “Elena Gjika”, të cilët do ta bëjnë punën praktike në institucionet shëndetësore lokale, nismë kjo institucionale që po realizohet për herë të parë në Komunën e Ferizajt.

Investimi në pajisje mjekësore ka ndodhur qysh në ditët e para të qeverisjes, përmes një donacioni të kompanisë IPKO në vlerën 10,000€, donacion mjaft i vlefshëm për institucionet shëndetësore në Ferizaj në kuptimin e infrastrukturës mjekësore dhe pajisjeve.

Në pikëpamje të kujdesit social për komunitete të ndryshme shoqërore, vlen të theksohet marrëveshja që kemi nënshkruar, përmes së cilës Komuna e Ferizajt garanton financimin vjetor të aktivitetit të shoqatës së personave me sindromën Down “Down Syndrome Kosova” në Ferizaj.

Rritja e kujdesi institucional për personat me nevoja të veçanta ka qenë zotimi im në fushatën elektorale. Në këtë fushë kemi mbështetur disa projekte që përmbushin këtë zotim, e së fundmi edhe një donacion që kemi arritur ta sigurojmë që ka rezultuar me dhurimin e 60 karrocave manuale për personat me nevoja të veçanta, gjegjësisht shoqatën “HandiKos” në Ferizaj, donacion ky nga qytetarë shqiptar në diasporë, për të cilën i falënderoj publikisht.

Në fushën e arsimit kemi instaluar standardin e transparencës maksimale në publikimin dhe procedurat e konkurseve publike. Qytetarët ferizajas, aplikantët në këtë drejtori janë dëshmitarë të një procesi tërësisht të hapur për publikun dhe të bazuar në meritokraci.

Në këtë periudhë qeverisëse, kemi arritur të ulim në zero ndikimin e politikës në konkurset e arsimit dhe të fuqizojmë mekanizmin e llogaridhënies karshi kërkesave të qytetarëve.

Në këtë pikëpamje, për të lehtësuar barrën financiare të prindërve për fëmijët e tyre maturant, kemi nënshkruar marrëveshje ku mbi dy mijë maturantë të Komunës së Ferizajt, fotografitë e maturës, librin e maturës dhe incizimin e mbrëmjes së maturës, do t’i kenë falas nga Kolegji AAB – dega në Ferizaj, bazuar në marrëveshjen që kemi nënshkruar me këtë Kolegj.

Edhe në fushën e orientimit në karrierë kemi arritur rezultate konkrete përmes marrëveshjes së nënshkruar me Lux Development dhe DKA-së, për programin e orientimit në karrierë të nxënësve.

Në fushën e ekonomisë, që në ditët e para të qeverisjes kam marr vendimin për themelimin e Këshillit Ndërdrejtorial për Zhvillimin Ekonomik, që ka qenë edhe zotim im për qeverisjen e udhëhequr nga profesionistët dhe me politika të qarta ekonomike.

Ferizaj me propozimin tonë dhe miratimin në Kuvendin e Komunës, ka edhe një zonë të lirë ekonomike. Mundësimi dhe përmirësimi i kushteve për biznesin lokal është prioritet i agjendës sonë qeverisëse.

Në këtë kuadër, për herë të parë në Ferizaj do të hapet Qendra e Inovacionit dhe Teknologjisë. Nga ana jonë ne kemi përfunduar të gjitha procedurat dhe shumë shpejt do të filloj investimi në objektin aktual të Qendrës së Kulturës për t’u shndërruar në Qendrën e Inovacionit dhe Teknologjisë.

Edhe me donatorët eventual kemi krijuar një raport të qëndrueshëm komunikimi. Gjatë javës së shkuar, kemi zhvilluar takime me investitorë në Britaninë e Madhe, me qëllim mbështetjen e projekteve zhvillimore të Ferizajt veçanërisht në fushën e sportit dhe biznesit.

Nxitja e zhvillimit ekonomik do të ndodh edhe me vendimin e fundit, që kemi marr në Kuvendin e Komunës për kthimin e pronave të menaxhuara nga AKP dhe Ekonomia Pyjore në pronësi komunale.

Në këtë kuadër, kemi evidentuar dhe bërë publike për herë të parë Listën e Pronave Komunale dhe shumë shpejt pas përfundimit të procesit të verifikimit, do të bëjmë publike edhe listën e shfrytëzuesve të pronave komunale dhe atë të uzurpatorëve.

Në fushën e urbanizmit kemi përmbushur zotimet tona në planin afatshkurtër.
Themelimi i Këshillit Konsultativ Profesional të Ekspertëve të Urbanizmit dhe Mjedisit ka qenë zotimi im elektoral. Kjo trupë është themeluar qysh në ditët e para të qeverisjes sonë. Është konsoliduar një mekanizëm kredibil profesionistësh që do të merren me kaosin urban. Presim propozimet e tyre në projektet dhe politikat tona të urbanizmit dhe mjedisit.

Në planin urban, qytetarët janë në dijeni se Komuna e Ferizajt ka nisur edhe një proces mjaft të vlefshëm dhe zhvillimor për komunën tonë, atë të ndryshimit të Planit Zhvillimor Komunal dhe hartimit të hartave zonale.

Projekti më i rëndësishëm në fushën e infrastrukturës është projekti “Bashkimi i Qytetit” – faza e parë. Për këtë kemi siguruar mbështetjen e Ministrisë së Infrastrukturës dhe vet ministrit Lekaj, duke e konkretizuar edhe me marrëveshjen e bashkëpunimit dhe financimit që kemi nënshkruar, përmes së cilës, Ferizaj do të përfitoj një grant prej 20 milionë eurosh për fillimin e realizimit të projekteve të fazës së parë të “Bashkimit të Qytetit” dhe projekteve të tjera infrastrukturore.

Rëndësia strategjike, zhvillimore dhe funksionaliteti që do të siguroj implementimi i këtij projekti e kualifikon atë në një ndër projektet më gjigande infrastrukturore në Ferizaj në 20 vitet e fundit.

Në shërbimet ndaj qytetarëve, gjegjësisht fushën e shërbimeve publike, kemi instaluar kulturën e reagimit të shpejt ndaj kërkesave të qytetarëve, procedimit të menjëhershëm të kërkesës tek personat përgjegjës dhe ndërmarrjen e veprimeve që kanë përmbushur kërkesën e parashtruar.

Në këtë pikëpamje, ndonëse sfiduese për qeverisjen e re në ditët e para të saja, kemi menaxhuar plotësisht dhe në kohë rekord mirëmbajtjen e rrugëve, përkatësisht pastrimin e tyre nga bora si në zonën e qytetit ashtu edhe në fshatra.

Për rikujtim, ne kemi trashëguar një proces tenderues të pa përmbyllur për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve, mirëpo falë gatishmërisë së kompanive private të cilët në baza vullnetare janë ofruar për të mirëmbajtur rrugët nga reshjet e borës, kemi arritur që qytetarëve t’i mundësojmë qarkullim pa pengesa në periudhën e reshjeve të borës. Me këtë rast, dëshiroj që publikisht t’i falënderoj gjithë kompanitë dhe të angazhuarit e tjerë në këtë aksion.

Në fushën e kulturës dhe rinisë kemi siguruar mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për disa projekte të kulturës dhe sportit, ndër to më i veçantë është projekti i ndërtimit të Qendrës Sportive në Greme dhe projekte të tjera që këtë sektor e rendisin në listën e prioriteteve të qeverisjes lokale.

Një nismë të jashtëzakonshme kemi ndërmarr edhe me riorganizimin e klubeve sportive dhe fuqizimin e tyre përmes mbështetjes direkte nga Komuna e Ferizajt. Kjo nismë ka sjell sukseset e para dhe jam i vendosur që me mbështetje konkrete, sporti ferizajas të kthehet në vendin meritor në krye të tabelës.

Unë dhe ekipi im, bashkëpunëtorët dhe gjithë administrata komunale, jemi të vendosur të qojmë përpara vizionin dhe modelin e mirëqeverisjes, platformën tonë qeverisëse që buron nga kërkesat qytetare, qeverisjes me nder e moral politik, të bazuar në ligjshmërinë dhe frymën e qytetarisë, të barabartë për të gjithë dhe profesionale për të tejkaluar sfidat, andaj më lejoni që të gjithë të angazhuarve në të gjitha këto procese që theksova më lartë, t’i shpreh mirënjohjen, falënderimin dhe gatishmërinë time për t’i dhënë Ferizajt dhe ferizajasve atë që i takon, atë për të cilën kanë besuar në qeverisjen time, Ferizajn e zhvilluar dhe funksional, efikasitet në shërbimet e administratës komunale si dhe zhvillim të gjithmbarshëm të komunës sonë.

Ferizajn gjatë këtyre 100 ditëve e kanë vizituar edhe shumë anëtarë të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ministra, deputet, zëvendësministra dhe drejtor të agjencive shtetërore, ku gjej rastin t’i falënderoj për mbështetjen e jashtëzakonshme që po ofrojnë si kurrë më parë për projektet dhe iniciativat tona.

Ferizaj pas traumës së pësuar nga ish pushteti, ka hapur kapitullin e stabilitetit, punës dhe dinamikës së re, përkushtimit maksimal për realizimin e platformës sonë qeverisëse, për ndryshimin dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Ju faleminderit!

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj dhe Ministria e Zhvillimit Rajonal nënshkruajnë Memorandum për bashkëpunim në Zhvillimin Rajonal

Rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), Prof. Dr. Agron Bajraktari, dhe ministri i Ministrisë të...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img