25,04,2024

Ilazi: Instituti për Studime Politike do ta fuqizojë PDK-në

Must Read

Drejtori i Institutit për Studime Politike në PDK, Ramadan Ilazi, ka bërë me dije se ky institut është themeluar me qëllim për t’i promovuar idetë liberale dhe tregun e lirë nëpërmjet hulumtimeve, botimeve, fushatave multimediale dhe programeve edukative në mënyrë që të kontribuojë në avancimin e procesit të integrimit euroatlantik të Kosovës.Në këtë bisedë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë Instituti për Studime Politike do ta mbështesë PDK-në në zhvillimin e kapaciteteve të brendshme, me qëllim fuqizimin e funksionimit demokratik të saj. Ilazi ka shtuar se, krahas kësaj, instituti do të angazhohet për anëtarësimin e PDK-së në strukturat evropiane dhe ndërkombëtare të qendrës së djathtë, si dhe do të nxisë dhe të promovojë një dialog të hapur brendapartiak dhe në shoqëri për rolin e ri që PDK-ja do ta ketë si parti moderne

“Epoka e re”: Z. Ilazi, këto ditë PDK-ja ka zyrtarizuar Institutin për Studime Politike. Ju do ta drejtoni këtë institut. Cili është qëllimi i këtij instituti?
Ilazi: Instituti është themeluar me qëllim për t’i promovuar idetë liberale dhe tregun e lirë nëpërmjet hulumtimeve, botimeve, fushatave multimediale dhe programeve edukative në mënyrë që të kontribuojë për avancimin e procesit të integrimit euroatlantik të Republikës së Kosovës. Instituti do ta mbështesë Partinë Demokratike në zhvillimin e kapaciteteve të brendshme, me qëllim fuqizimin e funksionimit demokratik të partisë, që nënkupton se anëtarët e partisë kanë mundësi të pjesëmarrjes së vazhdueshme në proceset e brendshme vendimmarrëse. Krahas kësaj, instituti do të angazhohet për anëtarësimin e PDK-së në strukturat evropiane dhe ndërkombëtare të qendrës së djathtë.

“Epoka e re”: A mendoni se do t’i duhej një partie politike një institut i tillë? Çfarë do të përfitojë PDK-ja me këtë institut?
Ilazi: Partia Demokratike e Kosovës, si partia kryesore në vend, nëpërmjet institutit do ta projektojë fuqinë e saj politike, programin dhe ideologjinë partiake nëpërmjet nxjerrjes së dokumenteve me rekomandime për politikat dhe implementimin e tyre. Sikundër, të nxisë dhe të promovojë një dialog të hapur brendapartiak dhe në shoqëri për rolin e ri që PDK-ja do ta ketë si parti moderne dhe e profilizuar. Institutet janë karakteristikë e partive evropiane dhe partive serioze të cilat janë të vetëdijshme për përgjegjësinë e tyre politike dhe shtetërore, në mënyrë që propozimet e tyre karshi zhvillimeve dhe politikave publike janë të bazuara në hulumtime dhe analizë prej anës së ekspertëve. Themelimi i institutit nga PDK-ja reflekton pikërisht këtë vetëdije.

“Epoka e re”: Cilat janë aktivitetet që do t’i ndërmarrë Instituti për Studime Politike?
Ilazi: Instituti ndan doktrinën Xhefersoniane për sa i përket rolit dhe madhësisë së qeverisë, pra një qeveri e vogël dhe e thjeshtë, por me kapacitetet e duhura profesionale që e bën atë një qeveri të aftë t’u përgjigjet sfidave ekonomike, sociale e politike në Kosovë. Për ta përmbushur misionin e vet, instituti do t’i ndërmarrë këto aktivitete: Promovimin e dialogut kombëtar për përcaktimin e qartë të interesave shtetërore të Republikës së Kosovës për ta avancuar procesin e integrimit euroatlantik; promovimin e shoqërisë së hapur dhe demokratike, ku kultura politike imponon vlerën e bashkëpunimit për interesat shtetërore të Kosovës; formësimin e një politike të re kombëtare për arsimin dhe shëndetësinë që do ta transformonte përgjegjësinë e shtetit karshi këtyre dy sfidave kyçe; mbështetjen dhe lehtësimin e krijimit të marrëdhënieve të reja dhe qasjes së komunitetit të biznesit në tregun e Bashkimit Evropian për rritjen e eksporteve kosovare, si një opsion për krijimin e vendeve të reja të punës dhe zhvillimin ekonomik. Në këtë drejtim, sa iu përket veprimeve të brendshme për përmirësimin ekonomisë, instituti do ta analizojë strategjinë e derregullimit si strategji për rritjen ekonomike dhe luftën kundër korrupsionit; krijimin e politikave publike që mbështesin gratë në biznes për të pasur qasje më të madhe në fonde që mundësojnë zhvillimin e ndërmarrjeve të tyre afariste; avancimin e legjislacionit dhe politikat publike për t’i mbështetur organet e sundimit të ligjit në adresimin e sfidave emergjente në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, nëpërmjet rritjes së mbështetjes dhe pavarësisë financiare e politike; promovimin e politikave publike që ofrojnë mbështetje dhe krijojnë mundësi të reja për të rinjtë e Kosovës që të jenë pjesë e familjes evropiane nëpërmjet zhvillimit të potencialit të tyre intelektual.

“Epoka e re”: Cili do të jetë bashkëpunimi me partitë e tjera politike dhe organizatat joqeveritare?
Ilazi: Ne kemi nevojë urgjente si shoqëri dhe si shtet të kemi një konsensus shoqëror dhe kombëtar për interesat tona vitale. Në bindjen time të thellë nuk ka emërues të përbashkët më të mirë se procesi i integrimit euroatlantik, për të sjellë së bashku aktorët e ndryshëm shoqërorë e politikë. Instituti do të përpiqet të kontribuojë në zhvillimin e kësaj kulture politike të bashkëpunimit për interesin shtetëror. Jemi në një moment tepër të vështirë ku po sfidohemi në dy fusha: brenda po sfidohet karakteri ynë si shtet i vlerave liberale, jashtë po sfidohet besueshmëria në shtetin e Kosovës si shtet racional. Këto dy sfida, nëse nuk adresohen nga e gjithë skena politike me konsideratë ndaj së ardhmes euroatlantike, mund të rezultojnë me një izolim të Kosovës.

“Epoka e re”: Ju jeni edhe zëvendësministër i Integrimit Evropian. Sa do të mund të arrini ta kryeni edhe këtë detyrë si drejtor i Institutit për Studime Politike?
Ilazi: Instituti është një hapësirë e natyrshme për angazhimin e ekspertëve që i janë bashkuar PDK-së vitet e fundit. Kontributi ynë është me formulimin e politikave publike që adresojnë sfidat socio-ekonomike e politike të Kosovës. Instituti funksionon si një grup i ekspertëve dhe titujt janë për qëllime teknike e burokratike. Rrjedhimisht, roli i institutit si një platformë për të prodhuar rekomandime të politikave është i pavarur prej nivelit burokratik.

Mundësia për liberalizimin e vizave sivjet është ende reale

“Epoka e re”: Z. Ilazi, pasi jeni zëvendësministër i Integrimit Evropian, kjo ministri ka mbetur pa ministër?
Ilazi: Ministria e Integrimit është një institucion kyç në Qeverinë e Republikës së Kosovës që bart mbi vete një përgjegjësi të jashtëzakonshme. Ministri i Integrimit është ura lidhëse ndërmjet Kosovës dhe BE-së, prandaj duke pasur parasysh këtë rol kaq të rëndësishëm, nuk e shoh si punë të lehtë emërimin e ministrit të ri, prandaj jam i bindur se kryetari i PDK-së po tregon kujdes të shtuar në këtë aspekt, sepse kjo është edhe mënyra se si komunikohet me BE-në. E rëndësishme është që ministri i ri të jetë një person me biografi të pastër dhe me kredenciale të nevojshme akademike e profesionale. Ajo çfarë dua të sqaroj është se në Ministrinë e Integrimit kemi më shumë se një dekadë përvojë institucionale në marrëdhënie me Bashkimin Evropian. Kjo ministri ka zyrtarë dhe ekspertë jashtëzakonisht të talentuar që gëzojnë respekt edhe në Bruksel të cilët po vazhdojnë angazhimin e tyre.

“Epoka e re”: Sa është afër Kosova liberalizimit të vizave, sepse ka shenja se këtë vit nuk do të ketë liberalizim të vizave si shkak i demarkacionit me Malin e Zi?
Ilazi: Rekomandimi për liberalizimin e vizave për Kosovën që u dha nga Komisioni Evropian në maj të këtij viti ishte një arritje e jashtëzakonshme. Ky rekomandim u dha sepse ne kishim përmbushur kushtet e udhërrëfyesit. Por, siç ka treguar edhe përvoja në të kaluarën, me dhënien e rekomandimit, Komisioni Evropian përfshiu elemente të reja në kuadër të kushteve, ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi dhe fuqizimi i luftës kundër krimit dhe korrupsionit. Me dhënien e rekomandimit në maj, rruga është hapur për Kosovën që sivjet ta marrë liberalizimin e vizave, mirëpo situata që u krijua në Kosovë kundër plotësimit të kushtit të ratifikimit të marrëveshjes së demarkacionit ka pezulluar procesin. Ne kemi parë se si Gjeorgjia dhe Ukraina kanë lëvizur më tutje, dhe nëse ne do ta kalonin demarkacionin, mbase në tetor do të merrej një vendim pozitiv edhe për Kosovën. Por, çështja e demarkacionit është shndërruar në një çështje të djeshme. Shpresoj se do të gjendet vullneti politik për të gjetur një zgjidhje që përderisa adreson shqetësimet që janë ngritur, po ashtu i mundëson Kosovës përmbushjen e kushtit. Mundësia për liberalizimin e vizave sivjet është ende reale nëse lidershipi politik reagon me kohë dhe ka një zgjidhje të qëndrueshme./Epoka e re

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Dr Fitim Goga, emërohet UD i Drejtorit Mjekësor të Spitalit të Ferizajt

Ditë më parë, Dr Fitim Goga, është emëruar UD i Drejtorit të Spitalit të Ferizajt. Emërimi i tij lidhet me...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img