20,04,2024

Ilaçi i ri kundër kancerit 93 për qind efektiv me pacientët pediatrikë

Must Read

Rezultatet e një prove klinike të ilaçit larotriptinib, i cili e kishte një normë suksesi prej 75 përqindësh në një provë të mëparshme klinike me të rriturit, janë cilësuar “të papara” deri tani nga studiuesit.

Një ilaç i ri kundër kancerit, i quajtur larotrectinib, ishte efektiv në 93 për qind të pacientëve pediatrikë të testuar në një provë klinike të fazës 1, njoftuan hulumtuesit.

Hulumtuesit në Qendrën e Kancerit Simmons në Universitetin e Teksasit Perëndimor në Dallas e testuan larotrectinibin, i cili e shënjestron një gjen të bashkuar të quajtur TRK, i cili gjendet në shumë lloje të kancerit në një provë klinike. Gjetjet u publikuan ditë më parë në “The Lancet”.

Larotrectinibi është ilaçi i parë kundër kancerit, i cili do ta marrë emërtimin e terapisë revolucionare nga FDA për pacientët me një bashkim specifik të dy gjeneve në qelizën e kancerit pavarësisht nga lloji i kancerit.

“Në disa kancere, një pjesë e gjenit TRK është bashkuar me një tjetër gjen, i cili quhet një bashkim (fuzion)”, tha në një komunikatë për shtyp, dr. Ted Laetsch, asistent profesor i pediatrisë në UT Southwestern dhe autor kryesor i studimit, transmeton Koha.net. “Kur kjo ndodh, çon në atë që gjeni i TRK të aktivizohet kur nuk duhet të jetë i aktivizuar dhe kjo bën që qelizat të rriten në mënyrë të pakontrolluar. Ajo çfarë është unike për ilaçin është se është shumë selektiv; ai vetëm i bllokon receptorët TRK”.

Këto fuzione/bashkime të TRK ndodhin në disa kancere të shpeshta tek të rriturit, por ato shfaqen shpesh në kanceret e rralla pediatrike, duke përfshirë fibrosarkomën foshnjore, nefromën qelizore kongjenitale mesoblastike dhe kancerin papilarë të tiroides.

Larotrectinib, i zhvilluar nga Loxo Oncology Inc., është pjesë e klasës së molekulave të njohura si frenuesit e kinazës, të cilat e shkurtojnë aktivitetin enzimatik të një reaksioni kyç qelizor.

Provat e Fazës 1/2 filluan në dhjetor të vitit 2015 dhe janë planifikuar të përfundojnë në dhjetor 2019 me 92 pjesëmarrës.

“Çdo pacient me një tumor solid fuzion-pozitiv TRK të trajtuar në këtë studim përjetoi tkurrje të tumorit”, tha Laetsch. “Shkalla e reagimit pothuajse universale e parë me larotriptinib është e paparë”.

Studimi u krye në tetë vende në Shtetet e Bashkuara midis 21 dhjetorit 2015 dhe 13 prillit 2017, në mesin e 24 pjesëmarrësve që variojnë nga mosha 1-mujore deri në 21 vjeç. Shtatëmbëdhjetë kishin fuzione të TRK dhe shtatë nuk kishin.

Të gjithë, përveç një pacienti me TRK, e arritën një “reagim objektiv”, sipas studiuesve. Përjashtimi i vetëm kishte regres të tumorit, i cili nuk i plotësoi kriteret për reagim objektiv.

Reagimi ndaj ilaçit vazhdoi në afat të gjatë për shumicën e pacientëve, thanë hulumtuesit.

“Për disa prej ilaçeve të shënjestruara në të kaluarën, shumë pacientë reaguan fillimisht, por pastaj rezistenca u zhvillua shpejt. Deri më sot, reagimi ndaj këtij ilaçi duket të jetë i qëndrueshëm në shumicën e pacientëve”, tha Laetsch, përcjell Koha.net.

Një paciente, 13-vjeçarja Briana Ayala nga El Paso, Teksas, u operua dy vjet më parë në Children Health në Dallas për ta larguar një tumor dhe pjesë të aortës së mbështjellë rreth tij. Kanceri u kthye dhe nuk kishte trajtim të mëtejshëm.

Por ajo ishte një përputhje gjenetike për provën e ilaçit dhe pasi që e mori ilaçin oralisht dy herë në ditë, tumori u tkurr dhe dhimbja u reduktua.

Ayala dhe asnjë nga pjesëmarrësit e tjerë nuk e lanë studimin për shkak të efekteve anësore të shkaktuara nga ilaçi. Trajtimet e tjera të kancerit zakonisht shoqërohen me efekte anësore.

Larotrectinibi gjithashtu e kishte një normë efektive reagimi prej 75 përqindësh në mesin e të rriturve në një provë të veçantë. Rezultatet u publikuan në New England Journal of Medicine.

Në të ardhmen po planifikohen prova për një ilaç të ngjashëm për pacientët, të cilët kanë zhvilluar rezistencë gjatë provave.

.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Vrasje e mbetur në tentativë në Ferizaj

Me datën 19.04.2024 në ora 17:47 policia rajonale e Ferizajt ka pranuar një informatë se në udhëkryqin e rrugëve...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img