28,03,2024

‘Ibrahim Rugova, një ndër burrat e rrallë të kombit shqiptar’

Must Read

At Zef Pllumi mes të tjerash, figurën e Ibrahim Rugovës e ka qujatur si një ndër burrat e rrallë të kombit shqiptar, ndoshta më i rralli ndër shekujt e fundit, kurse shkrimtari i famshëm Ismail Kadare për Ibrahim Rugovën ka thënë se Rugova është pjellë e një kombi, e një aspirate dhe e një qytetërimi, botës shqiptare, shkruan KultPlus.

Shkrimtari shqiptar Ndue Ukaj, në 72 vjetorin e lindjes së ish presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, sikurse e ka qujatur ai, Ati i Pavarësisë së Kosovës ka specifikuar se për figurën e tij kanë folur e shkruar shqiptarë e të huaj. Mirëpo, Ukaj ka ndarë dy vlerësime për figurën e Rugovës, poashtu nga dy figura të mëdha shqiptare, atë të At Zef Pllumit dhe Ismail Kadaresë. “Për të kanë folur e shkruar shqiptarë e të huaj. Mua më pëlqen, sot, të veçoj, vlerësimet e Át Zef Pllumit dhe Ismail Kadaresë”, ka shkruar Ukaj.

Më poshtë po ju sjellim vlerësimet e At Zef Pllumit dhe Ismail Kadaresë, mbi figurën e Ibrahim Rugovës.


Át Zef Pllumi

“Nji ndër burrat e rrallë të kombit shqiptar. Ndoshta ma i rralli ndër shekujt e fundit. Sepse na cilsohemi, simbas tjerve, popull hakmarrës, i pamëshirshëm e shkatrrimtar. Ai u përpoq me spjegue shkrimtarin e madh kosovar Pjetër Bogdanin, ndërkaq Pjetër Bogdani zotnoi shpirtin e Ibrahim Rugovës. I përpoq mendimi i tyne i perbashktë: liria e popullit kosovar. Caktoi me ndjekë rrugën e tij si ma të drejtën për nji Kosovë të lirë e të pamëvarun prej gjithkujt. Ai pati vizionin e themeluesve të Europës së bashkueme. Atje mendonte me shti edhe vendin e vet Kosovën, por pa i shkaktue vuejtje as gjak kurrkuj, prandej edhe kje thirrë “Gandi kosovar”. U sha e u luftue nga serbët, u sha e u luftue nga shqiptarët, u sha e u luftue edhe nga kosovarët e vet, por ai kishte si drejtim vetëm vizionin europjan. Kje trim e nuk çau kryet për kurrnji kritikë e të shame, sepse ai ishte ma i dijtuni, e ma i urti i të gjithve. Vazhdimisht pat kritika në shtypin Kosovar për dy fotografi që mbante në zyrën e tij: atë të Nanë Terezës, si dhe atë të Gjon Palit të dytë ose Woitil-ës Papë. Mbas të gjitha kritikave, ai vazhdoi t’i mbante deri ditën e fundit të jetës, jo vetëm se i kishte zgjedhë si model të jetës s’vet sepse Gjon Pali i dytë kje luftari ma paqsor mbi tokë, i cili ia duel me shkatrrue dy ideologjitë ma kriminale të shekujve, nazizmin e komunizmin internacional, ndërsa Nana Terezë shqiptarja qi mori çmimin “Nobel për paqen”, e propozueme nga nji komb i largët për të mirat që i kish dhanë njerëzimit, nji kohë kur në vendin e vet nuk lejohej me ardhë as sa me nderue vorrin e nanës së vet.”


Ismail Kadare

“Ibrahim Rugova, kolosi i brishtë i Kosovës” (frele), siç është quajtur shpesh, është një president “sui generis”. President të tillë, pa armë, pa zyre, pa ushtri, mund të tallen e të keqtrajtohen nga ta që i kanë të gjitha këto, ashtu siç e tallën dhe i vunë kurorën me gjemba Krishtit. E në të vërtet serbëve u pëlqen të tallen ashtu. E megjithatë, ky president pritet ndërkaq prej shefave të shteteve, çka jep shpresë se bota dika ka mësuar, së paku nga historia e Krishtit…
Rugova është pjellë e një kombi, e një aspirate dhe e një qytetërimi, botës shqiptare. Kjo botë ka nevojë sot të mbrohet.” Ibrahim Rugova ka lindur më 2 dhjetor, në vitin 1944, kurse ka vdekur më 21 janar të vitit 2006.

.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Prof. Asoc. Dr. Arbresha Meha sjell inovacion dhe praktika të mira të bashkëpunimit ndërmjet akademisë dhe industrisë nga Austria në Kosovë

Në një kohë kur bashkëpunimi ndërmjet akademisë dhe industrisë po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për zhvillimin e...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img