29,03,2024

Futbollisti i njohur ha byrek ditën dhe natën (FOTO)

Must Read

Pesë gola në Superiore dhe potencë në fushën e blertë e kanë bërë sulmuesin e Partizanit, Kaleb Ekuban, një ndër lojtarët e rëndësishëm në sulmin e kuq. Italo-ganezi, që është afruar gjatë merkatos së verës nga ekipi i dytë i Kievos, rrëfehet në një intervistë për “Panorama Sport” në lidhje me aventurën e tij në Shqipëri, marrëdhëniet me tifozët dhe ushqimet që preferon.

Ekuban Partizani 2016

Si e keni pritur transferimin te skuadra e Partizanit gjatë merkatos së verës?

Me ankth, pasi kur m’u komunikua që do të luaja te Partizani, te them të drejtën nuk e prisja një rast më të mirë për të rritur nivelin tim në futbollin europian.

Para se të vinit zyrtarisht në Shqipëri, keni folur me dikë për ta pyetur në lidhje me futbollin shqiptar?

Po, kam telefonuar bomberin e “vjetër”, Elton Marinin, i cili ka qenë edhe pjesë e transferimit tim te Partizani. Më ka thënë që në Shqipëri luhet një futboll pak taktik, por shumë fizik dhe, një gjë të tillë, jam duke e parë edhe në fushë.

Ju desh pak kohë që të dilnit në lojën tuaj më të mirë dhe të shënonit golin e parë. Përse ndodhi një gjë e tillë?

Realisht nuk di çfarë të them në lidhje me këtë gjë, pasi nuk kam shënuar në tri javët e para të kampionatit dhe mendoj se një gjë e tillë mund të ketë ardhur edhe për shkak se më duhej pak kohë që të ambientohesha me pjesën tjetër të ekipit.

Tani që ka mbaruar faza e parë e kampionatit, cili është mendimi juaj për futbollin shqiptar?

Siç e thashë edhe më lart, që është një futboll i fortë fizikisht, por jo shumë faktikisht dhe kjo e bën më të fortë, pasi çdo skuadër mund të tregojë më të mirën e saj. Mund të them se niveli është i mirë.

Në ndeshjen ndaj Skënderbeut kishit një rast të artë për të shënuar. Pasi kaluat edhe portierin gjuajtët, por një nga mbrojtësit ju mohoi golin. Çfarë menduat në momentin që goditët?

Mendova që, më në fund, Partizani është në vendin e parë në klasifikim. Por, më pas, e pamë se çfarë ndodhi, ishte thjesht çështje centimetrash.

Keni një koment në lidhje me atë që ndodhi me tifozët e ekipit tuaj në ndeshjen ndaj Skënderbeut?

Sinqerisht nuk e kam kuptuar se çfarë ka ndodhur, por mendoj se tifozët tanë ishin viktimë e një dhune të pajustifikueshme. Ata janë fantastikë dhe vijnë gjithmonë në stadium për të na mbështetur ne, që luajmë në ekipin e tyre të zemrës. Më vjen shumë keq për atë që ka ndodhur.

Jeni përballur ndonjëherë në të kaluarën me një ngjarje të tillë?

Personalisht jo, pasi aty ku kam luajtur, nuk kam parë asnjëherë kaq shumë pasion nga tifozët, sa kanë ata të Partizanit. Është e pabesueshme, pasi ecën nëpër qytet (Tiranë) dhe përballesh gjithmonë me tifozë të Partizanit. Ata të mbështesin gjithmonë në stadium dhe, më pas, duan që të shikojnë nga afër, të takojnë kur përfundon ndeshja dhe kjo i bën unik. Ne luajmë në Elbasan, jo në shtëpi dhe ata nuk kanë munguar në asnjë ndeshje. Kjo më bën të kuptoj që nuk mund të mos japësh maksimumin për këtë skuadër kur je pjesë e një kauze të madhe.

Ekuban gol

Sa shanse ka Partizani që të fitojë titullin kampion këtë sezon futbollistik?

Shumë dhe një gjë të tillë e kemi treguar deri më tani. Tani nuk na mbetet asgjë më shumë veçse të luajmë në një nivel të lartë dhe t’i vëmë gjithmonë në vështirësi rivalët tanë.

Të flasim pak për jetën jashtë futbollit. Si e kalon një ditë normale Ekuban?

Bëj një jetë të qetë dhe dal gjithmonë, sidomos kur më vjen e fejuara për vizitë. Nëse ajo nuk është, unë jam në palestër, shtëpi, në stërvitje dhe zakonisht në ndonjë bar. Unë kam shumë qejf që të shoh ndeshje të ndryshme dhe të luaj në “play-station”. Por, po ashtu kam shumë dëshirë që të dëgjoj muzikë. Kështu që shumicën e kohës sime e kaloj në shtëpi.

Gjatë periudhës që jeni te Partizani, keni vizituar ndonjë qytet tjetër shqiptar përveç Tiranës?

Për fat të keq jo. Megjithëse, mund të them se kam parë Durrësin. Tirana më pëlqen shumë, është një qytet modern dhe unë mendoj se pas disa vitesh do të jetë akoma edhe perfekt, që do ta bëjë edhe më shumë të bukur.

Keni provuar ushqime tradicionale shqiptare dhe, nëse po, cili është ai?

Byrek, byrek. Mund ta konsumoj ditën dhe natën. Më pëlqen shumë.

Do të qëndrojë Ekubani për një kohë të gjatë te Partizani?

Për të ardhmen nuk mendoj asnjëherë, pasi është më mirë që të jetoj momentin. Tani shtëpia ime është Partizani dhe e di që, nëse do të qëndroj këtu për një kohë të gjatë, do të jem gjithmonë i mirëpritur dhe kjo është gjëja më e rëndësishme.

Parashikoni ndeshje të futbollit dhe fitoni dhjetëra shpërblime, duke përfshirë një iPhone 7 dhe Samsung Galaxy S6.

.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Prof. Asoc. Dr. Arbresha Meha sjell inovacion dhe praktika të mira të bashkëpunimit ndërmjet akademisë dhe industrisë nga Austria në Kosovë

Në një kohë kur bashkëpunimi ndërmjet akademisë dhe industrisë po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për zhvillimin e...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img