20,04,2024

Funksionimi dhe organizimi i KF Ferizaj

Must Read

KF FERIZAJ, qysh prej pavarësimit të futbollit Kosovarë (1991), ka funksionuar duke u bazuar në mbështetjen e dashamireve lokal të futbollit, të bizneseve të fuqishme të qytetit, si dhe vetë dëshirës së madhe të futbollistëve të atëhershëm për ta mbajtur gjallë këtë sport në Komunën tonë dhe si kundërpërgjigje ndaj regjimit të atëhershëm serb.

Me përfundimin e luftës në vitin 1999, u krijuan rrethana të reja dhe pritej një organizim më i mirë dhe i mirëfilltë, por duke mos qenë të pranuar në UEFA dhe FIFA në përgjithësi futbolli Kosovar çaloi mjaft shumë e njëkohësisht edhe futbolli Ferizajas, dmth edhe KF Ferizaj.
Që nga 1999 KF Ferizaj, si klub futbollistik publik ka zhvilluar gara herë në superligë e herë në ligën e parë të Kosovës, duke mos pas një stabilitet si klub i një prej qyteteve më të forta financiarisht të Kosovës. Ferizaj si qytet me rrethinë, mendoj unë, ka kapacitet të mjaftueshëm të lojtarëve që qyteti ta ketë dhe ta mbajë me sukses një ekip në super ligën e Kosovës, mendimi im është se edhe staf të trajnerëve ka të nivelit mesatarë, dmth nuk ka nevojë për harxhime për trajnerë, por për mbështetjen e atyre që i kemi, vendasve. Për staf mbështetës administrative nuk ka problem, ka me bollëk, veç duhet vullnet nga menaxhmenti i klubit. Por problem kryesorë për mbarëvajtjen dhe funksionimin e një klubi futbollistik janë, financat dhe infrastruktura (stadioni).
KF Ferizaj deri më tani funksionon si OJQ (organizatë jo qeveritare), dmth është pronë e anëtarësisë së sajë, mirëpo duke mos pas mundësi të funksionimit të klubit pa financa, klubi gjithmonë iu është drejtuar komunës me kërkesë për mbështetje financiare për funksionimin e tij. Komuna për ç’do vit e ka mbështetur klubin me një shumë të caktuar varësisht prej mundësive buxhetore, mirëpo kjo shumë kurrë nuk ka qenë e mjaftueshme për përfundimin normal të një kampionati (një viti futbollistik), për këtë arsye komuna ç’do herë ka kërkuar donacione nga kompanitë e fuqishme të qytetit në mbështetje të klubit. Varësisht prej asajë se cila parti politike ka qenë në pushtet, pushteti ka ofruar te klubi kompanitë të lidhura me atë parti politike, ka edhe të atilla kompani që vazhdimisht e kane ndihmuar klubin si psh “HIB PETROL”, dhe kështu ka shkuar funksionimi i klubit, por kurrë njëherë s’është bërë një plan që klubi të jetë stabil pa marrë parasysh kush është në pushtet.
Komuna ka gabuar kur duke u sjellë si pronare e klubit dhe është përzier në kompetenca të klubit (OJQ), duke emëruar kryetar klubi, drejtor klubi, drejtor shkolle futbolli etj, në baza politike, e kurrë duke mos marrë parasysh ligjin për OJQ-të. Organi më i lartë i klubit (OJQ) është kuvendi i klubit i cili nuk do të duhej të lejonte përzierjen e komunës në çështje të politikës dhe financave të klubit(organizatës), si dhe në përzgjedhjen e zyrtarëve në klub, por duke e marrë parasysh se organet e klubit nuk kanë vepruar konform statutit të klubit dhe ligjit për OJQ-të, ka vazhduar dhe vazhdon kjo gjendje apatie. Kjo dikujt sigurisht që i konvenon, e më së shumti atyre zyrtarëve që gjatë kësaj kohe kanë qenë dhe janë pjesë e klubit dhe nuk bëjnë zë.
Kuvendi i klubit nuk është mbledhur më shumë se 10 (dhjete) vite, atëherë kujt i kanë dhënë llogari zyrtarët e klubit, si: kryetarët, drejtorët, sekretari i përhershëm i klubit etj. Kuvendi i klubit, në bazë të ligjit do të duhej të mbahej se paku një herë nē vit ku do të shqyrtoheshin raportet për shpenzimet e vitit të kaluar si dhe do të analizohej plani për vitin e ardhshëm. Kjo nuk ka ndodhë, pra kur nuk funksionojnë këto organe, nuk ka se si të funksionoj mirë klubi!
Tashmë jemi në prag të zgjedhjeve lokale, dhe grupe të caktuara të afërta me parti politike, pretendojnë se me ardhjen në pushtet të kësaj apo asaj partie politike kështu apo ashtu do të bëhet me klubin, çka është në kundërshtim me çdo logjike sportive, por pa marrë parasysh kush vjen në krye të komunës, komuna do të duhej që KF Ferizaj ti jep mbështetje si ligjore po ashtu edhe infrastrukturore, ligjore duke ofruar kuadër me njerëz të fushës deri në forcimin e klubit dhe infrastrukturore në mirë mbajtjen e stadionit.

SI DO DUHEJ TË ORGANIZOHEJ KLUBI!

Gjithsesi se KF Ferizaj në të ardhmen do të duhej të organizohej si Shoqeri Aksionare (SH.A), duke u bazuar në ligjin për shoqëritë tregtare. Do duhej të mblidhet Kuvendi i Klubit, nëse anëtarësia nuk ka vullnet ta bëjë këtë, komuna ta inicioj këtë gjë për të mirën e futbollit, dhe bashkërisht me ndihmën edhe të komunës, të përpilohej një plan si organizativ po ashtu edhe financiar, duke bashkë punuar me njohësit e futbollit, me ekonomistë, me juristë etj, dhe të arrihet te një llogari minimale financiare me të cilen klubi do të mund të funksiononte pa problem një vit futbollistik. Në bazë të kësaj llogarie edhe komuna do të ishte një prej Aksionarëve, duke marrë pjesë me aq mjete sa ka dhënë për çdo vit si mbështetje për klubin dhe për pjesën tjetër të llogarisë do të hapej për subjektet private, sidomos ndaj atyre të cilat kanë kontribuuar në vazhdimësi për klubin dhe të cilat janë të interesuara të investojnë në aksione. Komuna edhe do ta ruante interesin publik të klubit si dhe mbështetjen ndaj ish futbollistëve të cilët kanë dhënë shumë për mbajtjen gjallë të klubit, ndërsa investitorët privat (ish donatorët) do të pretendonin se investimi varësisht prej suksesit të klubit një ditë mund të iu kthehet. Duke e marrë parasysh se futbolli është një industri shumë e zhvilluar dhe profitabile në botë, me një menaxhim të mirëfilltë sigurisht se edhe në Ferizaj kjo do të arrihej kur kemi parasyshë se kemi një rini të zhvilluar mirë e edhe të talentuar sa i përket futbollit. Dhe sigurisht se në një të ardhme jo të largët edhe investitorëve do të iu ktheheshin investimet në formë dividente.
Mënyra e angazhimit të ish lojtarëve të cilët kanë interes të punojnë dhe ndihmojnë klubin, si dhe e ish lojtarëve të cilët kanë licenca trajnerësh do të rregullohej me rregullore të brendshme më pastaj.
Kjo është vetëm një prej ideve të mundshme.

Sa u përket stadioneve (fushave të futbollit), të cilat janë pronë e komunës, tashmë janë dy (ka nevojë edhe për më shumë), stadioni me bari sintetik i financuar nga KE-komisioni evropian dhe stadioni i vjetër i qytetit ‘Ismet Shabani’, shfrytëzimi i tyre do të duhej të rregullohej me rregullore komunale ku edhe do të përcaktohej çmimi i shfrytëzimit të stadioneve nga klubet private dhe nga klubet tjera. Për momentin stadionin e shfrytëzon kush qysh mundet, KF Ferizaj është prioritar. Stadioni me bari sintetik i cili është ndërtuar së voni për momentin nuk është duke u mirëmbajtur si duhet, ka papastërti, ka prishje të rrethojave, shpeshherë nuk ka ujë etj. Komuna nuk arriti që këtë stadion ta bëjë atraktiv për qytetarët ferizajas dhe dashamirët e futbollit, duke mos funksionalizuar një byfe në hapësirat e stadionit për vizitorët e rastit si dhe një mirëmbajtje më cilësore të stadionit së paku me një të punësuar të përhershëm aty, aty vetëm një roje shohim, ndërsa për stadionin e vjetër Ismet Shabani çka të themi, aty ka filluar ndërtimi i disa tribunave por as nuk janë ndërtuar e as stadioni nuk mund të shfrytëzohet, një gabim i madh nga pushteti i tanishëm, fillimi i punimeve pa planifikim të mirëfilltë dhe pas pak kohe edhe bllokim i punimeve e edhe bllokim i shfrytëzimit të fushës së gjelbër, ndërsa as edhe një reagim nga partitë opozitare nuk e kam dëgjuar deri më tani, e turpshme!
Stadioni me bari sintetik do të duhej ti jepej KF Ferizaj me kontratë afatgjate ndërsa stadioni i vjetër të shfrytëzohet për kategori të reja dhe klubet tjera të qytetit, apo edhe forma tjera të shfrytëzimit të tyre.

ARDIAN JASHARI – ish futbollist

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Vrasje e mbetur në tentativë në Ferizaj

Me datën 19.04.2024 në ora 17:47 policia rajonale e Ferizajt ka pranuar një informatë se në udhëkryqin e rrugëve...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img