29,03,2024

Ferizaj së shpejti me Stadium të Ri sipas standardeve të UEFA-s dhe FIFA-s

Must Read

Këtë mëngjes, në Komunën e Ferizajt, për vizitë zyrtare qëndroi delegacioni i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, prirë nga Ministrja Vlora Dumoshi, zëvëndësministrat Halil Matoshi dhe Muharrem Svarqa, sekretari i MKRS-së si dhe drejtorja e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore, Vjollca Aliu.

Mysafirët u pritën nga nikoqiri, i pari i Ferizajt, Agim Aliu që shoqërohej edhe nga drejtorja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Xhemile Murati Shabani si dhe drejtori i Urbanizmit dhe Mjedisit, Lulzim Aliu. Temë bosht e diskutimeve mes Kryetarit Aliu dhe ministres Dumoshi ishin investimet që po kryhen e pritet të ndodhin në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit. Janë projektet si ndërtimi i Pallatit të Kulturës, fushave të tenisit, pingpongut, pishina gjysmëolimpike, renovimi i Kishës Katolike e të tjera që po i japin me plot bindje Ferizajt epitetin e kryeqendrës kulturore.

Një nga projektet kryesore që u diskutuan në takimin e sotëm ishte edhe ndërtimi i Stadiumit të Ri të Qytetit, sipas standardeve më të larta të kërkuara nga UEFA e FIFA, konfirmim ky që mori Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu nga ministrja Dumoshi.
Falënderues për këtë projekt shumëmilionësh por edhe projekte të tjera u shpreh i pari i Komunës, Agim Aliu i cili tha se këto projekte, por edhe projekte të mëparshme, janë dëshmi e një konsistence, mbështetje të vazhdueshme nga MKRS.

“Falënderoj sot ministren Dumoshi, ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit që së bashku me zëvendësministrat, sekretarin dhe zyrtarët për trashëgimi kulturore, kanë ardhur në Ferizaj që edhe njëherë të japin përkushtimin, vullnetin, garancinë dhe konsistencën për projektet të cilat kanë qenë dhe do të jenë vijimësi e punës dhe e realizimit, për një qytet, për një Komunë që paraqet rëndësi të madhe për vet Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe që praktikisht për të vërtetur edhe njëherë se Ferizaj tashmë paraqet një ndër komunat, respektivisht qytetet me një epitet që pas Prishtinës, mund të quhet edhe kryeqytet kulturor, sepse është shumë i begatë me ngjarje dhe zhvillime, por edhe aktivitete kulturore. Sigurisht se të gjitha këto zhvillime kulturore, nuk do të ishin të mundura pa patur një mbështetje nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, prandaj në emër të gjithë artdashësve, krijuesve, performuesve e falënderoj ministren që ka siguruar mbështetje e poashtu sot është zotuar që përkundër vështirësive që ka sjellur koha, pandemia COVID-19, Ministria dhe Komuna kanë përkushtimin që të vazhdoj mbështetjen për komunitetin kulturor, por e veçanta e vizitës së ministres Dumoshi se jo vetëm në kuptimin e mbështetjes për aktivitetet kulturore por aktivitetet duhet të zhvillohen në ambientet, objekte të cilat i plotësojnë kushtet dhe kriteret për t’u lartësuar, për t’u ngitur edhe në nivel më të lartë këto, prandaj sot kemi zotimin e ministres që shumë shpejt ne edhe do të vëmë gurthemelin e fillimit të Pallatit të Kulturës, i cili është një objekt që është i pari i këtij lloji në Republikën e Kosovës, e që praktikisht do të mundësoj kushte më të mira për të gjithë artdashësit, krijuesit dhe qytetarët tanë të cilët përcjellin këto ngjarje. Një ndër temat që diskutuam ishte edhe ndërtimi i Stadiumit të Ri dhe ne sot kemi marr zotimin nga ministrja se do të mbështesë ndërtimin e Stadiumit të Ri, meritor për qytetarët, por mbi të gjitha për futbollistët dhe futbolldashësit ferizajas, stadium ky që do të jetë sipas standardeve të UEFA-s dhe FIFA-s” tha mes tjerash Kryetari i Komunës, Agim Aliu.

Në anën tjetër, Ministrja Dumoshi tha se përveç projekteve që aktualisht po realizohen në Ferizaj, do të ketë edhe projekte të reja, të cilat begatojnë jetën kulturore, rinore dhe sportive në qytetin tonë.

“Ne e dijmë që qyteti i Ferizajt, ka një histori, sidomos në pjesën e kulturës, andaj e gjithë biseda jonë e cila u shtri sot bashkë me Kryetarin dhe të tjerët ka qenë në pjesën kulturore, sportive dhe të trashëgimisë. Ne jemi në muajin e Trashëgimisë Europiane ku Ministria e Kulturës është duke bërë aktivitete me një agjendë shumë të ngjeshur, ne këtu kemi, trashëgiminë më të bukur të këngës folklorike, pra “Kosovarja Këndon”, ku u pajtuam që sa më shpejt të sillet dosja që komisioni ynë ta fus në pjesën e trashëgimisë shpirtërore. Sa i përket teatrit, sivjet është 50 vjetori i Festivalit që e shënon Ferizaj. Ky është një jubilee mjaft i rëndësishëm dhe ne jemi me projektin e restaurimit të Teatrit të Qytetit të Ferizajt” ku ndër të tjera ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit shtoi edhe numrin e madh të organizatave kulturore në Ferizaj që mbështeten çdo vit nga MKRS si dhe projektet kapitale që po realizohen në Ferizaj, siç është Palestra e Sporteve në Greme, fushat e tenisit, pingpongut, pishina gjysmëolimpike, e që tashmë u dha konfirmimi për ndërtimin e Stadiumit të Ri të Qytetit me një kapacitet të madh e standardet më të larta sportive.

Nikoqiri, Kryetari Aliu bashkë me Ministren Dumoshi, vizituan artistët e Festivalit “Mural Fest” në Ferizaj, ngjarje kjo e mbështetur nga Komuna e Ferizajt dhe MKRS, murale këto që po realizohen në brendi të projektit “Bashkimi i Qytetit”.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Prof. Asoc. Dr. Arbresha Meha sjell inovacion dhe praktika të mira të bashkëpunimit ndërmjet akademisë dhe industrisë nga Austria në Kosovë

Në një kohë kur bashkëpunimi ndërmjet akademisë dhe industrisë po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për zhvillimin e...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img