24,04,2024

Ferizaj dekoroi atdhetarët Gjon Serreqi, Adem Gllavica dhe Abdullah Musliu

Must Read

Kuvendi i Komunës së Ferizajt, në një mbledhje solemne, dekoroi sot me titullin “Nderi i Qytetit”, atdhetarët e shquar dhe luftëtarët për të drejtat kombëtare të popullit shqiptar: Gjon Serreçin, Adem Gllavicën dhe Abdullah Musliun.

Kryesuesi i Kuvendit të Komunës, Faruk Guri, bëri të ditur se nismën për këto dekorata, e ka dhënë Klubi i intelektualëve të Ferizajt. Ai tha se duke u dhënë tituj nderi këtyre figurave të historisë sonë, Ferizaj nderon veten dhe historinë e vet.

Dekoratat i dha kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa. Ai u tha të pranishmëve se ndihej i lumtur dhe i nderuar që në emër të Komunës së Ferizajt, iu dha mundësia ta ndajë titullin “Nderi i Qytetit” të Ferizajt për atdhetarët e shquar që lanë gjurmë të pashlyeshme në historinë e re të Kosovës, me orientimin e tyre të drejtë, me vizionin, trimërinë dhe sakrificën që bënë për të drejtat e popullit shqiptar.

“Gjon Serreqi, Adem Gllavica dhe Abdullah Musliu jetuan, punuan dhe luftuan për ëndrrën që shqiptarët të jetojnë të lirë e të bashkuar, në aleancë me popujt e Evropës Perëndimore. Ata madje kishin shpresa shumë të mëdha për mbështetjen e Perëndimit për idetë dhe luftën e tyre. Kjo mbështetje nuk iu dha atëherë, por, si një vizion pararendës, u realizua mbi gjysmë shekulli më vonë.
Dhënia e titullit “Nderi i Qytetit” të Ferizajt, nuk i bën këto personalitete as më të mëdha, as më të vogla se sa janë në të vërtetë, sepse historia tashmë ua ka caktuar vendin, në radhën e figurave të nderuara të kombit shqiptar. Ne vetëm u përpoqëm që në mënyrë modeste ta lajmë një borxh që na rëndonte prej kohësh: të bëjmë vetëm edhe një hap që do t’i shërbente ngulitjes në kujtesën tonë kolektive e individuale të këtyre figurave madhore, me të cilat krenohemi dhe shpresojmë të krenohen edhe brezat e ardhshëm”, tha kryetari Svarqa.

Duke shprehur nderimin më të thellë për punën, sakrificën dhe vetomohimin e këtyre personaliteteve, kryetari i Ferizajt ftoi Anton Serreqin, nip i Gjon Serreqit, që ta marrë dekoratën për:Gjon Serreqin, me motivacionin: “Atdhetar i shquar, veprimtar i palodhur gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe luftëtar deri në vetëflijim për lirinë dhe të drejtat e popullit shqiptar të Kosovës; ideator i orientimit dhe i bashkimit të popullit shqiptar me demokracitë europerëndimore, i sistemit pluralist dhe i vlerave kombëtare e demokratike, për të cilat e dha edhe jetën”.

Më tej kryetari Svarqa ftoi Ertur Musliun, që ta marrë dekoratën për babain e tij, atdhetarin Abdullah Musliu, me motivacionin: “Për angazhim të dalluar në të mirë të lirisë, të drejtave të popullit shqiptar jashtë kufijve të Shqipërisë gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore dhe për qëndrim disident ndaj pushteti komunist në ish – Jugosllavi, për ç’gjë u persekutua në dhjetëra burgje”.

Ndërsa dekoratën për Adem Gllavicën, kryetari Svarqa ia dorëzoi Bardhyl Selimit, të birit të Adem Gllavicës. Dekorata kishte këtë motivacion: “Intelektual i dalluar, luftëtar kundër mashtrimit ideologjik komunist të shqiptarëve gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore; atdhetar që jetoi me ëndrrën për Shqipërinë dhe për Kosovën e lirë, të bashkuara në një shtet dhe për aleancë të popullit shqiptar me popujt e Evropës Perëndimore”.

Në mbledhjen solemne e morën fjalën edhe të afërmit e të dekoruarve. Bardhyl Selimi falënderoi Klubin e intelektualëve dhe Komunën e Ferizajt. Ai theksoi se babai i tij tërë jetën ëndërroi dhe u përpoq për bashkimin kombëtar të shqiptarëve. Anton Serreqi vuri në dukje mungesën e përpjekjeve serioze pët t’i gjetur dhe rivarrosur eshtrat e Gjon Serreqit, në mënyrë që familiarët dhe të tjerët të kenë mundësi për t’i bërë homazhe veprës së Gjonit, ndërsa Ertur Musliu tha se babai i tij Abdullahu, kudo që jetoi, vazhdimisht e mbante në gojë emrin Kosovë.

Tubimit iu drejtua edhe veprimtari Adem Demaçi, duke i çmuar Gjon Serreqin, Adem Gllavicën dhe Abdullah Musliun si burra të mëdhenj të vendit tonë.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Arrestohet ish-zyrtari i gjendjes civile në Ferizaj, regjistroi shtetasin turk pa i plotësuar kriteret

Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Ferizaj, pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore për një periudhë kohore,...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img