29,03,2024

Edhe në Ferizaj shënohet 7-marsi-Dita e mësuesit

Must Read

Ferizaj.07.03.2018.Këtë të enjte në Tetarin e qytetit “Adriana” në Ferizajt, është shënuar 7-marsi-Dita e mësuesit.

Në këtë manifestim mori pjesë edhe Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, i shoqëruar edhe nga bashkëpunëtoret e tij. Me këtë rast Kryetari Aliu është shprehur se pesha historike e hapjes së shkollës së parë shqipe në Korçë, më 7 mars të vitit 1887, nuk mund të marrë dimensionin e duhur, pa një përshkrim të gjendjes së qytetërimit shqiptar para hapjes së saj, dhe arritjeve të tij, pas hapjes së saj.
“7 marsi i vitit 2018, na gjen në jubileun e 550 të vdekjes së Skënderbeut, i shpallur zyrtarisht si Viti i Skënderbeut. Na gjen në 140 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit dhe në 20 vjetorin e Epopesë së Jasharëve etj. Këta jubile, mblidhen në një pikë: qëndresë titanike te qytetërimit shqiptar kundër asimilimit dhe luftë shekullore e tij, për ruajtje e konsolidim të identitetit. Vetëm 35 nxënës shqiptarë kishte Mësonjëtorja e Korçës. Ndërsa, sot, vetëm 131 vjet pas hapjes së saj, anembanë trojeve shqiptare, në gjuhën e tyre amtare, në shkolla fillore, të mesme dhe univerzitete, mësojnë e studiojnë-rreth 2 milion nxënës e studentë shqiptarë”, është shprehur kryetari Aliu.

Ai tutje është shprehur se vetëm 131 vjet nga shkolla e parë shqipe, shqiptarët kanë dy shtete dhe janë me të drejta më të avancuara në shtetet fqinje.
“Por, kryesorja është që me nivelin e arsimimit të arritur deri më tani, është e pandalshme dhe e pakundërshtueshme rruga e integrimeve të reja brenda-kombëtare. Në Ferizaj, si edhe në tërë Kosovën, aktualisht ballafaqohemi edhe me sfida të ndryshme në jetën tonë arsimore. Por, i siguroj qytetarët tanë, prindërit, mësuesit e nxënësit, që jemi duke punuar me intensitet të shtuar në përmirësimin e mëtutjeshëm të kushteve për një arsim cilësor. Ferizaj, një qytet i dashurisë për shkollën, është tashmë një qytet edhe universitar. Por ambiciet tona janë që në të ardhmen ky nivel të rritet në një dimension edhe më shkencor se deri më tani. Duhet të besojmë më shumë në veten tonë dhe me një motivim të shtuar të përbashkët, jam i bindur se do t’ia dalim.Në këtë ditë të shënuar, kujtojmë me respekt të gjithë të rënët për lirinë. Në mënyrë të veçantë kujtojmë nxënësit, studentët dhe mësuesit heronj. Kujtojmë të gjithë mësuesit që dhanë kontribut në emancipimin e shkollës sonë, e që sot nuk janë në mesin tonë. Kujtojmë me mirënjohje kontributin e mësuesve që tashmë janë në pension. Këtyre ditëve, besojmë që përfundimisht dhe ligjshërisht, do të bëhet njohja e kontributit të mësuesve, në periudhën e vështirë, nga viti 1990 e deri në vitin 1999”, ka potencuar Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu.

Në këtë manifestim të pranishmit i ka përshëndetur edhe drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Ferizaj, Bashkim Hyseni. Ai ka theksuar se të jesh mësues është krenari dhe nder, dhe ndjenjë e veçantë në krejt botën.

“Por të jesh mësues shqiptar ishte edhe më e vështirë. Ta ushtrosh profesionin ne fshehtësi e me plot sakrifica në hundë të barbarëve e pushtuesve të shumtë. E të jesh mësues kosovar, gjithsesi ishte kulmi i sakrificës i përballur me një regjim të egër sllav. Mësuesit e Kosovës nuk e ndalën së ushtruari profesionin e tyre as në kohë pushtimi, as në burgje, as në kohë lufte dhe as pas saj. Mësuesit janë më meritorët për qëndresën historike kombëtare kundrejt pushtuesve. Mësuesit janë më meritorët për mbijetesën kombëtare gjuhësore e kulturore aq të pasur në trevat tona. Kjo e bën mësuesin kosovar e shqiptar më të veçantë se shumë të tjerë në botë. Kjo do të duhej të ishte edhe arsyeja që mësuesi ynë të trajtohej në mënyrë më të veçantë nga shoqëria jonë, nga familjet tona, nga politika e jonë. Duke i trajtuar dinjitetshëm mësuesit tanë dhe shkollat tona, duke i drejtuar investimet kah mësuesit dhe shkollat, ne ndërtojmë ardhmërinë tonë, perspektivën e fëmijëve tanë dhe e rrisim vlerën tonë kombëtare e ekonomike dhe faktorizohemi edhe më fuqishëm para botës së zhvilluar. Thjesht thënë para mësuesve nuk ka dhe nuk duhet të ketë justifikime”, tha Hyseni.

Ndërsa në emër të pensionistëve, kryetarin Aliu dhe të gjithë të pranishmit i ka përshëndetur profesori shumëvjeçare Sadri Aliu. Ai ka evokuar kujtime të shumta gjatë kohës sa kishte punuar si profesor edhe në shkollën ekonomike “Faik Konica” në Ferizaj.

Për të pranishmit, është shfaqur edhe një program i pasur kulturo-artistik i përgatitur nga nxënësit e shkollës së muzikës “Çesk Zadeja”, në Ferizaj, ndërkaq të gjithë mësimdhënësve të cilët dolën në pension nga marsi i vitit të kaluar deri më sot, ju nda nga një mirënjohje në shenjë falënderimi për kontributin e dhënë ndër vite.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Prof. Asoc. Dr. Arbresha Meha sjell inovacion dhe praktika të mira të bashkëpunimit ndërmjet akademisë dhe industrisë nga Austria në Kosovë

Në një kohë kur bashkëpunimi ndërmjet akademisë dhe industrisë po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për zhvillimin e...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img