23,04,2024

“E bardha që vret” është titulli i ri i librit të autorit Shklezen Marevci

Must Read

Abuzimi me drogat është bërë një dukuri shqetësuese dhe tejet e rrezikshme kudo në botë. Ky fenomen ka ndikuar dhe vazhdon së ndikuari në shkatërrimin e shumë jetëve të të rinjve dhe gjithashtu është bërë faktori kryesor për prishjen dhe rrënimin e raporteve familjare e shoqërore.
Bazuar në këtë gjendje, ky libër nëpërmjet personazheve të shumta, jep shpjegime të mjaftueshme se si një i ri fillon të bëhet përdorues droge, tregon gjithashtu për vuajtjet e narkomanëve dhe të familjarëve të tyre, si u kthehet jeta në ferr dhe si vdesin nga mbidoza apo vetëvrasja.
Nëpërmjet personazheve të këtij libri hidhet dritë mbi ndryshimin e karaktereve te disa të rinj, se si ata shndërrohen në krijesa aq të dhunshme dhe vrastare, si shndërrohen në kriminelë dhe grabitës, si shndërrohen në prostituta vetëm e vetëm që të sigurojnë një gram drogë sa për të shuar zjarrin e vartësisë së ndezur përbrenda gjakut të tyre të helmuar nga shpirtligët që pasurohen duke helmuar rininë…
Ferizajpress: Z. Marevci, para pak dite doli nga botimi libri (romani) juaj i titulluar ‘’E bardha që vret’’, çka mund të na thoni më konkretisht për këtë libër, për çka bëhet fjalë dhe si ju lindi ideja?
Z.Marevci: Fillimisht ju falënderoj për mundësin, që nëpërmjet portalit tuaj të flas shkurtimisht për librin tim të sapo botuar. Ideja për ta shkruar këtë libër më ka lindur nga dhembshuria dhe dashuria që kam për rininë. Deshëm apo jo, shteti jonë nuk është duke bërë aq sa duhet për rininë dhe për këtë flet më së miri numri në rritje i abuzuesve me droga. Pra, kjo është arsyeja kryesore pse unë merrem me dukurit apo problemet sociale të cilat kanosin rininë.
Ferizajpress: Në fakt ju jeni autor i disa librave që lidhen me sfidat kanosëse për rininë. Libri i parafundit, me sa di unë, ka qenë ‘’Sulmuesi vetëvrasës’’? i cili libër gjithashtu lidhej me problemet sociale që rrezikojnë të rinjtë.
Z.Marevci: Po, me që i takoj fushës së sigurisë, dua me gjitha forcat që kam të jam mbrojtës i të rinjve. Për mendimin tim, ekstremizmi dhe radikalizmi i cili shpije në terrorizëm, si dhe abuzimi me drogat, janë problemet më serioze të cilat e kanosin rininë, prandaj dhe merrem më shumë me këto dy tema.
Ferizajpress: Z. Marevci, pse mendoni që libri i sapo botuar ‘’E bardha që vret’’ do t’iu ndihmoj të rinjve?
Z.Marevci: Sepse nëpërmjet personazheve të librit jam munduar që të shpjegoj apo t’jua qartësoj rrugën e cila i devijon të rinjtë dhe rrugën se si ata mund të ruhen nga kjo sfidë.
Ferizajpress: Z. Marevci, libri (romani) është i bazuar në ngjarje të vërteta apo në fiksion letrar?
Z. Marevci: Ka nga të dyja nga pak.
Ferizajpress: Na i shpjego të lutem, si ka nga të dyja nga pak.
Z.Marevci Atëherë, personazhet dhe ngjarjet janë të bazuara në fiksionin letrar apo thënë ndryshe janë të bazuara në imagjinatë, ndërsa emocionet e librit janë të vërteta, sepse për ta shkruar këtë libër kam intervistuar narkoman dhe familjarë të tyre, psikolog e sociolog dhe gjithashtu kam intervistuar edhe zyrtar policie e gardian burgjesh. Prandaj, të gjitha ato përjetime të narkomanëve e familjarëve të tyre, apo psikologëve, sociologëve, policëve e gardianëve të burgjeve i kam përdorur dhe zbërthyer nëpërmjet mundësisë që ta jep proza. Me një fjalë, emocionet që i jep libri janë të bazuara në përjetime të vërteta, ndërsa personazhet dhe ngjarjet nuk kanë asgjë të vërtet.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Gjen kuletën me 320 euro, qytetari nga Ferizaj e dorëzon në polici

Një qytetar nga Ferizaj ka gjetur një portofol me para dhe ka dorëzuar atë në polici. Policia njofton se në...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img