20,04,2024

DEMONSTRATAT E MARS-PRILLIT 1981, I DHANË GRUSHTIN VENDIMTAR IDESË SË JUGOSLLAVIZIMIT TË SHQIPTARËVE

Must Read

Shkruan: Muhamet Shabani
Populli shqiptar i ndarë padrejtësisht më 1913,nuk ishte pajtuar asnjëherë me robërinë sllave. Rezistenca shqiptare vazhdoi edhe pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.
Kushtetuta e vitit 1974,formalisht e deklaronte barazinë e të gjitha kombeve dhe kombësive të Jugosllavisë në të gjitha fushat e jetës politike dhe ekonomike.
Në mes të asaj që thuhej apo propagandohej dhe realitetit që ekzistonte në Kosovë dhe viset e tjera shqiptare,ekzistonte një hendek mjaft i thellë.
Pakënaqësia ndaj pushtetit nacionalist serb përfshiu të gjitha shtresat e popullsisë shqiptare të Kosovës.Kosova kishte numrin më të madh të të burgosurve politikë të Jugosllavisë.
Pakënaqësia ishte e tillë sa shpërthimi pritej çdo ditë.
Demonstratat filluan më 11 mars 1981,në Prishtinë,por ato më masive u mbajtën më 1,2 dhe 3 prill 1981 në Prishtinë,Ferizaj,Podujevë,Mitrovicë,Vushtrri,Viti,Gjakovë,Gjilan etj.
Kërkesa Kosova-Republikë,ishte kërkesë e guximshme e popullit, e bërë përpara zjarrit të automatikëve e tankeve serbe dhe jugosllave. Parulla tjera të rëndësishme dhe të guximshme ishin : ” Jemi shqiptarë,nuk jemi jugosllavë”, “Trepça punon,Beogradi ndërtohet”etj. Është për t’u përmendur guximi i një vajze 12 vjeçare në Prishtinë,e cila ngjitet mbi tankun serb me flamurin kombëtar duke brohoritur parullën Kosova-Republikë,liri,barazi dhe demokraci.
Në qytetin e Ferizajt një djalosh i moshës së re 8-9 vjeç,në kacafytje e sipër,ia zhvat automatikun policit serb.
Demonstrimi i forcës në mënyrën më brutale nga policia serbe dhe ushtria jugosllave e lakuriquan iluzionin e fiksuar në vetëdijen e udhëheqjes komuniste se shqiptarët mund të jetojnë të “vëllazëruar e të bashkuar” me serbët,malazezët e maqedonët. Pra gatishmëria për t’u flijuar për Kosovën dhe nxjerrja haptas e të vërtetës se sllavët nuk mund t’i bëjmë vëllezër ishin dy elementë që u krijuan në ndërdijen shqiptare gjatë demonstratave të vitit 1981.
Në fjalorin politiko-sociologjik të pushtetarëve serbo-malazezë-maqedonas përdoreshin nocione të përgatitura për t’i sulmuar shqiptarët si kundërrevolucionar,ballistë,fashistë e të tjera.
Ky fjalor i konvenonte Beogradit për t’iu vërsul Kosovës e shqiptarëve me represione, me vrasje e deri në zbatimin e metodave më çnjerëzore. Demonstratat e 1981,treguan se vetëdija politike për liri dhe pavarësi te shqiptarët nē Jugosllavi po rritej gjithnjë e më shumë.
Sipas disa burimeve që vinin nga Ambasada e SHBA-s,në Beograd,kishte të vrarë së paku 300 veta.
Studiuesi amerikan Pedro Ramet pohon se ishin 1000 protestues të vrarë.
Udhëheqja komuniste jugosllave,republikane e Serbisë dhe ajo krahinore e Kosovës hartuan programe me karakter afatgjatë që në të gjitha institucionet shkollore,edukative,arsimore e shkencore të sigurojnë kuadro të përshtatshme politikisht për të gjitha nivelet e arsimit dhe edukimit në gjuhën shqipe.
Një grup i të dënuarve politikë shqiptarë i dërguan një letër Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë,në të cilën thuhej: ” Nuk ka ndodhur ndonjëherë dhe as që mund të ndodhë që popujt të ngrihen pse kanë liri e të drejta të tepërta.
Ata ngrihen pikërisht pse nuk i gëzojnë ato liri që duhet ti kenë…. Rreziku për shkatërrimin e një shteti vjen jo nga liria e barazia e popujve dhe qytetarëve të tij,por përkundrazi vjen nga pabarazia,shtypja e shfrytëzimi i tyre”.
Në qendër të goditjes u vu Universiteti,i cili u përcaktua si ” kështjella e nacionalizmit shqiptar”.Mund të themi se fat të njëjt patën edhe institucionet e tjera arsimore e kulturore.
Filloi diferencimi i egër ideologjik e politik në radhët e intelektualëve shqiptarë. Prej tyre kërkohej të deklaroheshin për demonstratat,për dënimin e të rinjëve,për nacionalizmin që u identifikua me gjithçka që ishte kombëtare shqiptare.
Ata të cilët ishin kundër qëndrimeve të LKJ, lidhur me këto probleme,dënoheshin me largime nga puna,me ndjekje penale dhe burgosje.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Vrasje e mbetur në tentativë në Ferizaj

Me datën 19.04.2024 në ora 17:47 policia rajonale e Ferizajt ka pranuar një informatë se në udhëkryqin e rrugëve...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img