24,04,2024

Britani e Madhe: Premtohet mbështetje për bizneset dhe sportin ferizajas

Must Read

Ditë më parë, Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu i shoqëruar edhe nga deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Elmi Reçica, drejtori i urbanizmit Lulzim Aliu, drejtori i Infrastrukturës, Arbër Bytyqi, si dhe shefi i kabinetit i ministrit të Shëndetësisë, Ardian Ferizi kanë marr pjesë në një vizitë 4 ditore në Britaninë e Madhe.

Kjo vizitë është realizuar me ftesën e autoriteteve lokale të Sheffield-it dhe Leeds-it me ndërmjetësimin edhe të legjendës së futbollit anglez, mbështetësit dhe mikut të shqiptarëve, Brian Deane.

Qëllimi i kësaj vizite ishte prezantimi i projekteve të Komunës së Ferizajt, për mundësinë e financimit nga investitorët anglez si dhe krijimi i një klime të përshtatshme ndërveprimi mes bizneseve të dy vendeve në fusha të ndryshme.

 

Lidhur me këtë vizitë Kryetari i Komunës së Ferizajt, Aliu tha se: “Në këtë vizitë jemi takuar me kryetaren e Leeds-it, zonjën Jane Dowson, kemi pasur një takim shumë të rëndësishëm, shumë impresionues nga ajo që kemi pas si pjesë të bashkëbisedimit. Takim të veçantë kemi pasur edhe me ish deputetin dhe ish ministrin e Tregtisë dhe Industrisë në Qeverinë e Kryeministrit Tony Blair, këshilltarin aktual për strategji në Qendrën për Kërkime të Avancuara pranë Universitetit të Sheffield-it, Richard Caborn. Gjithashtu në kuadër të qytetit të Leeds-it ne jemi takuar edhe me zotin Martin Farrington drejtor i zhvillimit urban në këtë qytet si dhe me zotin Ian Williams, drejtor i Odës Ekonomike në rajonin e Leeds-it. Leeds-i është rajoni i tretë për nga numri dhe fuqia ekonomike në Mbretërinë e Bashkuar, kjo tregon më së miri rëndësinë e takimeve që kemi pasur. Në këto takime ne diskutuam për mundësitë e bashkëpunimit në fusha të ndryshme në mënyrë të veçantë që të kemi takime të ndërsjella, me theks të veçantë për bizneset, edhe ato angleze por edhe bizneset tona, që të shohim mundësinë e bashkëpunimit në fushat përkatëse, në të cilat ata mund të gjejnë si një veprimtari të përbashkët. Pra, ne do të jemi lehtësues dhe ky është vetëm fillimi i një bashkëpunimi mes Komunës së Ferizajt dhe qytetit, gjegjësisht rajonit të Leeds-it. Dua të falënderoj të gjitha ata që na kanë bërë një pritje jashtëzakonisht të mirë dhe ofrimin e mundësisë krejtësisht të hapur për bashkëpunim në të gjitha fushat. E rëndësisë së veçantë ka qenë edhe takimi me drejtuesit e klubit të futbollit “Sheffield United”, me zotin Carl Sheiber dhe zotin Dave Green, të cilët janë udhëheqës të këtij klubi dhe ne kemi biseduar për perspektivën e sportit, gjegjësisht perspektivën e futbollit ferizajas, që të gjejmë mundësi bashkëpunimi, për të hapur një kapitull të ri të sportit ferizajas, respektivisht futbollit ferizajas, takim ky që dua t’i falënderoj nikoqirët me të cilët kemi gjetur një gjuhë bashkëpunimi dhe mikpritje” theksoi kryetari Agim Aliu.

Në këtë takim, investitorët e qytetit të Leeds-sit u zotuan se do të ndihmojnë financimin e projekteve të ndryshme që planifikojnë të zhvillohen në territorin e Komunës së Ferizajt në disa fusha, si dhe të konsolidohet një raport i qëndrueshëm investimesh e bashkëpunimi ekonomik ndërmjet dy vendeve.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Arrestohet ish-zyrtari i gjendjes civile në Ferizaj, regjistroi shtetasin turk pa i plotësuar kriteret

Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Ferizaj, pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore për një periudhë kohore,...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img