29,03,2024

Artisti që sfidon logjikën partizane

Must Read

Të gjitha rrugët që të fusin në qytetin e Ferizajt, madje nga të katër anët, si shenjë dalluese kanë shtatoret prej bronzi të ngritura për heronjtë e luftës së fundit në Kosovë, ndërsa hapësirën e brendshme të qytetit e ka zënë mjeshtri i riciklimeve, i cili me punimet e tija sikur sfidon logjikën partizane, përkatësisht modelin soc-realist që vazhdojnë ta ruajnë shtatoret e importuara nga Shqipëria, shkruan sot, gazeta Zeri.

“Nuk po qëndrojnë mirë. Janë të modelit të realizmit socialist. Nuk kam asgjë kundër dëshmorëve, përkundrazi edhe vetë punoj portrete të figurave të rëndësishme kombëtare, por çështja është se artistët, me krijimet e tyre, duhet ta shënojnë kohën e tyre e jo të bartin një kohë të shkuar”, thotë artisti Përparim Behluli, i cili oborrin e shtëpisë së tij, në rrugën “Dibra” numër 1, afër Stadiumit të Qytetit, e ka mbushur me skulptura të punuara nga skrapi, përkatësisht nga mbeturinat e metalit.

Përparimi, me punimet e tij ka mbushur edhe hapësirat më të dukshme brenda qytetit të Ferizajt. Në sheshin e qytetit, përkatësisht në oborrin e bibliotekës “Sadik Tafarshiku”, qëndron një bletë gjigante e punuara nga mbeturinat e metalit, e cila ka kohë është bërë shenja më dalluese e një objekti kreativ në qytetin e Ferizajt. Brenda bibliotekës Përparimi ka ndërtuar një shtatore prej letre, përkatësisht nga gazetat, duke nxjerr karakterin meditativ të një tipi mbi një libër. Edhe ky përbën një krijim shumë motivues për lexuesit e shumtë të kësaj biblioteke. Në oborrin para Teatrit të Qytetit “Adriana” qëndron një balerinë në maje gishtërinjsh, e cila shpërfaq një lëvizje të gjallë. Në një kënd, krejt afër qendrës së qytetit, Përparimi ka vendosur një violiniste, e cila i jep frymë moderne qendrës së Ferizajt. Punimet e tij janë shpërndarë edhe përtej Ferizajt. Një hutin ia kanë marrë në Zvicër, Rozafën ia kanë marrë në Prishtinë, ndërsa një mushkonjë në Gjilan.

Po kur flet për punimet e tij të shpërndara, Përparimi nuk e le pa e shfaq brengen për faktin se punimi i tij i titulluar “Harmonia e universit”, i vendosur në qendër të qytezës së Shtimes tashmë nuk ekziston, sepse dalëngadalë është shkatërruar. “Njerëzit ende nuk janë të përgatitur t’i kuptojnë dhe t’i shijojnë punimet moderne, madje ka të tillë që i marrin edhe për fyerje. Në Shtime ishte një punim shumë domethënës, por e shkatërruan. Më dhimbset shumë”, shprehet me një dozë të theksuar dëshpërimi Përparim Behluli, arsimtar i artit figurativ, i cili tek nxënësit e tij provon të kultivojë respektin për të bukurën, por edhe prodhimin e saj.

“Me nxënës punoj të gjitha format e artit figurativ. Dua që ata ta shohin praktikisht si bëhen ato dhe të mësojnë që edhe vetë t’i bëjnë ato”, thotë Përparimi tek sytë i kanë ngelur mbi trupin e një kali të madh që vazhdimisht po merr formë në oborrin e tij, në një si atelie të hapur nën qiell.

I pyetur se prej nga ky pasion që të punojë me mbeturina hekuri, ai kujtohet dhe pastaj tregon: “Si fëmijë kam punuar me materiale të ndryshme për të nxjerr forma të pëlqyeshme. Kisha kureshtje që të ndërtoja metamorfoza të formave nga ato origjinale në ato artistike. Punoja tek një xhaxha imi, i cili merret me konstruksione të mëdha metali dhe gjatë kohës së lirë merrja copat e mbetura të metalit dhe bëja figura të ndryshme. Këtu nisa të mësoj edhe përdorimin e aparatit saldues”, thotë Përparimi, i cili e pranon se këto forma mësohen edhe në akademinë e arteve.

I pyetur se si e siguron materialin, ai përgjigjet shkurt: “Materiali në formë mbeturinash është i lirë. Nuk kushton shumë. Kryesisht e marrë nga këta mbledhësit e mbeturinave të hekurit” Ndërsa i pyetur se sa kohë i merr një punim i tillë, ai thotë se më shumë kohë i merr krijimi i idesë se vetë realizimi. “Ideja është shumë me rëndësi. Ja tash jam afër realizimit të figurës së një kali në dimensione më të mëdha se ato reale dhe ndërkohë më ka shkrepur ideja që ta punoj Skënderbeun mbi të. Po besoj se do të dilte diçka shumë e bukur, sepse edhe kali, edhe Skënderbeu kishin mjaft pjesë të metalta në trup”, thotë Përparimi, i cili nuk merret vetëm me këtë shprehje arti, por edhe me pikturë dhe me vizatim. Madje thotë se vizatimin e do më shumë.

Njeriu i riciklimit artistik thotë se nuk ka gjetur përkrahjen e duhur tek njerëzit e kulturës. Vetë e blen materialin dhe kujdeset për mirëmbajtjen e skulpturave të tij që kanë zënë hapësirat më të rëndësishme të qytetit. Për punimin që e ka përfunduar i vjen keq që përgjegjësit e kulturës nuk patën vullnet t’i paguajnë as një shumë simbolike, me të cilën do të mund t’i hiqte shpenzimet e materialit.

“Kam punuar një libër, me të cilin në formë metaforike desha ta kujtojmë librin e djegur në Ferizaj “Katërmbëdhjetë autorët”, i cili u dogj tash e 30 vjet më parë, por nuk pati interesim për të”, shprehet i dëshpëruar Përparimi, i cili për gjithë këtë punë përdorë sall një çekan, darët dhe një saldues. Atij vërtet i duhet një përkrahje më e madhe, në mënyrë që ta pasuroj edhe më qytetin e Ferizajt me figura të cilat ia japin një frymë të njëmendët artistike./Zeri/. 

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Prof. Asoc. Dr. Arbresha Meha sjell inovacion dhe praktika të mira të bashkëpunimit ndërmjet akademisë dhe industrisë nga Austria në Kosovë

Në një kohë kur bashkëpunimi ndërmjet akademisë dhe industrisë po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për zhvillimin e...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img