18,04,2024

Aliu: Ferizaj do të frymojë lirshëm dhe nuk do të ketë kaos urban

Must Read

Ferizaj.11.01.2018. Drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit dhe Mjedisit Lulzim Aliu, në konferencën e parë për medie ka thënë se kjo Drejtori është më e rëndësishmja në komunën tonë, nga e cila është varur dhe varet e ardhmja e qytetit në aspektin e organizimit urban të qytetarëve, në aspektin e zhvillimit ekonomik, zhvillimit të turizmit etj.

Ai tutje ka shtuar se është i vetëdijshëm se fokusi qytetarë dhe medial është i përqendruar tek ta, përderisa ka konstatuar se në qytet ekziston kaosi urban.

“Nuk është e tepërt të konstatojmë se kaosi urban është pasojë e pushtetit të kaluar, nuk është e tepërt të konstatohet se kjo është pasojë e keqmenaxhimit dhe falsifikimit. Ky realitet duhet pranuar kështu siç është, dhe ne me kujdes i’u kemi qasur analizave të situatave të krijuara pikërisht nga ky keqpërdorim i pushtetit që ka rezultuar në dokumente strategjike që e kanë bërë edhe më të turbullt të ardhmen e afërt të qytetit tonë. Kemi Planet Rregulluese Urbane të mëhershme në bazë të të cilave duhet punuar, e të cilat nuk janë respektuar në plotni. E kemi një PZHK të miratuar në Kuvendin e kaluar me plot të meta. Në anën tjetër jemi në procesin e hartimit të Hartave Zonale që fatmirësisht nuk e kemi gjetur të përfunduar. E them këtë sepse shpresoj se kjo mund të jetë edhe mundësia jonë e vetme për t’ia dhënë formën e meritueshme qytetit tone, dhe për të zgjidhur telashet e grumbulluara prej vitesh ne mes komunës, investitorëve dhe qytetarëve”, është shprehur drejtori i urbanizmit Lulzim Aliu.

I pari i Drejtorisë së Urbanizmit, Lulzim Aliu, tutje është shprehur se me marrjen e detyrës së re, ka gjetur një Drejtori të paorganizuar karshi përgjegjësive që i ka.

“Kjo Drejtori nuk ka as një databazë të thjeshtë e cila do të përdorej lehtë e shpejtë, për të pasur pasqyrën e punës së kësaj drejtorie, e mos të flasim për transparencën e cila ka munguar plotësisht. Me këtë rast po theksoj që hapi im i parë ka qenë pikërisht krijimi i databazave, ku do të kenë qasje edhe qytetarët. Secili qytetarë do të dijë saktë të dhënat e secilës leje të lëshuar nga Drejtoria e Urbanizmit dhe Mjedisit, d.m.th. do të ketë transparencë të plotë, secili aplikues do të ketë qasje online rreth lëndës se tij, dhe të të gjithë aplikueseve të tjerë në rast te interesit”, ka potencuar Aliu.

Drejtori Aliu, është shprehur se tash për tash nuk të lëshojë leje të reja ndërtimore deri sa të zyrtarizohen hartat zonale.

“Për këtë do të kërkoj mirëkuptim nga investitorët potencialë dhe nga qytetarët e interesuar që të japin tokat për ndërtime të larta. Shi për këtë shumë shpejt do t’a organizoj një takim me ndërtuesit dhe qytetarët, gjegjësisht me palët e interesit për këtë çështje. Poashtu shumë shpejt së bashku me kryetarin Aliu do të takohemi me arkitektët dhe inxhinierët e të gjitha fushave teknike për të formuar një trupë konsultative të jashtme që do të na ndihmojë në ndërtimin e politikave të komunës e që do të ndikojnë në hartimin sa më të lehtë dhe më të shpejtë të hartës zonale. E kemi të qartë se nuk kemi shumë kohë për pritje. Prandaj jemi në kontakt të vazhdueshëm dhe intensiv me kompaninë që është e kontraktuar për hartimin e hartës zonale dhe kemi pajtueshmëri të plotë për shpejtimin e procedurave të obligueshme me ligj.

Drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit dhe Mjedisit në fund të kësaj konference është zotuar se Ferizajn, do ta bëjë që të frymojë lirshëm duke e zhbllokuar nga ky kaos i shkaktuar nga keqmenaxhimi i deritashëm, duke thënë se do të gjejë rrugën e duhur për ta bërë këtë.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj dhe Ministria e Zhvillimit Rajonal nënshkruajnë Memorandum për bashkëpunim në Zhvillimin Rajonal

Rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), Prof. Dr. Agron Bajraktari, dhe ministri i Ministrisë të...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img