19,04,2024

Adem Salihaj, dëshmitar i mundshëm ndaj Fatmir Limajt dhe të tjerëve në rastin e MTPT-së

Must Read

Ish-kryetari i Ferizajt dhe ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Adem Salihaj, javën e ardhshme mund të jetë dëshmitari i radhës, në procesin gjyqësor ndaj Fatmir Limajt dhe të tjerëve, të cilët akuzohen për vepra penale që lidhen me korrupsionin, në rastin e njohur të MTPT-së.

Mundësinë që Salihaj të jetë dëshmitar në këtë gjykim, e ka përmendur kryesuesja e trupit gjykues, gjyqtarja Marie Tuma.

Për seancën e radhës që është caktuar të mbahet të hënën e javës së ardhshme, do të jap dëshminë e tij, dëshmitari Mustafë Dalloshi, kurse pasdite, sipas gjyqtares Tuma, mund të jap dëshminë e tij, ish-kryetari i Ferizajt, Adem Salihaj.

Por, i akuzuari Fatmir Limaj, ka deklaruar se dëshmia e Salihajt, nuk është aspak relevante në këtë rast.

“Cila është relevanca e tij për këtë rast, a dojmë me shkurtua këtë proces apo me bo politikë”, tha Limaj.

Sa i përket dëshmisë së Adem Salihajt, prokurori Charles Hardaway tha se do ta njoftoi gjykatën edhe njëherë për kohën se kur do të duhet të ftohej ai si dëshmitar.

Gjyqtarja Tuma, u ka lënë palëve tre ditë të lira, në mënyrë që të përmbledhin provat që ata synojnë t’i paraqesin në këtë shqyrtim gjyqësor, që pritet të vazhdojë të hënën e javës së ardhshme.

Ajo po ashtu, shtoi se prokurori ka prezantuar një listë prej 18 dëshmitarëve, duke përfshirë edhe dëshmitarë ekspertë ndërkombëtarë, por theksoi se kjo nuk do të thotë se mund të bëhen ndryshime.

Ndryshe, në seancën e së martës, ka përfunduar dëshminë e tij, dëshmitari Arsim Kolshi.

Njëjtë sikur një ditë më parë, që ndodhi me dëshmitarin Sadush Rysha, edhe për dëshmitarin Kolshi, ka parashtruar pyetje vetëm prokurori, derisa një gjë të tillë nuk e bënë as mbrojtja dhe as trupi gjykues.

Pjesa më e madhe e pyetjeve të prokurorit kishin të bënin me komunikimin që Kolshi kishte bërë me Ali Aliun, Kolshi fillimisht tha se nuk njeh një person me emër të tillë, por pasi lexoi komunikimin në mes tyre, tha se atë e njeh si Ali Rudi, e jo si Ali Aliu.

Prokurori kërkoi të di nga ky dëshmitar nëse ka biseduar me Ali Aliun për disa tenderë të mirëmbajtjes së rrugëve në Ferizaj gjatë vitit 2008 dhe nëse ka kontaktuar me Fatmir Limajn për këto çështje.

Dëshmitari shumicën nga përgjigjet e dhëna ka theksuar se nuk i kujtohet, duke u arsyetuar se ka kaluar një kohë e gjatë për të mbajtur mend.

“Kanë kalu 9 vjet dhe nuk mund ta mbaj në mend se më kanë kam fol në telefon. Unë për herë të parë po e shoh fizikisht Fatmir Limajn, përmes mediave po”, tha dëshmitari duke ju përgjigjur pyetjes se prokurorit nëse është takuar ndonjëherë Kolshi me Fatmir Limajn, në emër të Ali Aliut.

Kujtojmë se edhe Ali Aliu ishte si dëshmitar në këtë rast muaj më parë.

“Betimi për Drejtësi”, në vazhdimësi ka raportuar për këtë rast.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, kishte ngritur aktakuzën e konsoliduar më 28 shtator 2015, me anë të së cilës janë bashkuar dy aktakuza të mëparshme të rasteve MTPT 1 dhe MTPT 2.

Aktakuza e parë ishte ngritur me datë 05 dhjetor 2012, ndërkaq aktakuza e dytë më 19 shkurt 2014 dhe për të dyja janë mbajtur dy shqyrtime fillestare. Mirëpo me vendimin e 30 majit 2014 të kryetares së atëhershme të trupit gjykues këto dy raste janë bashkuar në një, duke ngritur një aktakuzë të cilën e kanë quajtur aktakuzë e konsoliduar.

Pas këtij vendimi, të dyja palët kishin dërguar ankesat e tyre dhe në bazë të ankesave Gjykata e Apelit më 23 dhjetor 2014 kishte vendosur që ai vendim nuk mund të ankimohet sepse është vendim i prerë.

Aktakuza e konsoliduar i ngarkon të akuzuarit Fatmir Limaj, Endrit Shala, Nexhat Krasniqi për veprat penale krim i organizuar, keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, marrje ryshfeti, Shpërtim Telakun për veprat penale krim i organizuar dhe keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe të akuzuarin e fundit Florim Zukën për veprat penale dhënie ryshfeti dhe keqpërdorim i autorizimeve ekonomike.

Përveç këtyre veprave penale, Fatmir Limaj akuzohet po ashtu edhe për veprën mos deklarim i parave për fushatë.(Betimi për Drejtësi)

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj dhe Ministria e Zhvillimit Rajonal nënshkruajnë Memorandum për bashkëpunim në Zhvillimin Rajonal

Rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), Prof. Dr. Agron Bajraktari, dhe ministri i Ministrisë të...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img