Lajme

A po ua kërkon SBASHK-u nga 10 euro mësimdhënësve për t’i paguar avokatët?


Publikuar më:


Kontrata kolektive e nënshkruar në mes të SBASHK-ut dhe MASHT-it, nuk po respektohet në tërësi sa i përket pikave të nenit 35 të cilat konkretisht kanë të bëjnë me çështjen e udhëtimeve për mësimdhënës dhe të punësuarëve të tjerë që janë udhëtarë, çështja e tri pagave suplementare me rastin e pensionimit  dhe çështja e shujtës.

Lidhur me mosrealizimin e këtyre kërkesave, arsyetimi ka qenë se buxhetet komunale janë të kufizuara, shkruan Gazeta Observer.

E vetmja komunë e cila ka paguar mësimdhënësit pensionistët me pagën suplementare është Komuna e Obiliqit, e cila ka dhënë tri pagat jubilare për të pensionuarit në arsim.

Lidhur me mosrealizimin e pikës për të drejtën e shujtës dhe rrogës jubilare, sot në rrjetet sociale, gjegjësisht në disa grupe ku diskutohet për arsim, është thënë se në disa qytetete në Kosovë,  SBASHK-u ka kërkuar nga mësimdhënësit nga 10 euro për të paguar apo angazhuar avokat për të fituar të drejtën për shujtë (ushqim ditor) dhe rrogë jubilare.

“SBASHK – qëllimin primar e ka mbrojtjen e të drejtave të mësimdhënësve. Në disa qytete në Kosovë SBASHK-u paska kërkuar që të ipen 10 euro për të paguar- angazhuar avokat për ëe fituar të drejten për shujt(ushqim ditor) dhe për rrogë jubilare. A thu 20 mijë  mesimdhenes per çka i jepin 2 euro në muaj. 24 ne vjet 24×2000=480000 rreth 0.5milion në vit , 60-65% shkojn për qendër 35-40 shkojnë për bazën shkollën dhe sindikatën në Komunë.

A nuk është kjo një turp i madh nga vetë emri dhe detyra primare e SBASHK-ut. Sot në shkollën ku punoj kështu thanë që edhe në Drenas edhe në Skenderaj edhe disa qytete tjera paskan angazhu Avokat se SINDIKATA e paska harru detyrën dhe qëllimin primar. Turp-Turp- Turp per SBASHK-un”ka shkruar një mësimdhënës në këtë grup.

Reagime ka pasur edhe nga mësimdhënës të tjerë.

“More në disa komuna janë dhënë nga 100 euro dhe plus kur të merren (nëse merren) 10 përqind e shumës do ta merr avokati, kjo është e vërtetë”, tha një mësimdhënës tjetër.

Lidhur me këtë  çështje në një prononcim për Gazetën Observer ka reaguar i pari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj.

“Kemi zëra  të tillë për këtë çështje, por lidhur me këtë sot do t’ju drejtohem kryetarëve të nivelit komunal. Ky nuk është veprim i SBASHK-ut. Bile, mund të ju them lirshëm se asnjë avokat nuk ka biseduar me SBASHK-un lidhur me këtë çështje. Kjo e drejtë ju garantohet mësimdhënësve bazuar në kontratën kolektive, por nëse ata duan vetë ta sigurojnë këtë të drejtë të garantuar përmes kontratës kolektive mund ta bëjnë…

Por, po e ritheksoj se ne nuk e kemi kërkuar një gjë të tillë nga anëtarët tonë. I kisha lutur kryetarët e niveleve komunale që të kenë kujdes lidhur me këtë…”, tha Jasharaj për Gazetën Observer.

Më tej, Jasharaj ka njoftuar se SBASHK-u ka njoftuar të gjithë anëtarët e saj se dy çështjet si shujta dhe udhëtimi do të rregullohen në nivel komunal.

“Nuk po kemi kohë që për të gjitha çështjet të angazhohemi në të njëjtën kohë. Në momentin që është mundësia dy çështjet do të rregullohen në mënyrë të organizuar. Ne zakonisht punojmë në një plan organizimi, të gjitha bazuar në kërkesën e Këshillit Drejtues. Ndërkohë, pensionet, rrogat jubilare po i realizojmë përmes gjykatave…”, tha më tej Jasharaj. /Gazeta Observer

To Top