17,04,2024

A ka nevojë për marketing në shkolla të mesme të sektorit publik

Must Read

 

Arsimi është degë e ekonomisë në sferën e shërbimeve

Institucionet arsimore – edukative kanë shënuar rritje të hovshme si rezultat i rritjes së kërkesave për këto shërbime.

Veçanërisht kemi një rritje të konsiderueshme, të shkollave të të gjitha niveleve dhe kolegjeve e fakulteteve në sektorin privat.

Sektori publik i arsimit dhe edukimit te ne edhe më tej është sektori i cili merr numrin më të madh të konsumatorëve të shërbimeve të arsimit.

Në arsimin dhe edukimin e nivelit parauniversitar në sektorin publik, rritja e numrit të nxënësve si një dukuri pozitive, është përcjellë me mjaft vështirësi me investime të duhura materiale, teknike, shkencore.

Ku po investojmë

Investimet janë bërë kryesisht në ndërtimin e objekteve shkollore , ndërtesave dhe shumë pak në pajisje moderne dhe në libra aq të nevojshëm.

Shfrytëzimi racional i të gjitha burimeve në lëmin e arsimit të sektorit publik paraqitet si një çështje komplekse e ndërvarur dhe e kushtëzuar nga shumë faktorë .

Vendimmarrja mbi investimet e nevojshme materiale në këto shkolla kërkon një zbërthim më substancial të të gjithë parametrave strategjikë të cilët do të duheshin të gjenden në planet dhe strategjitë zhvillimore ekonomike shoqërore të Kosovës.

Trendet e tanishme të përzgjedhjes së shkollave të arsimit të mesëm të lartë ( shkollave të mesme) janë pothuajse të njëjta për disa vite me radhë.

Të marrim shembull komunën e Ferizajt dhe shpërndarjen nxënësve në shkolla të mesme për dy periudha .

Kemi këtë strukturë të regjistrimit të nxënësve në shkollat e mesme në sektorin publik në Ferizaj:

Vërejtje: Në këtë tabelë nuk është përfshirë numri i nxënësve në Shkollën e Mesme të Kompetencës në Ferizaj.

statistika

Këto statistika mbi regjistrimin e nxënësve në shkolla të nivelit të arsimit të mesëm të lartë të sektorit publik në esencën e tyre përmbajnë edhe shumë informacione të tjera të rëndësishme për shoqërinë tonë.

Disa nga dilemat që mund të ngriten nga këto të dhëna janë:

Sa janë të mëdha këto objekte shkollore në pajtim me numrin e nxënësve, sa paralele kanë këto objekte, sa mësimdhënës janë të angazhuar e sa punëtorë administrative. Përgjigjet në shifra janë por në substancën e tyre duhet të analizohen më thellë.

Arsimi njëherit është një lëmi e ekonomisë që në Kosovë ka shënuar më shumë fleksibilitet për hapjen e vendeve të reja të punës. Një pagë e mësimdhënësit është bërë mjaft e dëshirueshme edhe nga ana e të rinjve të sapodiplomuar.

A ka rrezik që të mbyllen tërësisht disa shkolla të mesme ( të shuhen vendet e punës ) të cilat për disa vite me radhë në vazhdimësi po shënojnë rënie të numrit të nxënësve.

Cilat janë ato shkolla të mesme që rrezikojnë edhe të mbyllen. Kush, çka mund të humbë nga kjo!

Kjo mbyllje e shkollave a është rezultat i orientimit apo dezorientimit të nxënësve tanë për të përzgjedhur profilin, lëmin përkatëse qoftë sipas aftësive apo rezultateve të tyre, qoftë sipas projekteve dhe strategjive zhvillimore të shtetit.

Mbi cilat kritere orientohen nxënësit tanë në këto shkolla

Pas përfundimit të ciklit shkollorë të arsimit të mesëm të ultë nxënësit tanë i’u nënshtrohen testit të kalueshmërisë. Ky test rezultat ka dhënë pohimin/mohimin, kaloi/ nuk kaloi.

Përveç pikëve të testit të cilat shpeshherë për fatkeqësinë tonë kolektive shoqërore janë të shpërndara në mënyrë disproporcionale me suksesin e treguar për nëntë vite të atyre nxënësve, nuk japin asnjë informatë tjetër për ta.

Asnjë e dhënë mbi kapacitetet intelektuale, prirjet e veçanta, aftësitë dhe ambiciet e këtyre pretendentëve të bankave shkollore të arsimit të mesëm të lartë.

Në shkollat fillore të vendeve evropiane që nga klasa e tretë dhe e katërt fillon qarkullimi i informacioneve për mundësitë dhe programet që ofrojnë shkollat e mesme. Këto informacione dalin në mënyrë të organizuar dhe institucionale duke qenë subjekt të rëndësishëm vetë nxënësit e shkollave të mesme, institucionet arsimore po ashtu.

Ka diçka të ngjashme që në vitet e fundit praktikohet edhe te ne në Kosovë . Një mënyrë e vizitës së organizuar të shkollave të mesme nga ana e nxënësve semimaturantë bëhet në periudhën treditore të kampanjës “ Dyer të Hapura”.

Megjithatë statistikat tregojnë se vazhdon mësymja e nxënësve dhe njëherit preferencat e prindërve të tyre vetëm për disa shkolla më në veçanti.

Kështu gjimnazi merr gjithmonë numrin më të madh të nxënësve të regjistruar duke zvogëluar numrin e nxënësve në disa shkolla profesionale.

Besoj jo vetëm nxënësit por edhe prindërit e tyre nuk janë të informuar sa duhet për mundësitë profilet degët që ofrojnë shkollat e mesme .

Planet programet dhe mundësitë e aftësimit profesional do të duhet të selektonin një kategori të nxënësve të cilët më mirë e zotërojnë një punë se një studim nga i cili marrin diploma që nuk mund të i shndërrojnë në vlera.

Roli i marketingut

Shkollat e mesme publike janë pjesë e ekonomisë së tregut.

Sipas kësaj shkollat e mesme publike duhet të i i konkurrojnë njëra tjetrës.

Duke e pas parasysh se programet shkollore janë duke i’u përshtatë vazhdimisht nevojave dhe kërkesave të këtij shërbimi ka ndryshime dhe priten ndryshim edhe më tej duke fituar marketingu rëndësinë dhe rolin e vet.

Autori i librit “ Marketingu në Sektorin Publik “ Ph.Kotler & N.Li për lëmin e arsimit thotë: “ Mangësitë në shkolla publike shkojnë deri te edukimi i keq, e këto dërgojnë deri te pengesat në punë, këto deri te thyerjet në familje, abuzimi me narkotik, që sërish rezulton me kriminalitet dhe dënime burgu “

Mangësi në shkolla të mesme publike dhe pengesë e vërtetë për arsimimin dhe edukimin e të rinjëve , nxënësve të këtyre shkollave është numri mbi 40 nxënës në një paralele. Ky numër i madh në disa paralele rezulton me mosdisiplinë e kjo domosdoshmërishtë ulë kualitetin e punës.

Numri tepricë i këtyre nxënësve është numër mangut në disa shkolla të tjera të mesme.

Marketingu përmes mekanizmave të tij mundëson zbatimin e strategjive të cilat do të paracaktonin kriteret dhe të dhënat që do të mundësonin shpërndarje ndryshe të rekrutimit të nxënësve në shkolla të mesme.

Marketingu shoqërorë i cili është bazuar në parime të sprovuara veçanërisht për nevoja të sektorit publik të përmbledhur në librin e autorit Ph. Kotler & N. Li “ Marketingu në Sektorin Publik” japin mundësi dhe rregulla për veprime efikase në këtë sektor.

Në rastin e veprimit të marketingut në shkolla të mesme të sektorit publik do të theksoj strategjinë e veprimit , Komunikimi Efikas me Publikun Kyç.

Kjo strategji ofrohet si një qasje sipas së cilës klientët i japin rëndësi dhe përparësi atyre produkteve të cilat ofrojnë më shumë kualitet , realizim të mirë dhe inovacione.

Publiku kyç do të jetë ai segment i shoqërisë i cili ka interesa të përbashkëta për arsimin e të rinjëve në profile dhe degë adekuate me zgjedhjet e tyre të ardhshme profesionale, me orientimin strategjik zhvillimorë të vendit, me rrethanat dhe ambientin e gjithëmbarshëm ekonomik shoqëror, politik.

Kanalet e komunikimit janë : materialet e shkruara; materialet audio-vizuale; mediat, për të krijuar identitetin institucional, lajmet, zhvillime, fjalime, kontakte personale.

Arsyetimin për aplikimin e marketingut në shkolla të mesme të sektorit publik e argumenton nevoja për shpërndarje adekuate dhe cilësore të nxënësve nëpër shkolla të mesme, veçanërisht te ato profesionale.

Përfshirja proporcionale e nxënësve në shkolla sipas mundësive, aftësive, preferencave dhe nevojave te ardhshme të tregut.

Zbërthimi i informacioneve dhe shpërndarja e tyre përmes mekanizmave të marketingut i’u mundëson menaxherëve të institucioneve arsimore të arrijnë objektivat e synuara.

Përgatiti: Tahire B Abazi

Profesoreshë në SHM Ekonomike “Faik Konica “ Ferizaj.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Në Ferizaj u shënua 16 Prilli-Dita e të Zhdukurve me Dhunë

Me rastin e 16 Prillit - Ditës të të Zhdukurve me Dhunë në Komunën e Ferizajt, Komuna e Ferizajt...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img