29,03,2024

​Për tre muaj në Kosovë, u vetëvranë 5 persona

Must Read

istock-mental-health-suicide-note

Vetëvrasja në shumë raste shihet si mënyra më e lehtë për t’i dhënë fund problemeve të cilat e bëjnë të vështirë jetën e personit. Me anë të një veprimi të vetëdijshëm, njeriu i merr jetën vetës duke mos kërkuar gjetjen e zgjidhjeve të problemeve që e kanë kapluar. Arsyeja më e shpeshtë e vetëvrasjeve rrjedh nga depresioni ose sëmundjet bipolare si dhe sëmundje të tjera psikike dhe fizike.

Në shoqërinë kosovare, sipas të dhënave zyrtare të Policisë së Kosovë (PK), vetëm gjatë tre muajve të parë të këtij viti pesë persona i dhanë fund jetës së tyre, kurse 76 persona të tjerë tentuan që të vetëvriten.

KosovaPress mëson nga Policia e Kosovës se gjatë vitit të kaluar vetëvrasje kryen 75 persona, ndërsa tentuan të vetëvriten 293 persona. Sipas këtyre të dhënave, ashtu si në vitin e kaluar e njëjtë edhe në këtë vit numri i meshkujve që i dhanë fund jetës është më i madh në raport me femrat, ku vetëm gjatë këtij fillim viti 3 meshkuj kanë vrarë vetën, ndërsa në vitin e kaluar gjithsejtë 59 meshkuj u vetëvranë. Tentimi për vetëvrasje tek gjinia femërore është më i madh në raport me meshkujt, sipas të dhënave në këtë vit 45 femra tentuan të vrasin vetën, ndërsa në vitin 2015 vetëvrasje tentuan të bëjnë 171 femra.

Sociologë , psikologë dhe neuropsikiatër, vetëvrasjet në vendin tonë i shohin problem serioz. Ata thonë se pasojat shkaktohen nga faktorë të ndryshëm, që sipas tyre, më së shumti kanë të bëjnë me aspektin social në vendin tonë.

Psikologu Erëblir Kadriu tha për KosovaPress se vetëvrasja është e lidhur me gjendjen emocionale negative, e cila mund të ndikohet prej faktorëve të personalitetit, mirëpo edhe prej faktorëve të jashtëm social që në mënyrë të drejtpërdrejtë apo indirekte ndikojnë në gjendjen tonë emocionale dhe shpirtërore.

Sipas tij, gjendja emocionale e njeriut para vetëvrasjes, apo para tentimit për ta bërë këtë, është negative dhe shoqërohet me mungesë të motivit duke parë çdo gjë si të pashpresë dhe të parregulluar.

Kadriu: Individët me gjendje negative emocionale kanë mungesë të motivit për jetë

“Aty ku ekziston një lidhshmëri në mes të tentimit të vetëvrasjes apo aktit të vetëvrasjes dhe anës emocionale, specifikisht depresionit. Individët me gjendje negative emocionale me të vërtetë kanë një mungesë të motivimit për jetë, një mungesë të motivit social, të bashkëveprimit me të tjerët, për arsye të ndryshme. Ata kanë ardh deri në atë pikë që kanë ardh, dhe për ata çdo gjë mund të jetë e pashpresë dhe e parregulluar. Kjo bënë që të ndikojë në perceptimin e tyre dhe ta krijojnë një perceptim më ndryshe të botës sociale dhe për shkak të këtij ndryshimi mund të vjen deri te ky veprimi më i keq, siç është vetëvrasja”, tha ai.

Derisa tregoi për gjendjen emocionale që mund ta ketë një person që vendos t’i jap fund jetës së tij, Kadriu tregon se përvojat e ndryshme jetësore të individëve, sidomos ato përvoja negative, bëjnë që ndonjëherë individi të mos ketë mekanizëm mbrojtës se si t’i përballon problemet, shqetësimet dhe ndryshimet sociale, duke shtuar se kështu personi vjen deri në një gjendje emocionale jo të mirë, negative, që ndikon në perceptimin e tij për botën dhe jetën.

Ndërsa, për sociologen Vjollca Krasniqi vetëvrasja nukështë problem i shëndetit mental, por është kryesisht problem i cili është i gjeneruar nga struktura e gjerë shoqërore dhe nga problemet me të cilat individë të ndryshëm përballen brenda asaj shoqërie.

Sipas Krasniqit, vetëvrasja është problem shoqëror dhe jo problem i individit i cili vendos që t’i jap fund jetës. Sa i përket faktorëve që ndikojnë në marrjen e vendimit për vetëvrasje Krasniqi tha për KosovaPress se duhet të shihet jeta që bëjnë qytetarët e Kosovës që sipas saj qytetarët e vendit tonë jetën e kanë me shumë probleme, duke shtuar se disa njerëz nuk e shohin rolin e vetë në të ardhmen.

Krasniqi: Vetëvrasja është problem shoqëror, jo i individ it

“Vetëvrasja ka shënuar një rritje që nga pas lufta e deri më sot. Disa individë nga shtresa të ndryshme shoqërore, vende të ndryshme në Kosovë dhe po ashtu nga baground-et e ndryshme profesionale vendosin t’i japin fund jetës së tyre. Faktorët, përgjigja në këtë problem, është se është problem shoqëror, nuk është problem i një individi i cili vendos me ndërpre jetën, mirëpo kryesisht duhet të shikohet se cila është jeta sot në Kosovë, cilat janë aspektet e jetës shoqërore për të cilat për disa njerëz nuk janë të dobishme, të vlefshme dhe që nuk japin shpresë. Ka shumë, qofshin ato probleme të cilat kanë të bëjnë me mënyrën e jetesës, statusin shoqëror dhe ekonomik, që kanë të bëjnë me ndjenjën e thellë të pakënaqësisë dhe dëshpërimit me atë se çka ka sjellë e sotmja në të cilën jemi ne në Kosovë dhe mungesa e shpresës se farë do të jemi ne si shoqëri në të ardhmen. Disa individ nuk e shohin rolin e vetë në të ardhmen dhe në zhvillimin e jetës së tyre përmes konditave shoqërore në të cilat jemi këtu”, tha ajo.

Sociologia Krasniqi gjithashtu shtoi se gjithmonë duhet të jetë një politikë që i shikon problemet e integrimit të individëve në shoqëri dhe po ashtu të realizimit të tyre në sferat e ndryshme, qoftë shoqërore, ekonomike, familjare apo emocionale.

Ndërsa, neuropsikiatri Sami Rexhepi, drejtor i Qendrës së Shëndetit Mental në Prishtinë, tha për KosovaPress se momenti kur zakonisht kryhet apo provohet vetëvrasja është kur personi ka ndjenjën e shkatërrimit, e cila që e shkatërron shumë shëndetin mendor është ndjenja e shkatërrimit. Sipas tij, në këto raste vetëbesimi është humbur plotësisht, dhe nuk ekziston aspak vetëvlerësim.

Derisa tregoi për shenjat apo ndryshimet që mund të vërehen te një person i cili mund të tentojë apo të bëjë vetëvrasje, Rexhepi tha se individi tërhiqet nga shoqëria, nuk del jashtë shtëpisë si dhe është pa disponim. Ai bëri thirrje që nëse dikush i identifikon këto elemente te dikush i afërm, atëherë duhet të kërkohet ndihmë profesionale dhe pse personat e tillë e kundërshtojnë këtë ndihmë.

Rexhepi: Shenjat që më së miri shihen janë se fillon tërheqja e individit

“Shenjat të cilat më së pari shihen janë se fillon tërheqja e personit, largimi prej shoqërisë. Kur e shihni që një shok i juaji është tërheq dhe anëtarët e familjes ju thonë se fare pak po del ose nuk del fare prej shtëpisë, janë shenjat të cilat tregojnë për një gjendje krize. Nuk duhet me qenë vetëm depresioni dhe te çrregullimet e ankthit kur një person nuk mundet me i dhënë kuptimin një krize të caktuar, përkeqësohet shumë dhe fillon të tërhiqet. Ashtu që nëse në shoqëri vërehet dikush se është më pak i disponuar, është shumë më tepër i tërhequr, atëherë mënyra më e mirë është që personat që e shohin një ndryshim të tillë te një shok ose te një familjar, të kërkojë ndihmë profesionale, edhe pse zakonisht ata persona thonë se janë të shëndoshë dhe nuk janë të sëmurë dhe nuk kanë nevojë për psikiatër. Por duhet të gjendet një mënyrë që të kërkohet një ndihmë profesionale që të mos bëhet”, tha ai.

Rexhepi tha seideja dhe planifikimi i vetëvrasjes është shumë i shpeshtë te personat me sëmundje kronike dhe psikike, derisa shtoi se i madh është numri edhe i atyre që abuzojnë me substanca psikotrope , të cilët shkojnë me mbidozim me qëllim, duke mos mundur t’i tejkalojnë vështirësitë me të cilat ata ballafaqohen. /kp

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Prof. Asoc. Dr. Arbresha Meha sjell inovacion dhe praktika të mira të bashkëpunimit ndërmjet akademisë dhe industrisë nga Austria në Kosovë

Në një kohë kur bashkëpunimi ndërmjet akademisë dhe industrisë po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për zhvillimin e...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img